Predrag Matvejeviq – njeriu i mirë me shumë identitete

Më 1974 kërkoi dorëheqjen e Titos, luftoi për të drejtat e shqiptarëve, shkroi për Mesdheun, ligjëroi në Romë e Paris dhe ishte intelektual i kalibrit europian. Në Zagreb ka vdekur në moshën 84-vjeçare Predrag Matvejeviqi.

I pakompromis në luftën e tij kundër racizmit, shovinizmit, nacionalizmit, fashizmit: Predrag Matvejeviq.



Tallazet e historisë e bartën Predrag Matvejeviqin gjithandej nëpër botën ballkanike dhe perëndimore. Ai u lind në vitin 1932 në Mostar të Bosnjë-Hercegovinës. Për të atin e tij thoshte se për nga kultura ishte rus, për nga nacionaliteti ukrainas, për nga feja i krishterë, për nga mentaliteti kozmopolit. Fundja, qyteti i tij i lindjes ishte Odesa. E ëma e tij ishte kroate. Matvejeviq studioi romanistikë në Sarajevë dhe Zagreb, doktoroi në Universitetin e famshëm të Sorbonnës. Në Fakultetin Filozofik të Zagrebit ligjëroi letërsinë franceze. Në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë u angazhua politikisht: jo për shkak se kishte ambicie politike, por si intelektual e shihte si detyrë të tij shoqërore të përballet me demonët e nacionalizmit dhe të apelojë për zgjidhje paqësore të konflikteve që shiheshin në horizont. Si shumë intelektualë të tjerë liberalë të Ballkanit të asaj kohe edhe Matvjeviq u dorëzua i dëshpëruar dhe u largua nga Kroacia. Nga viti 1991 deri më 1994 ligjëroi letërsi komparative në Sorbonne nouvelle, ndërsa nga viti 1994 ishte profesor i rregullt i sllavistikës në La Sapienza të Romës.

Kureshtja e tij intelektuale u shqua që në vitet ’60 të shekullit të kaluar kur botoi një monografi mbi Jean Paul Sartrin, ndërsa më 1969 publikoi «Bisedat me Kërlezhën». Më 1974 i dërgoi një letër Josip Broz Titos. Nuk ishte një letër e rëndomtë: intelektuali brilant i kërkonte shefit të shtetit, mareshalit të gjithëfuqishëm, jo më pak se dorëheqjen. Vite më vonë, në një kafehane të Zagrebit, Matvejeviq tregonte: «Mendoja se Kushtetuta e vitit 1974 ishte një hap i duhur drejt demokratizimit të Jugosllavisë. Zhvillim pozitiv ishte autonomia e zgjeruar e Kosovës dhe Vojvodinës. Për të përparuar më shumë drejt demokracisë isha i bindur se duhej një ndryshim në krye të shtetit». Ishin përhapur atëbotë fjalë se pas letrës dërguar Titos, Matvejeviqin e kishin internuar në çmendinë.

E kundërta ndodhi: një ditë postieri solli një letër nga selia e mareshalit Tito në Beograd. Aty shkurt shkruante se Tito e kishte lexuar letrën. Më vonë Dushan Dragosavac, ish-funksionar i lartë i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, kishte treguar se pas letrës Tito kishte mbledhur udhëheqjen politike të Kroacisë në vilën Weiss në Zagreb, ku kërkoi mendimin e tyre rreth dorëheqjes. Shkrimtari Miroslav Kërlezha kishte paralajmëruar se dorëheqja do të ishte budallallëk, sepse Tito nuk kishte pasardhës dhe pa të vendi do të shkatërrohej. Matvejeviq i qëndroi besnik shkrimit të letrave të hapura. Në vitet ’80 botoi librin «Letra të hapura – ushtrime morale», ndërsa më 1990 i kërkoi publikisht Slobodan Millosheviqit që të bëjë vetëvrasje, sepse vetëm ashtu do ta shpëtonte veten.

Asnjë letër, asnjë libër e Matvejeviqit nuk bëri aq shumë jehonë sa «Meshari mesdhetar», një përmbledhje esesh për detin mbase më të rëndësishëm të botës. Parathënien e librit e shkroi shkrimtari i njohur italian Claudio Magris (kryevepra e tij «Danubi» sapo është botuar në shqip). Vetëm në Itali libri u shit 300 mijë herë. Matvejeviq ishte nënkryetar i përjetshëm nderi i PEN-Qendrës Ndërkombëtare, doktor nderi i Universiteteve në Trieste, Perpignan, Gjenovë, Mostar – dhe qytetar nderi i Sarajevës. Shkrimtari i famshëm Umberto Eco ishte ndër iniciatorët e propozimit të rreth 60 intelektualëve italianë që Predrag Matvejeviqit t’i jepet Çmimi Nobel për Letërsi.

Ai ishte i pakompromis në luftën e tij kundër racizmit, shovinizmit, nacionalizmit, fashizmit. Në vitin 2005 Gjykata Komunale e Zagrebit e dënoi me pesë muaj burg me kusht për shkak të fyerjes së shkrimtarit kroat nga Sarajeva Mile Peshorda, të cilin e kishte quajtur «taliban». Peshorda dhe shokët e tij shkrimtarë nga ish-Jugosllavia përhapin urrejtje, nënvizonte Matvejeviq. Pas shpalljes së dënimit Matvejeviq tha se nuk do të ankohej, sepse kështu do të vlerësonte vendimin absurd: «Edhe më tutje mendoj ashtu siç kam shkruar, andaj menjëherë le të më dërgojnë në burg».

Matvejeviq mbante kontakte të rregullta me mediat zvicerane. Për gazetat «Neue Zürcher Zeitung» dhe «Tages Anzeiger» ka shkruar disa ese mbi Ballkanin, luftërat e fundit, Mesdheun. Në shtëpinë botuese Ammann më 1993 doli në gjermanisht «Meshari mesdhetar». Në prezantimin e autorit dhe të librit shtëpia botuese nënvizon: «Predrag Matvejeviq është një njeri që dashuron, një këngëtar, i cili objektin e tij e ka provuar, hulumtuar, parë dhe përjetuar, andaj i tillë na vjen edhe libri i tij: një rrëfim me pasion për dijen ekzakte dhe arkaike, fjalët e rralla dhe veprat e mëdha historike, filozofike dhe letrare, burim inspirimi i të cilave ishte pikërisht ky det dhe hapësira e tij. Para lexuesit krijohen <historia dhe hapësira> (Fernand Braudel): Matvejeviqi i këndon këtij <kompleksi të detit> me përkushtim dhe me kujtimin e një njeriu që dashuron, me gjendjen e esëllt të shkencëtarit. Në tre kapituj të gjatë Matvejeviq i afrohet objektit të tij nga çdo këndvështrim. Së pari <Meshari>, i cili është shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, madje muzikale-letrare përmbledh temat e veçanta: qytetet, portet, ishujt, valët, erërat, tallazet, bregdetet, gjinjtë detarë, ngushticat detare, gjuhët, lundrimet, peshkimin, lumenjtë, popujt, betejat detare dhe shumëçka tjetër. Pastaj <hartat>, një kapitull i cili e mat në mënyrë shkencore dhe analitike imagjinatën gjeografike të kësaj hapësire. Dhe së treti <fjalorthi>, i cili i qaset sërish temave dhe komenton, prezanton burime dhe bën me dije referenca. Por në fund përparësi ka këngëtari para arkivistit dhe shkencëtarit, duke na kujtuar se në tërë librin na ka raportuar për <Mesdheun> e tij, të tijin dhe tonin».

Gjatë një ligjërate të mbajtur në Institutin e Europës në Universitetin e Zürichut në vitin 2003 Matvejeviq fliste me entuziazëm për Mesdheun si djep të civilizimit tonë, si vend ku lindi polisi, demokracia, të drejtat e njeriut, shkencat, dialektika. Mesdheu është hapësirë e përshtatshme për projektimin e ëndrrave, për kultivimin e nostalgjisë dhe utopive. Por Matvejeviq nuk ishte naiv. Mesdheu për të ishte një hapësirë e përçarë – nga pabarazia, nga luftërat në Ballkan dhe Liban, ngatërresat në Qipro, konfliktet në Palestinë dhe Algjeri. Çfarë ka ndryshuar nga viti 2003? Ndërkohë Mesdheu është bërë një varr masiv, një hendek me kufoma kryesisht të afrikanëve në kërkim të një jete më të mirë. Megjithatë, për Matvejeviqin shpresa s’vdiste kurrë. Mesdheu i tij një ditë mund të jetë çfarë në thelb duhet të jetë: një hapësirë kujtimi për të kaluarën e përbashkët dhe një shans për afrim mes popujve. Në vitin 1997 gazetari zviceran Paul L. Walser e kishte pyetur Matvejeviqin në një kafehane të zhurmshme të Romës se çfarë domethënie ka për të Mesdheu. Kjo është përgjigjja e tij: «Një botë e të qenmit dhe jo e pasjes, një identitet në shumës, origjina e bukës sonë dhe një mall i madh, shumë i madh për atdhe». Ky besim e kishte shtyrë Predrag Matvejeviqin që gjatë luftës së Kosovës të shkonte në jug të Italisë për të shkruar për refugjatët që vinin nga Kosova.

Por, siç u tha, Matvejeviq nuk ishte naiv. Në librin e tij me titullin paksa monoton «Ish-Bota» ai shkruan: «Utopia madhështore e socializmit, e lindur në zemrën e Europës perëndimore dhe e mbjellë me nguti në Lindje, ka shkaktuar më shumë se një falimentim, sepse vlerat, të cilat kanë çuar te kjo utopi, janë diskredituar njëkohësisht. Ideja e emancipimit po zhduket në horizont. Këto nuk janë vetëm shenja të ndryshimit të gjendjes, jo, një botë e tërë në të gjitha aspektet po bëhet ish-botë». Skeptik ndaj çdo theksimi të tepërt të nacionales, Matvejeviq citonte shkrimtarin kroat Antun Gustav Matosh, i cili kishte thënë: «Arti ynë do të jetë kombëtar tek atëherë kur do të bëhet europian». – Të enjten Predrag Matvejeviq vdiq në moshën 84-vjeçare në Zagreb.