Premierë nga Arabia Saudite: një grua emërohet ambasadore në Washington

Sa i përket të drejtave të grave, Arabia Saudite deri së voni ka qenë në epokën e gurit. Tani shumë gjëra po ndryshojnë: grave u është lejuar të ngasin veturat dhe princesha Rema Bint Bandar al-Saud është emëruar ambasadore në Washington. Ajo është e para grua në këtë post. Një portret.

Rema Bint Bandar al-Saud.



Që nga qershori i vitit të kaluar gratë arabo-saudite guxojnë të ngasin veturat. Tashmë në Xheda dhe në Riad janë mbajtur edhe panaire veturash për gra dhe interesimi ka qenë shumë i madh. Gratë e Arabisë Saudite kanë të drejtë të ndjekin edhe ndeshje futbolli dhe sporte të tjera në stadiume dhe të shkojnë në kinema. Gjëra të zakonshme në shumë vende të botës, ndërsa në Monarkinë saudite e paimagjinueshme deri së voni. Princi i Kurorës Mohamed Bin Salman al-Saud ka vendosur të liberalizojë pak jetën sociale dhe t’u japë disa të drejta grave. Këtë ai nuk e ka bërë vetëm nga bindja se gratë dhe burrat duhet të jenë të barabartë, por për arsye ekonomike: me rënien e çmimeve të naftës shteti arabo-saudit nuk do të jetë në gjendje të subvencionojë shoqërinë, duke përjashtuar nga procesi i punës gratë. Vitin që shkoi për 104 vende të punës në sportelet e kontrollit të pasaportave në pikat kufitare konkurruan 107 mijë gra. Për herë të parë gratë e Arabisë Saudite mund të bëhen edhe ushtare.

Mohamed Bin Salman al-Saud është kritikuar ashpër vitin e kaluar për shkak të dyshimeve se ka luajtur rol në organizimin e vrasjes së gazetarit Xhamal Kashogi. Për të përmirësuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës Princi i Kurorës e ka emëruar një grua në postin e ambasadores në Washington. Kjo është një premierë: Rema Bint Bandar al-Saud është gruaja e parë ambasadore e Riadit. Dhe ajo do të marrë postin më të rëndësishëm – atë të shefes së ambasadës në Washington. Rema Bint Bandar al-Saud i takon rrethit të ngushtë të pushtetit në Arabinë Saudite, ka qenë sipërmarrëse dhe ministre e Sportit dhe ka përfaqësuar vendin e saj në disa konferenca në botën e jashtme, shkruan gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

Washingtoni nuk është qytet i panjohur për diplomaten saudite. Më 1983 babai i saj Bandar Bin Sultan ishte emëruar ambasador i Arabisë Saudite në SHBA. Këtë detyrë ai e ushtroi deri në vitin 2005. Bandar Bin Sultan konsiderohet si ambasadori me lidhjet më të ngushta sidomos me dy presidentët Bush. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 ai arriti t’i normalizojë raportet mes vendit të tij dhe Amerikës. Shumica e atentatorëve kanë qenë shtetas saudite. Vajza e tij Rema, e lindur më 1975 në Riad, do të gjendet para një detyre të vështirë: të normalizojë marrëdhëniet sidomos me Senatin amerikan, ku shumë politikanë kërkojnë sanksione kundër Arabisë Saudite për shkak të rolit të Princit të Kurorës në masakrimin e disidentit Kashogi.

Princesha Rema ka studiuar në George Washington University dhe e njeh mirë botën politike të kryeqytetit amerikan. Pas kthimit në Arabinë Saudite ajo themeloi një kompani për distribucion të prodhimeve luksoze, përmes së cilës u përpoq të hapë tregun e punës edhe për gra. Dy organizata të tjera të themeluara prej saj merren me ngritjen e vetëdijes për ushqim të shëndetshëm dhe për këshillimin e grave mbi rrezikun e kancerit në gji.

Princi i Kurorës Mohamed Bin Salman al-Saud është axha i saj. Në Washington princesha Rema pason vëllain më të ri të Princit të Kurorës. Vëllai i Remas Kaled Bin Bandar ndërkohë do të braktisë Berlinin për t’u bërë ambasador në Londër. (dp)