«Pranvera e Pragës» – një porosi për Çekinë e Kosovën

Pamje të kryeqytetit çek gjatë invadimit rus në të 68-ën, në ekspozitën e Ambasadës Çeke në Prishtinë, të cilat kosovarëve do t’u duken të afërta me pamjet e të 90-ve të vendit të tyre në përballje me okupimin serb, nuk janë vetëm përkujtim i ngjarjeve të hidhura, por edhe alarm se kah do të mbajnë dy shoqëritë - kosovare e çeke, në sfidat e përbashkëta të kohës së sotme.

Pamje nga ekspozita e Ambasadës Çeke në Prishtinë me rastin e 50-vjetorit të Pranverës së Pragës. Foto: Ridvan Slivova



Dy fotografi pranë njëra tjetrës, njëra bardhë-zi, tjetra me ngjyra. Në të parën, disa të rinj kanë shpalosur një flamur me njolla. Nga historia e dimë se ato janë njolla gjaku. Paralel me të është fotografia me ngjyra e aktores kosovare, Arta Dobroshi, e cila kërcen lart.

Kështu në çift janë vënë shumë fotografi në ekspozitën «Prague 68», të hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, në 50-vjetorin e «Pranverës së Pragës». Të parat, krijime të fotografit e disidentit çek Oldřich Škácha, paraqesin pamje të okupimit të Çekosllovakisë së atëhershme nga Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij pas një periudhe të liberalizimit, e cila e kishte përfshirë këtë vend. Kosovarëve ato do t’u duken shumë të afërta, thua se janë ata vetë në to nga përvojat e tyre në ballafaqim me okupimin serb gjatë viteve të 90-a. Të dytat, fotografi të aktores së njohur kosovare, e cila hidhet lart në ambiente të ndryshme e me persona të ndryshëm, sugjerojnë një të ardhme në liri. Të dyja vendet, Çekia e Kosova, kanë histori të ngjashme pas Luftës së Dytë Botërore, meqë të dyja mbeten nën bllokun komunist.

Në vitin 1948 Çekosllovakia, e afërt me Perëndimin dhe me traditën më të gjatë demokratike në Europën lindore, edhe formalisht u bë anëtare e bllokut sovjetik, me kombinimin e fitores në zgjedhje të Partisë Komuniste dhe dhunës ndaj politikanëve jokomunistë. Ndër ato vrasje, vrragë më të rënda në kujtesën e popullit do të lërë ajo e shefit me ndikim të diplomacisë Jan Masaryk, bir i kryetarit të parë të Republikës Çeke, Tomáš Masaryk.

Okupimi i 68-ës

Por, okupimi i 48-ës nuk ishte i vetmi. Destalinizimin, i cili në fund të viteve pesëdhjetë e fillim të gjashtëdhjetave të shekullit XX përfshiu edhe BRSS-në dhe tërë bllokun sovjetik, Çekosllovakia e ka nisur e fundit. Kursi autokratik i dogmatizmit komunist, të cilin e personifikonte shefi i parë i shtetit dhe i partisë, Antonín Novotný, ka përjetuar fundin në plenumin e janarit të vitit 1968, kur lider i partisë zgjidhet Alexander Dubček, një politikan i adhuruar.

Shoqëria e robëruar politikisht dhe e rrënuar ekonomikisht me plot shpresë e elan po zgjohej nga stagnimi njëzetvjeçar, përçmimi e apatia kolektive, ndërsa pjesa reformatore e partisë, në krye me Dubčekun e udhëhiqte këtë proces historik. Demokratizimi i jetës publike, i filluar në janar të vitit 1968 ka arritur zenitin në Plenumin e prillit, kur është miratuar «Programi aksional» i PKÇ-së, një udhërrëfyes i synimeve reformiste të udhëheqjes së Dubčekut. Kursi i ri ka fituar mbështetje plebishitare të qytetarëve dhe për kohë të shkurtër ka sjellë shkallë të lirisë e demokracisë të panjohura në cilin do qoftë vend socialist.

Megjithatë, natën ndërmjet 20 e 21 gushtit, trupat sovjetike, të ndihmuara nga ushtritë e vendeve tjera anëtare të bllokut, të ballafaquara me rezistencën pasive të qytetarëve të zemëruar, shpejt kanë depërtuar deri në Pragë, kanë rrëmbyer liderët çekosllovakë në krye me Dubčekun dhe i kanë dërguar bë territorin e BRSS-së, ku u janë nënshtruar torturave.

Fotot e ekspozuara tash, sjellin dëshminë e tij pamore të dokumentuara, me fotoaparatin e tij, në ditën e parë të intervenimit ushtarak sovjetik në Pragë, në vendet e ngjarjeve ku çekosllovakët paqësor të shtangur vdisnin në Sheshin Wenceslav, atë të Qytetit të Vjetër dhe në selinë e Radio Çekosllovakisë.

Fjalimi tronditës i Dubčekut drejtuar kombit nga Moska, në të cilin, ndërsa derdhte lot, u shpjegonte bashkëkombësve se okupimi duhet të pranohet dhe jetët njerëzore të ruhen, me dramatikën e tij ka shënuar gjenerata të tëra. Për më pak se gjysmë viti, studenti Jan Palach, për shkak të ndjenjës së turpit dhe të pafuqisë para tankeve sovjetike në rrugët e Pragës, do të vetëdigjet. Propaganda ruse, në frymën e Sputnikut të sotshëm, atëherë ka shkruar për të si agjent i huaj. Ngjarjet e bujshme të gushtit në Çekosllovaki me traumat e tyre do të përfshijnë jo vetëm vendin e okupuar, por edhe Europën e botën, duke i kontribuar delegjitimimit të socializmit autoritar dhe rënies së Murit të Berlinit dy decenie më vonë.

Sfidat e reja

Në medie është shtruar pyetja se si është e mundur që Çekia, në 70-vjetorin e okupimit të parë, përkatësisht 50-vjetorin e të dytit, i cili është bërë me ndihmën e 100 mijë tankeve, të zgjedhë në zgjedhje të lira kandidatin e adhuruar të Kremlinit. Në janar të këtij vit, në zgjedhje janë ballafaquar kryetari i deritanishëm, popullisti me orientim prorus Miloš Zeman (i njohur edhe për deklaratat kundër Kosovës të shoqëruara me shlivovicë serbe), dhe ish-kryetari i akademisë së shkencave, Jirži Drahoš. Zgjedhjet janë vlerësuar si ndeshje e forcave proruse, ksenofobike e kundër emingrantëve dhe pjesës liberale e proevropiane të shoqërisë çeke. Fushata brutale e lajmeve të rrejshme, e bërë nga – sipas dyshimeve të bazuara – qendrat ruse, e ka akuzuar Drahošin për pedofili, hajni e bashkëpunim me shërbimet sekrete sovjetike, ndonëse të gjitha këto akuza i ka hedhur poshtë Komisioni për Lustracion. Pikë e veçantë e debatit në këto zgjedhje ka qenë emigracioni mysliman, të cilin me retorikë orbaniane, raciste, Zeman ia ka dalë ta imponojë si çështje të rëndësishme të zgjedhjeve. Indikative është se në Çeki kishin arritur vetëm 14 emigrantë, por – siç vëren një analist – kanë fituar stereotipet e ulëta e të pakuptimshme dhe rrjetet shoqërore.

Por, pyetja se kah do t’ia mbajnë, sot për fat të keq, me tendencën e Rusisë që të shtrijë ndikimin e saj në Evropën Lindore e në Ballkan, shtrohet përsëri ndaj të dy shoqërive. Ajo çeke druhet të rrëshqasë në ksenofobi, e mbështetur në regjimin e Putinit. Ajo e Kosovës, me klasën politike të korruptuar po ashtu nuk është mjaft rezistuese ndaj ndikimeve nga lindja – Rusia e Turqia, aq sa personalitete të njohura të botës këshillojnë që të kihet kujdes, sepse madje edhe sovraniteti i shtetit është në rrezik. Ndaj «Pranvera e Pragës» nuk është vetëm përkujtim për ngjarjet e hidhura, por edhe këmbanë alarmi se kah do të mbajnë dy shoqëritë, kosovare e çeke, në sfidat e përbashkëta të kohës së sotme – drejt vlerave evropiane, apo në kursin antihistorik. Ndaj, ngjajnë profetike fjalët e thëna në hapje të ekspozitës, të ambasadorit çek në Kosovë, Ivo Šilhavý: «Kur i pashë këto fotografi, njërën pranë tjetrës, u ndjeva se duhet shkuar përmes një përvoje të dhimbshme, si komb dhe si individ, që të kesh fuqi për të kërcyer mjaftueshëm lart për të kapur fatin në duar tona. Vetëm atëherë mund të vazhdojmë në drejtimin e duhur, me besim dhe dashuri, me gëzim në zemrat tona…Shkurt, Presidenti Václav Havel thoshte: E vërteta dhe dashuria duhet t’i mundin gënjeshtrat dhe urrejtjen! Varet nga ne nëse do të zgjedhim rrugën e duhur dhe të fitojmë»!