Presidenti maqedonas pritet përzemërsisht në Moskë

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov nxitoi të takohej me presidentin Vladimir Putin në Moskë, pasi iu dorëzua presionit të Perëndimit për të lejuar formimin e një qeverie nga Social Demokratët.

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov dhe Patriarku Ortodoks rus Kirill. Foto: MIA



Gjatë një vizite në Rusi, presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, pritet të takohet me presidentin Putin «për të diskutuar çështje që lidhen me zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh», shkroi zyra e Putinit në një njoftim për shtyp.

«Ata gjithashtu do të shkëmbejnë mendime për çështjet aktuale në rajon dhe për situatën në Ballkan», thuhet në deklaratën për shtyp.

Një ditë më parë, Ivanov u prit përzemërsisht në Moskë dhe iu dha «Çmimi i Patriarkut Alexi II», një medalje e Fondacionit Ndërkombëtar Publik për Unitetin e Kombeve të Krishtera Ortodokse, IFUOCN.

Çmimi, i dhënë personalisht nga patriarku ortodoks rus Kirill, lidhej me «përpjekjet e Ivanovit për të forcuar rolin e fesë në shoqëri, për të promovuar vlerat e krishtera dhe tolerancën fetare, si dhe për të përmirësuar lidhjet midis shteteve ortodokse», tha agjencia shtetërore e lajmeve, MIA në Maqedoni.

«E pranoj këtë vlerësim si president i Maqedonisë dhe një ortodoks i lindur dhe i rritur nën ombrellën e kishës së ringjallur të Shën Klementit, Kishës Ortodokse Maqedonase», tha Ivanov në marrjen e çmimit.

Kisha Ortodokse e Maqedonisë shpalli pavarësinë e saj, një formë të pavarësisë kishtare, në vitin 1967 – të cilën shumica e kishave të tjera ortodokse nuk e kanë njohur.

Marrësit e tjerë të çmimit fetar janë presidenti i Rusisë, Putin, kryeministri i saj, Dimitri Medvedev dhe ministri i jashtëm Sergej Lavrov. Vitin e kaluar çmimi iu akordua presidentit serb Tomisllav Nikoliqit.

Vizita e Ivanov në Moskë u planifikua papritur – dhe pason dorëzimin e tij ndaj presionit diplomatik nga Perëndimi për të lejuar Social Demokratët të formojnë një qeveri.

Muajt e fundit, Ivanovi luajti një rol parandalues në transferimin e pushtetit në Maqedoni nga partia nacionaliste VMRO DPMNE – të cilën Moska e favorizoi – te Social Demokratët pro-perëndimorë.

Gjatë kësaj periudhe, Rusia mbështeti qëndrimet e VMRO-së dhe të Ivanovit, duke e akuzuar Perëndimin se po ndërhyn në punët e brendshme të Maqedonisë. Megjithatë, Ivanov më në fund i dha të mërkurën e kaluar mandatin Zaevit për formimin e qeverisë.

Kjo ndodhi pasi mbështetësit e partisë VMRO DPMNE sulmuan parlamentin në Shkup më 27 prill, duke plagosur rreth 100 persona, përfshirë 10 deputetë dhe pas bisedimeve të presidentit me Zv. Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Hoyt Yee.

(https://www.reporter.al/presidenti-maqedonas-pritet-perzemersisht-ne-moske/)