Presidenti i Rumanisë bëhet i pari lider në Ballkan që viziton Trumpin

Presidenti amerikan Donald Trump do të presë presidentin rumun Klaus Iohannis më 9 qershor, ku pritet që liderin ballkanik t'i kujtojë atij besnikërinë e Rumanisë ndaj Perëndimit.

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis. Foti: Presidenca rumune



Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, pritet të takohet më 9 qershor me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë për një vizitë zyrtare mes shqetësimeve të vazhdueshme të shteteve europiane mbi qëndrimet e papërshtatshme të presidentit amerikan në lidhje me NATO-n dhe Bashkimin Europian.

Iohannis do të udhëtojë drejt SHBA-së të dielën për të marrë pjesë fillimisht në Forumin Global të Komitetit të Hebrenjve Amerikanë, si një i ftuar nderi dhe për të marrë çmimin «Dritë Kombeve» – çmimi më i lartë i organizatës 110-vjeçare për krerët e shteteve apo qeverive në lidhje me punën e tyre ndërkombëtare për paqe dhe demokraci.

Sipas presidencës rumune, Iohannis dhe Trump do të diskutojnë partneritetin strategjik 20-vjeçar midis Rumanisë dhe SHBA-së, ndërsa Iohannis do të theksojë se vendi i tij mbetet aleati më i parashikueshëm dhe më i besueshëm i Amerikës në rajon.

Diplomatët rumunë në Uashington e kanë kërkuar vizitën prej muajsh, duke i kujtuar administratës së re të Trump se vendi është i vetmi në Ballkan dhe në rajonin e Detit të Zi, që ka ngritur shpenzimet e veta të mbrojtjes në 2 për qind të PBB-së, pasi traktatit të NATO-s.

Në një intervistë në shkurt, ambasadori i Rumanisë në Uashington, George Maior, tha se takimi i Iohannis me Trump ishte një përparësi kryesore.

Ai tha gjithashtu se ish-këshilltari i sigurisë i Trumpit, Michael Flynn, i cili ka vizituar disa herë Rumaninë, kishte premtuar të bindte Sekretarin Amerikan të Shtetit Rex Tillerson të vizitonte vendin ballkanik.

Në udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit, në samitin e NATO-s në maj në Bruksel, Trump i qortoi aleatët se nuk kishin bërë shpenzimin e mjaftueshëm për mbrojtjen kolektive, duke përsëritur ankesat e zakonshme se ngarkesa më e madhe bie mbi Amerikën.

Ai gjithashtu refuzoi të mbështeste nenin 5 të traktatit të aleancës, ku thuhet se një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve.

Rumania ka mbështetur me forcë lëvizjet e NATO-s për të shtuar praninë e saj në krahun lindor të aleancës.

Ajo dhe Bullgaria fqinje, si dhe shtetet baltike dhe Polonia, po presin ushtarë nga 28 shtetet anëtare të NATO-s, ku më shumë se 7,000 trupa janë dërguar në vendet fqinje me Rusinë.

Iohannis ishte gjithashtu kreu i parë i një shteti të NATO-s dhe BE-së që mbështeti SHBA-në, pasi kancelarja gjermane Angela Merkel tha se «Europa duhet ta marrë fatin e saj në duart e veta», duke iu referuar presidencës Trump dhe Brexit.

Iohannis i hodhi poshtë të hënën shqetësimet e Merkel rreth drejtimit aktual të SHBA-së. «Deklarata e Kancelares Merkel u bë për shkak të pritshmërive të papërmbushura në samitin e NATO-s dhe në Samitin G7. Nuk mendoj se duhet të shqetësohemi për këto marrëdhënie», tha Iohannis.

Djali më i madh i Trumpit nga ish-gruaja, Ivanka, Donald Trump i Riu, i cili drejton Fondacionin Trump, u pa së fundmi teksa bënte gjueti në Rumani në maj.

I pyetur nëse ishte takuar me djalin e Trump, Iohannis tha atëherë se preferonte t’i shihte kafshët gjallë.

(https://www.reporter.al/presidenti-i-rumanise-behet-i-pari-lider-ne-ballkan-qe-viziton-trump/)