«Prej cilit yll kemi rënë…»

Lou Andreas-Salomé ishte njëra prej grave më të bujshme të historisë së re: e lindur në një familje ruso-gjermane ajo këputi shumë zemra të intelektualëve të njohur. Filozofi Friedrich Nietzsche dëshironte të martohej me të, psikologu Sigmund Freud e adhuronte pafundësisht – po aq sa poeti Rainer-Maria Rilke. Kush ishte «femra fatale» Lou Andreas-Salomé?

Rainer-Maria Rilke dhe Lou Andreas-Salomé.



Më 24 prill 1882 ata do të takoheshin për herë të parë. Filozofi Friedrich Nietzsche ishte 36-vjeçar, ajo ende 21-vjeçare. Ajo ishte një vajzë gjenerali nga Shën Peterburgu i Rusisë dhe rridhte nga një familje ruso-gjermane. Emri i saj: Lou Andreas-Salomé. Pasi mendohet gjatë Nietzsche i drejtohet asaj me këto fjalë: «Prej cilit yll kemi rënë këtu te njëri-tjetri?» Lou Andreas-Salomé e injoron filozofin, asgjë nuk i bën përshtypje. Në një letër dërguar një shërbëtori Nietzsche shkruan: «Lou është e mprehtë si shqiponjë dhe e guximshme si luaneshë…». Por, asgjë nuk bën punë, Lou e hedh poshtë lutjen e Nietzsches për t’u martuar. Një kërkesë të ngjashme asaj ia kishte bërë edhe Paul Rée, mik i Nietzsches dhe po ashtu filozof. Edhe këtë kërkesë ajo e refuzoi. Kureshtjen e saj e zgjonte gjithçka tjetër përveç seksit. Ajo fliste rusisht, gjermanisht dhe frëngjisht; ajo studioi religjionet, logjikën, metafizikën, arkeologjinë dhe historinë. Dijetarë në mbarë Europën ishin të fascinuar me të. Të gjithë i vardiseshin, të gjithë bënin skena dhembshurie para saj, por Lou tregohej e pashpirt, e painteresuar, mospërfillëse. Ajo s’dëshironte as seks, as të martohet, ndoshta besonte në një fjali që shumë vite më vonë do ta shkruajë poeti gjerman Gottfried Benn: «Martesa është një institucion për paralizimin e epshit seksual».

Ndonëse nuk është e interesuar të bëjë seks – as me Friedrich Nietzschen, as me Paul Rée -, megjithatë Lou Andreas-Salomé i pëlqen të shoqërohet me të dy filozofët. Në verën e vitit 1882 ata udhëtojnë së bashku në Luzern, një qytet me natyrë ëndrrash në Zvicrën qendrore. Para Përmendores së Luanit Nietzsche e lut sërish Lou Andreas-Salomé të martohen – dhe ajo prapë thotë jo! Këtu, në Luzern, shkrepet një foto legjendare. Lou me kamxhik në dorë, ndërsa Nietzsche dhe Rée qëndrojnë para një qerreje, duke pozuar pranë bigës sikur të ishin mëzet apo kuaj. Pasi e refuzoi dy herë Nietzschen, pasi i tha se nuk ka as seks, as martesë, filozofi i dha fund miqësisë me Lou. Nietzsche, i dëshpëruar pse nuk arriti t’ia pushtojë zemrën, u tregua hakmarrës. Në një letër dërguar vëllait të filozofit Paul Rée, Nietzsche shkruante për Lou: «Kjo majmune e ligë, e ndotur, duhmëlëshuese me gjinj të falsifikuar – një fatkeqësi!»

Jeta e Lou Andreas-Salomé është gjerësisht e dokumentuar. Në tri dekadat e fundit janë botuar së paku 16 biografi për të. Por biografia më përmbajtësore dhe më interesante është botuar në vitin 2010 nga Kerstin Decker, gazetare e të përditshmes majtiste nga Berlini, «tageszeitung». Lou u lind më 12 shkurt 1861 dhe mbetet njëra ndër gratë më jokonvencionale të historisë së njerëzimit. Nietzsche e quante «motër nga truri». Pas shumë lutjeve ajo u martua në vitin 1887 me orientalistin Friedrich Carl Andreas. Por me një kusht: që kurrë të mos flejë në një shtrat me të. Burri shpesh shëtitej cullak në shtëpi dhe ky ishte intimiteti i vetëm që ndanin ata, me gjasë. Në ditarin e saj Lou e përshkruante burrin e saj si plakush: «plakushi vuan», «me plakushin ngjita perdet», «plakushi kujdeset për ngrohjen dhe zien», «plakushi ka grip». Kështu ecin ditë e muaj e vite.

Më 1897 Lou shkoi në München, ku gjatë një ndeje i prezantohet një djalë, ende 21-vjeçar, që atëbotë quhej René, por ajo insiston që ai ta ndryshojë emrin në Rainer – dhe në historinë e letërsisë ky person do të njihet me emrin Rainer-Maria Rilke. Ende pa u njohur Rilke i kishte dërguar asaj letra e poezi anonime. Tani ai u bë dashnori i saj i parë! Rilke e kalon kohën në banesën e Lou në Berlin. Burri i saj Friedrich Carl Andreas është i njoftuar për gjithçka. Lou dhe Rilke vizitojnë dy herë Rusinë, takojnë Tolstoin. Në janar 1901 ajo shkruan: «Që R. të largohet, të largohet krejt, unë jam e gatshme të bëhem brutale. (Ai duhet të largohet)». Në shkurt ajo i jep fund lidhjes me Rilken. Poeti, i njohur për labilitetin e tij, shkruan: «Ti ishe humnera, e cila më përpiu». Intelektuali i radhës, me të cilin do të njoftohej Lou, ishte psikologu Sigmund Freud. Edhe ky e adhuronte pafundësisht këtë femër fatale nga Shën Peterburgu. Freud e kishte quajtur Lou Andreas-Salomé «një grua me mençuri të rrezikshme». Në vitet 1930-të Lou jetonte në Göttingen të Gjermanisë, i cili dominohej nga nazistët; Lou nuk fliste me ta, bënte një jetë të tërhequr, iu nënshtrua një operacioni pas diagnostifikimit të kancerit në gji, në vitin 1937 vdiq, pastaj nazistët konfiskuan bibliotekën e saj. «Unë përherë jam besnike ndaj kujtimeve, por kurrë ndaj njerëzve», kishte thënë ajo, duke përshkruar jetën e saj.