Prehje mes peshqve

Mes traditave, civilizimeve dhe kulturave: Një bredhje reflektuese dhe retrospektive mes Anadollit të vetmuar dhe Stambollit qejfli.

Pamje nga Shanliurfa. Foto: Shutterstock



Një qetësi frikësuese kishte përthekuar qytetin. Një qetësi që udhëtari e gjen mbase vetëm në Shanliurfa, në Turqi, jo larg kufirit me Sirinë. Tradita e fesë islame thotë se këtu u lind profeti Ibrahim, i cili para se njerëzit të besonin në judaizëm, në krishterizëm dhe në islam kishte kuptuar se ekziston vetëm Një Zot. Pasardhës të Ibrahimit janë hebrenjtë (përmes birit të tij Isakut) dhe arabët (përmes birit të tij Ismailit). Rrjedhimisht Shanliurfa renditet si qyteti i pestë i fesë islame për nga rëndësia.

Qetësia këtu gjendet afër një pellgu të mbushur plot e përplot me peshq, madje aq i madh është numri i tyre, saqë nganjëherë njeriu s’e sheh dot as ujin. Është e ndaluar të peshkohet në këtë pellg. Peshqit e Shanliurfës janë të shenjtë dhe të paprekshëm. Legjenda thotë se profeti Ibrahim, i cili ishte dënuar të digjej në turrën e druve, e kishte shpëtuar veten duke e shndërruar zjarrin në ujë dhe prushin në peshq. Sa është i shenjtë për myslimanët qyteti i Shanliurfës po aq i shenjtë është edhe për besimtarë të feve të tjera monoteiste.

Pamja e Krishtit nga Edesa, siç quhej Shanliurfa në kohërat antike, mendohet të jetë ikona e parë e krishterë. Në çdo hap, edhe sot, vërehet ndikimi i kulturave dhe etnive të ndryshme; në Urfa ende gjenden herë gjurmë të gjalla herë të zbehta të pranisë së arabëve, kurdëve, armenëve. Ato vende që kanë pasur afër ujin prore kanë qenë troje të pëlleshme për shumë kultura. Damarët e Turqisë juglindore janë Tigri dhe Eufrati, dy lumenjtë më të gjatë dhe më të rëndësishëm të botës turko-arabe, të asaj që historikisht quhet Azia e Vogël.

Dervishët nga Konia

Jashar Kemali, njëri prej autorëve më të njohur të Turqisë, i cili pjesën më të madhe të veprës së tij ia ka kushtuar jetës në fshat dhe magjisë së trevave barishtore dhe shkëmbore, shkruan: «Anadolli është një gadishull; kontributin e tyre për pasurimin e fjalorit e kanë dhënë edhe detarët. Historia mbresëlënëse e Anadollit është e karakterizuar prej civilizimeve të mëdha, prej sumerëve, asirianëve, grekëve… Kësaj duhet shtuar shtresat kulturore dhe religjioze të shamanizmit, të islamit dhe të judaizmit. Nga Anadolli e ka origjinën edhe (dishepulli më i rëndësishëm i Jezusit, v.j.) Shën Pali, po ashtu kisha e parë e krishterë u themelua në Anadoll».

Një anadollak tjetër është Xhelal al-din Rumi, i quajtur «Mavlana», mjeshtër, i cili jetoi në shekullin e 13-të. Pasi ishte larguar nga Afganistani, Rumi ligjëroi teologji në një shkollë në qytetin Konia (latinisht Ikonium), që gjendet në Turqinë e sotme qendrore. Në Konia Rumi u njoftua me një dervish të çuditshëm, i cili i tregoi atij shtegun drejt misticizmit, Zotit dhe njeriut. I inspiruar nga ky udhëtim mendor Rumi shkroi dyzetmijë strofë dyvargëshe mbi ndjeshmëritë e tij. Pas Kuranit dhe hadiseve (rrëfimeve të profetit) vargjet e Rumit konsiderohen si vepra më e rëndësishme e fesë islame.

Mavlana lavdëronte muzikën dhe vallëzimin si medium drejt dashurisë hyjnore, një dashuri që edhe sot demonstrohet përmes dervishëve vallëzues. Vallja e tyre e bart valltarin në tri sfera: në sferën e parë ai e dallon Zotin, në të dytën e sheh, në të tretën bashkohet me të.

Konia është çelësi për njohjen e historisë së turqve, të cilët, duke qenë fise nomade, nga Azia qendrore u vendosën në fushat e Anadollit, ku përqafuan fenë islame dhe themeluan perandoritë e selxhukëve. Njëri prej udhëheqësve të tyre ishte Osmani, prej të cilit rrjedh edhe emri «Perandoria Osmane». Versioni arab i emrit të tij ishte Uthman, prej nga buron emri «otoman». Prandaj edhe sot në literaturë gjejmë shënime për Perandorinë Otomane.

Peshqit dhe dervishët janë pjesë e rëndësishme e historisë së hershme të Azisë së Vogël. Po aq të vlefshëm janë edhe qilimat. Në të kaluarën ata ishin simbol pasurie dhe statusi shoqëror. Kalifi legjendar Harun al-Rashidi nga dinastia e abasidëve kishte 22 mijë qilima. Cari rus Pjetri i Madh kishte një qilim me njëqind-e-njëzet-e-dy nyje për çdo centimetër katrorë.

«Në shehër»

Me pushtimin e Konstantinopojës më 1453 nga ana e Sulltan Mehmetit u jetësua një parashikim i profetit Muhamed, i cili kishte thënë se një ditë flamuri i islamit do të valëvitej edhe mbi kryeqytetin madhështor të Perandorisë Bizantine. «Betejat mbi det janë më të rrezikshme dhe më të ashpra se ato mbi tokë, sepse në det nuk ka as zmbrapsje, as ikje, ekziston vetëm shtegu për të luftuar dhe për t’i besuar nafakës, dhe secili burrë duhet të tregojë trimërinë e tij», shkruante kronisti francez Jean Froissart në shekullin e ‘14.

Në prill të vitit 1453 Sulltan Mehmeti dërgoi ushtrinë e tij pranë mureve të Konstantinopojës. Rezistenca e shtatë mijë mbrojtësve bizantinë zgjati shtatë javë. Pas sulmeve nga toka, uji dhe përmes kanaleve nëntokësore qyteti ra në duart e Mehmetit. Më 29 maj 1453, rreth orës dy të natës, në Konstantinopojë hynë ushtarët e parë osmanë. Asnjë perandori e krishterë nuk i kishte ndihmuar Bizantit. Papa Gregori i VII-të kishte thënë: «Shumë më mirë është që një vend të mbetet nën sundimin e islamit se sa të qeveriset nga të krishterët, të cilët nuk janë të gatshëm të pranojnë autoritetin e Kishës Katolike».

Konstantinopoja u pushtua aq lehtë edhe për shkak të mosmarrëveshjeve dhe konflikteve mes të krishterëve. Osmanët ia ndryshuan emrin. Tani e tutje Konstantinopoja u quajt Istanbul (shqip: Stamboll), mbështetur në shprehjen greke eis then polin, «në shehër».

Porcelani dhe epshi

Madhështia e Stambollit dhe fuqia e Perandorisë Osmane bazohen në sundimin e Sulltan Sylejmanit. Ai ndikoi që të vazhdojë lulëzimi i këtij qyteti. Xhamia e tij, Sylejmania, është më e madhja e Stambollit dhe më e përkryera në aspektin arkitektonik. U ndërtua nga arkitekti gjenial Mimar Sinani, për të cilin turqit thonë se ka qenë turk, grekët thonë se ka qenë grek, shqiptarët thonë se ka qenë shqiptar. Sulltan Sylejmani e hapi qytetin për të huajt: për hebrenj (sefardi) të përndjekur nga Spanja e krishterë, të krishterë nga vende të ndryshme, tregtarë nga Gjenova, Venediku dhe Raguza (Dubrovniku i mëvonshëm). Menjëherë pas pushtimit të Stambollit këtu filloi ndërtimi i sarajeve të Topkapisë (turqisht: Topkapı Sarayı), të cilat për shumë shekuj do të jenë seli qeveritare dhe vendbanim i sulltanëve. Kuzhinat e famshme në Topkapi janë po ashtu vepër e Sinanit. Në ditët e zakonshme këtu zihej ushqim për pesë mijë njerëz, gjatë gostive për pesëmbëdhjetëmijë!

Sulltanëve u servohej ushqimi në porcelan nga Kina. Një tregtar turk, i cili në kohën e sundimit të Sylejmanit kishte udhëtuar nëpër Kinë, pas kthimit kishte raportuar se «kush ha ushqim prej këtyre enëve i shtohet kënaqësia në jetë». Me fjalë të tjera: i ndizet epshi seksual. Dhe ky epsh shuhej në haremin e famshëm të pallatit Topkapi. Ligji i lejonte Sulltanit shtatë gra legjitime dhe odalike të panumërta. (Nga turqishtja: odalik dmth. dhomë, këtu fjala odalike e ka kuptimin e shërbëtores në harem).

Gjatë qeverisjes së Sylejmanit në haremin e sarajeve Topkapi jetonin rreth njëqind femra, të cilat mbikëqyreshin prej dyzet zezakëve eunukë (burra të tredhur që ruanin gratë e haremit). Haremi nuk ishte vetëm oazë e kënaqësisë. Aty inskenoheshin konflikte dhe thureshin intriga, bëheshin pazare dhe vrasje. Vajzat e Sulltanit nuk guxonin të lindin djem, sepse trashëgimtari i fronit duhej patjetër të vinte përmes vijës atërore. Kur një vajzë e Sulltanit lindte djalë, atij nuk i lidhej kërthiza dhe ai vdiste.

Për dallim prej sulltanëve të tjerë Sylejmani shquhet për modestinë e tij. Sulltan Murati i III-të, për shembull, ndonëse ishte besimtar i madh dhe vuante nga epilepsia, kishte 102 fëmijë dhe kishte urdhëruar varjen e pesë vëllezërve të tij. Sulltan Mehmeti III-të ngjashëm kishte vepruar me 17 vëllezërit e tij.

Jeta në luks të tepërt, brutaliteti i sundimit, paaftësia për qeverisjen e territoreve të pushtuara dhe mungesa e reformave e çuan Perandorinë Osmane drejt shkatërrimit. Në Ambasadën e Britanisë, e cila në nëntor 1922 i kishte ndihmuar Sulltanit të fundit Mehmetit të VI-të që me një anije luftarake britanike të largohej nga Turqia drejt Italisë, atëbotë kishte ardhur ky telegram: «Cirku i New Yorkut u ofron punë ish-grave të Sulltanit. Ju lutemi na njoftoni kush mund t’i sigurojë ato».

Në ato ditë dramatike pushtetin në Turqi po e merrte Mustafa Kemali, i cili më vonë do të quhej Ataturk, babai i turqve, themeluesi i Turqisë moderne. «Në këtë luftë ka pasur aq shumë ngjarje saqë as kalemi s’mund t’i përshkruajë dhe as gjuha t’i rrëfejë», kishte shkruar që në shekullin e ‘15 kronisti osman Neshri. Rrëfimi për Perandorinë Osmane është i pafundmë. Ky tekst është vetëm një rruazë nga tespihet e gjata otomane.