Prej konfliktit të ngrirë te shoqëria e ngrirë: Si duket sot Serbia e Vuçiqit?

Sociologia e njohur serbe Vesna Peshiq e përshkruan Serbinë si shoqëri të ngrirë nga ana e regjimit të Aleksandër Vuçiqit - pa opozitë, pa media, pa zhvillim ekonomik. Ëndrra e moçme e ultranacionalistit të dikurshëm është të ndajë Kosovën dhe të shkatërrojë Bosnjën.

Një kalë Troje: Vuçiq i shtyrë nga Putini. Karikaturë e Predrag Koraksiq - CORAX.



Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, ekonomia e saj po lulëzon, korrupsioni po luftohet, investitorët e huaj po presin në radhë, shtypi është i lirë dhe në rrugët e Beogradit mund të defilojnë njerëz me orientime të ndryshme intime, fundja kryeministre e vendit është një lesbike. Kështu tolerante dhe prosperuese synon ta paraqesë Serbinë regjimi i Aleksandër Vuçiqit. Duhet pranuar se në Bruksel e Berlin Vuçiq ka pasur mjaft sukses me propagandën e tij. Asnjë lider i Ballkanit nuk është pritur e përkëdhelur aq shumë nga ana e kancelares gjermane Angela Merkel. Vizitat e tij nëpër botë janë të pandërprera. Vetëm gjatë javëve të fundit ai ishte në Bullgari, priti kryetaren e Lituanisë, tani është në Azerbejxhan, sapo është kthyer nga Gjermania, e në Gjermani ka shkuar nga Bullgaria, ndërsa në Bullgari erdhi nga Rusia, e në Rusi shkoi nga Turqia. Mes këtyre vizitave Vuçiq ka dhënë intervista për «Financial Times», për «Guardian», «El Pais», «Independent», «Rheinische Post».

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Por, si është gjendja reale në Serbi? Sa i thellë është hendeku mes lavdërimeve të Angela Merkelit për sukseset e Serbisë dhe situatës në këtë vend ballkanik? Një përshkrim dhe analizë të gjendjes e ofron sociologia e njohur serbe Vesna Peshiq për portalin e njohur dhe të pavarur «Peshçanik». Ajo shkruan se Vuçiq ka arritur ta ngrijë jo vetëm konfliktin e Kosovës, por edhe shoqërinë serbe. «Kur ashiqare dëshmohen makinacionet e funksionarëve të lartë, asgjë nuk ndodhë. Të shtënat mafioze në kokë në qendër të Beogradit janë dukuri e përditshme, ndërsa policia nuk funksionon, vrasësit nuk zbulohen, grupet mafioze shtohen lirisht».

Sipas Peshiq në Serbi «liria është mposhtur; atje ku sundojnë kriminelët, shpresa ka vdekur. (…) Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë politikanë të patalentuar si tani kur Serbinë e qeverisin më të këqijtë». Tashmë Vuçiq, nënvizon Peshiq, ka arritur të ngrijë opozitën në paaftësinë e saj të përhershme, dhe këtë e konfirmon fakti se të gjitha partitë janë nën pragun e hyrjes në parlament. «Vuçiq ka arritur të zhbëjë kushtet e ekzistimit të pluralizmit, zgjedhjeve demokratike dhe sistemit shumëpartiak. Ai në praktikë ka vendosur një cofëtinë politike njëpartiake, aktive vetëm në domenin e pushtetit personal. E ka varfëruar shoqërinë, i ka shuar mediat, i ka zhbërë institucionet dhe shtetin, e ka politizuar shërbimin civil për të ushturar presion ndaj çdokujt, por ai përdorë edhe shërbimet private (paralele dhe krimogjene)».

Që gjendja është e tillë në Serbi nuk është vetëm meritë e Vuçiqit, sipas Peshiq. Ajo e kritikon ashpër opozitën për paaftësi. «Si në sport dhe në çdo ndeshje është e qartë se kush dominon dhe kush drejton lojën. Ai edhe fiton. Në gjashtë vitet e fundit vetëm Vuçiq prodhon lajme dhe ngjarje dhe prej tij pritet se çka do të ndodhë me Serbinë, madje deri aty se kur dhe kush do të vendoset në funksione përkatëse».

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Sistemi Vuçiq, shkruan Peshiq, funksionon me paralajmërimin e zhvillimeve të mëdha, fjalimeve të mëdha, vendimeve të mëdha, mbledhjeve të mëdha, të cilat zakonisht nuk mbahen kurrë ose shtyhen vazhdimisht me qëllim që populli të lihet i hutuar dhe në pritje. «Kur erdhi në pushtet Vuçiq filloi të qeverisë stuhishëm. Arrestoi oligarkun Mirosllav Mishkoviq dhe themeloi komisione për luftë kundër korrupsionit, të cilat u shpërbënë shpejt dhe nuk bënë asgjë për ndriçimin e 23 privatizimeve të dyshimta. Por, efekti qe fantastik: me ‘luftën kundër korrupsionit’ ai bleu elektoratin, kur tashmë kishte marrë dy të tretat e oqeanit elektoral radikal. Brenda më pak se një viti në pushtet nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit, me të cilën u pranua ekzistenca reale e shtetit kosovar dhe me këtë ai bleu Perëndimin, veçanërisht Gjermaninë si fuqinë kryesore europiane».

Ndarja e detyrave në pushtetin e Vuçiqit është e qartë: për të shkaktuar tensione janë përgjegjës ministri i Mbrojtjes, ai i Jashtëm dhe provokatorë të tjerë, ndërsa Vuçiq, pasi i ndërsen, hiqet si faktor stabiliteti dhe paqeje – dhe për këtë, sipas Peshiq, ai gati ka marrë mirënjohje botërore. «Ka vendosur sistemin e ri – stabilokracinë – për të cilën para Vuçiqit nuk patëm dëgjuar. Shkencat politike do të merren me këtë risi».

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Ka një vit që Vuçiq në Serbi ka nisur një «dialog të brendshëm» për Kosovën. Kur e nisi këtë dialog, ai tha se ka qëndrim për Kosovën, por do ta thotë në fund, pasi të kenë folur të tjerët. Paralajmëroi se do të flasë në prill, në maj, në qershor – ose «ndoshta kurrë», nënvizon Vesna Peshiq, e cila beson se Vuçiq po e ruan pushtetin duke pritur. «Problemi është se Vuçiqi nuk e di si ta ruajë pushtetin nëse nuk shkëput së paku një copëz të tokës kosovare. Por, atë nuk po ia japin». Sipas Vesna Peshiqit dashuria e vjetër e Vuçiqit është që një ditë të bukur Serbia të përfshijë brenda kufijve të saj Kosovën veriore dhe Republikën e serbëve të Bosnjës. «Nëse edhe këtë fillojmë ta presim, koha do ta mbijetojë edhe atë (Vuçiqin). Pastaj dikush mbetet gjallë, dikush vdes», përfundon Vesna Peshiq.
E.R.