«Preokupimi im është se gjërat në Maqedoni po eskalojnë»

Opozita tani duhet ta zgjedhë kryetarin e parlamentit dhe pastaj ta formojë qeverinë, thotë Nikola Poposki. Nga 1 marsi presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i afërt me partinë qeveritare VMRO-DPMNE, refuzon t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë shefit të socialdemokratëve opozicionarë, edhe pse ai me partitë shqipatre disponon me një shumicë parlamentare. Ivanovi këtë e arsyeton me atë se qeveria e re mund ta dëmtonte Maqedoninë, sepse shqiptarët mund të merrnin shumë të drejta.

Nikola Poposki



DER STANDARD: Ju jeni pjesë e partisë së deritanishme qeveritare VMRO-DPMNE. Opozita bashkë me partitë shqiptare ka një shumicë, por presidenti Gjorge Ivanov nuk do t’ua japë atyre mandatin. Si mund të dilet tani nga kriza?

Poposki: Presidenti ka bërë një propozim: Kushdo që ta ketë shumicën, mund ta mbledhë parlamentin dhe ta zgjedhë kryetarin e parlamentit. Kjo mund të shërbente si një bazë për ta marrë mandatin për formimin e qeverisë. Kjo është dashur të ndodhë që para një jave, nëse është synuar vërtetë.

Por Ivanov ka thënë qartë se nuk do t’ia japë mandatin shefit të socialdemokratëve, Zoran Zaev. Eksziston frika se mund të rriten tensionet nëse Zaev e formon qeverinë.

Është ashiqare që VMRO për momentin nuk ka shumicë në parlament. Hapi i ardhshëm do të ishte zgjedhja e kryetarit të parlamentit. Por Zaev nuk e ka bërë këtë. Një konseguencë direkte është që pa kryetarin e parlamentit nuk mund të shpallen zgjedhjet – dhe zgjedhjet lokale duhet të mbahen në maj. Prandaj është legjitjime të pyesësh nëse SDSM-ja e zvarrit jo qëllimisht zyrtarizimin e shumicës në parlament, vetëm që zgjedhjet lokale të mos mbahen në kohë.

Mirëpo bëhet fjalë për atë që Ivanov po ia refuzon Zaevit mandatin.

Ivanovi ka folur për Platformën e Tiranës, jo në lidhje me proceset institucionale, por si thelb të programit qeveritar, çka e trazon shumëkënd në vend. Unë fjalët e presidentit i marr si një propozim për të ecur përpara.

Sa i përket «Platformës së Tiranës»: Disa politikanë shqiptarë të Maqedonsië kanë shkuar në Tiranë për ta unifikuar metodën e tyre. Më pas u kritikua se Tirana po përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë. Çfarë ndikimesh ka kjo në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë?

Shumë negative. Një kryeministër i një vendi fqinj thirri mbi një bazë të pastër etnike për krijimin e një platforme, e cila është një kusht për formimin e qeverisë në një vend fqinj. Në fotot e prezantimit zyrtar të këtij takimi shihet Edi Rama në mes dhe rreth tij udhëheqësit e disa partive nga Maqedonia. Pas tyre është një hartë, e cila e paraqet idenë e Shqipërisë së Madhe. Nganjëherë fotografitë thonë më shumë se njëmijë fjalë. Ndoshta Rama po llogarit se kjo do t’i sjellë pikë në zgjedhjet e tij në qershor. Por e gjithë kjo ka një ndikim në jetën politike në Maqedoni dhe e merakos popullin maqedonas.

Ka kohë që partitë shqiptare të Maqedonisë janë takuar në Tiranë, kjo ishte në dhjetor. Dhe vetëm tani po protestohet kundër kësaj.

Besoj që takimi zyrtar ishte në mbrëmjen e krishtlindjeve. Mendoj që çdonjëri që ka një post politik duhet të sillet përgjegjshëm dhe t’i shohë pasojat afatgjata. Për më tepër, kjo e promovon një koncept etnocentrik. Nëse kjo bëhet një standard, mund të shkaktojë shumë trazira, jo vetëm në rajon, por edhe në rrafsh evropian. Nëse kemi mësuar diçka në 25 vitet e fundit, atëherë është ajo se kjo nuk na shpie as më afër UE-së, as në një rajon të integruar. Nuk është plan i mirë të bësh politikë të brendshme në kurriz të destabilizimit të fqiut.

Partitë shqiptare të Maqedonisë thonë se «Platformën e Tiranës» nuk e ka iniciuar kryeministri Rama, por që ata janë aq të përçarë sa iu duhet një mediator.

Zor se mund të imagjinohet që kryeministrit Rama dikush ia ka vënë pushkën në kokë që të bëhen këto fotografi. Presidenti kosovar, Hashim Thaçi, gjithashtu në bazë të një koncepti etocentrik, ka thirrur troç për t’i marrë gjërat vetë në dorë. Nëse dikush duhej të ishte mirënjohës, mbase për çmimin që kemi paguar ne për pavarësinë e saj, atëhë kjo është Kosova. Ne e kemi përkrahur edhe integrimin e Kosovës në Unesco, edhe pse grupe kriminale nga Kosova këtu kanë bërë dëme. Është shumë jofer që presidenti i Kosovës të nxisë në vendin fqinj dhunë dhe trazira, edhe pse Maqedonia gjatë krizës së Kosovës ka pranuar 400’000 njerëz.

Por ai nuk ka thirrur për dhunë. Ai ka thënë që shqiptarët duhet t’i marrin të drejtat e tyre vetë në dorë.

Mirëpo ne mund të dakordohemi për parimin që kjo nuk i shërben kooperimit rajonal.

Po. A keni pasur kontakt me kolegët nga Kosova, apo nga Shqipëria për ta diskutuar tërë këtë?

Në disa raste e kemi diskutuar. Mendoj se në Shqipëri ka pasur një mungesë serioze të preokupimit për pasojat e disa veprimeve. Këtë mendim e kemi ndarë. Dhe mendoj që tani janë kuptuar pasojat e këtyre gjesteve në Tiranë dhe Prishtinë. Jam shumë i sigurt që partnerët tanë të përbashkët e kanë komunikuar këtë. Por çështja është se a do të komunikojnë ata në një mënyrë të përgjegjshme, e cila e stabilizon rajonin, apo caktimin e temave do ta dominojë matematika e politikës së brendshme? Preokupimi im është se gjërat po eskalojnë dhe Ballkanin po e gjuajmë krejtësisht mënjanë, nëse secili prej nesh që ka një pozitë në politikën e brendshme po kujdeset vetëm për atë se çfarë sjellë pikë politike në afat të shkurtër.

Kur është fjala te përzierja në punët e shteteve fqinje ekziston edhe ideja e UE-së që dy «udhëheqësit e mëdhenj të Ballkanit», kryeministri serb Aleksandër Vuçiç dhe ai shqiptar Edi Rama duhet të paraqiten si aktorë moderues. Kështu Vuçiçi është ftuar shpesh që në shtetin fqinj, Bosnjë e Hercegovinë, presidentin e Republika Serbskas, Milorad Dodik, ta sjellë në binarë. A nuk e ka kuptuar UE-ja ende se sa e rrezikshme është në Ballkan kur politikanë për shkak të «përkatësisë etnike» përziehen në shtetet fqinje?

Në UE ka vlera dhe parime të mëdha. Nëse nuk i respektojmë këto, kjo ka çuar gjithmonë në një fiasko. Duhet përmbajtur faktit që ka shtete sovrane dhe që vendimet merren brenda institucioneve demokratike. Mjerisht përzierja në shtetet fqinje është bërë një standard dhe nuk po dënohet seriozisht. Nuk mund ta marr me mend se Austria do të përfitonte nëse parti austriake do të thirreshin në Berlin për të ndërmarrë një koordinim të përgjithshëm të politikës së tyre të brendshme. Parimet duhet të jenë gjithandej njëlloj.

Tani në Maqedoni faktikisht flitet për më shumë të drejta gjuhësore për shqiptarët. Në anën tjetër ekzistojnë frika që nuk bazohen në fakte, sikurse droja nga një federalizim i Maqedonisë apo nga një «Shqipëri e Madhe». Tani si mund të ndahen faktet nga frikat dhe të qetësohen qytetarët?

Kufiri duhet të jetë e drejta. Gjithçka që e lehtëson jetën e njerëzve dhe e promovon pasurinë e shtetit tonë multikulturor mund të jetë pozitive për ta forcuar kohezionin. Me çështjen e gjuhës Maqedonia është sjellur më mirë se cilido vend përrreth. Por tani po shtyhet masivisht në mënyrë artificiale një ridefinim i marrëdhënieve ndërmjet grupeve të popullatave, ku madje flitet për kufinj të rinj. Nuk është fjala vetëm për përzierjen e fqinjëve, kjo madje është bërë temë e kongresmenëve të SHBA-ve dhe ish diplomatëve, si nga Britania e Madhe.

Këto prononcime ishin në muajt e shkuar ishin të frikshme.

Po. A nuk kanë mësuar ata asgjë nga e kaluara? Nëse kemi një koncept që e forcon kohezionin tonë dhe e zvogëlon ndarjen në rrafshin gjuhësor, fetar dhe etnik, jemi në rrugë të mbarë. Na duhet më shumë kohezion, jo më shumë segregacion. Frikat që përmendni, shkojnë dorë më dorë me atë që këto ridefinime, që shpiejnë në shkëputje të pjesëve të vendit dhe mund të çonin në kufinj të rinj, gjejnë edhe një mbështetje.

Mirëpo askush nuk po kërkon kufinj të rinj, apo shkëputje. Partitë shqiptare nuk janë duke kërkuar as federalizim, por vetëm të drejta gjuhësore. Dhe habitesh kur vjen këtu në Shkup dhe njerëzit në demonstrata pretendojnë se partitë shqiptare dëshirojnë ta ndërrojnë flamurin. Fjala është për shumë gjëra të cilat nuk bazohen në asnjë fakt.

Ndoshta historia jonë ka qenë shumë turbulente dhe ndoshta faktet dhe perceptimet nganjëherë nuk korrespondojnë në mënyrë perfekte bashkë. Ne e kemi hallin vetëm të të drejtat e qytetarëve. Votat e qytetarëve reprezentohen në parlament dhe nga kjo nuk lëvizim, sepse vetëm atëherë jemi në anën e sigurt.

Për momentin në preambulën e kushtetutës shënon që Maqedonia u krijua «si shtet i maqedonasve», i cili shqiptarëve, turqve, vllehëve, romëve dhe nacionaliteteve të tjera iu ofron «trajtim të barabatë» dhe një «koegzistencë permanente» me maqedonasit. Ky nuk është koncept qytetar. Sipas kësaj, a nuk do të duhej të hiqeshin grupet popullore nga kushtetuta dhe të flitej vetëm për qytetarë?

Nuk është fjala për kushtetutën, sepse ajo edhe aushtu bazohet te qytetarët. Fjala është për orientimin politik. A nuk do të duhej më mirë të kujdeseshim për integrimin në UE, për hapjen e kapitujve të negociimit, apo rritjen ekonomike? Mendoj që po.

Ministria e jashtme ruse në fillim të marsit doli me një prononcim për Maqedoninë, në të cilin ajo e dënon përzierjen perëndimore dhe shpreh merakun e krijimit të një «Shqipërie të Madhe». Është bërë Ballkani një fushëveprimi më e fortë gjeopolitike me ardhjen e qeverisë së re amerikane?

Kur them nuk duam përzierje, kjo nuk nënkupton dallime. E kam për të gjithë. Rruga e vetme sesi mund të dalim nga kriza politike është ajo me mjetet tona. Kushdo që përzihet, qoftë një kryeministër i shtetit fqinj, apo një superfuqi, kjo nuk do t’i zgjidhë çështjet tona. Maqedonia sigurisht nuk është në pozitë që të thotë se çfarë duhet të bëjë, apo të mos bëjë një superfuqi. Superfuqitë e përshtatin pushtetin e tyre në rrafshe të ndryshme. Gjithsesi, interesat tona konsistojnë në integrimin në UE. Kjo do ta përmirësonte jetën këtu, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe juridike. Nuk e them këtë për ta kënaqur Brukselin, por sepse besoj se kjo qo t’i bënte më të lumtur maqedonasit. Mirëpo, unë nuk kam iluzionin se integrimi në UE është një biletë për në parajsë. Nuk është, shihni shtetet e UE-së.

Por në Maqedoni ka politikanë që mendojnë ndryshe, që nuk e duan integrimin në UE dhe në Nato.

Po, mirëpo te qytetarët mbretëron konsensusi më i madh kur është fjala për anëtarësimin në UE. Njerëzit janë zhgënjyer vazhdimisht nga besueshmëria e procesit të integrimit në UE. Fakti që ne prej vitesh nuk po negociojmë me UE-në, është njëra prej barrierave. Por ne natyrisht i kuptojmë dinamikat. Evropianët janë të zënë me atë se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në Holandë, në Francë dhe në Gjermani, apo se çfarë pasojash do të ketë Brexiti.

UE-ja është e dobët në Ballkan. A mos iu hapë kjo më shumë mundësi lojtarëve të tjerë?

Në Ballkan ka tensione në rritje. Këtu kontribun gjeopolitika. Mirëpo nëse do të zhytemi në kaos, varet para së gjithash nga ne që jetojmë këtu dhe vetëm në radhë të dytë nga interesat e shteteve të tjera. Prandaj duhet të investojmë shumë në bashkëpunimin rajonal. Para disa javësh në Shkup kishim një takim të ministrave të jashtëm, dhe ishte hera e parë që nuk e kemi bërë një gjë të tillë sepse dikush na thirri për këtë, por nga vetë iniciativa jonë. Ne mund ta bëjmë rajonin tonë konkurrues dhe atraktiv nëse bashkëpunojmë ashtu sikur të kishte një treg të përbashkët dhe sikur të kishim një lloj të koordinuar të të bërit politikë. Nëse fqinjët tanë përqëndrohen në këtë, në vend që të përzihen, mund të ishim një rajon i suksesshëm.

(derstandard.at) ks