Pranimi i Kosovës në UNESCO përfshihet në rend të ditës

Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s ka përfshirë sot në rend të ditës propozimin me rekomandim për pranimin e Kosovës anëtare të kësaj organizate, merr vesh Koha.net.




Në debatin pas miratimit të rendit të ditës, mospajtime rreth vendimit që pranimi i Kosovës në UNESCO të përfshihet në rend të ditës kanë shfaqur përfaqësuesit e Rusisë, të Kinës, të Kubës dhe të Argjentinës.

Për propozimin rreth pranimit të Kosovës në këtë organizatë mund të votohet rreth datës 20 tetor, para përfundimit të mbledhjes së Këshillit Ekzekutiv që do të zgjasë deri më 22 tetor.

Vendimi merret me shumicë votash.
Vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës anëtare të UNESCO-s merret në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s , që mblidhet më 3-18 nëntor.

Konferenca e Përgjithshme përbëhet nga 195 vebnde anëtare dhe 6 të asocuara, ndërsa për pranim duhen dy të tretat e shumicës.

Kërkesën për pranim të Kosovës në UNESCO formalisht e ka parashtruar Shqipëria, ndërsa është përkrahur nga 45 vende, ndër to SHBA, Gjermania, Britania, Franca, Austria, Sllovenia, Irlanda, Holanda, Luksemburgu, Danimarka, Finlanda, Suedia, Turqia si dhe Estonia, Letonia e Lituania. Po ashtu është mbështetur edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Katari, Kuvajti, Bahreini, Belizi, Burkino Faso, Çadi, Kostarika, Bregu i Fildisht, Republika Domenikane, Salvadori, Gaboni, Gambia, Gana, Grenada, Guineja, Haiti, Hiondurasi, Jordania, Lesoto, Omani, Panama, Papua Guineja e Re, Senegali, Somalia , Sudani Jugor, Togo, Tanzania dhe Vanuatu.