Pozita synon shqyrtimin e 9 ligjeve të enjten, opozita thotë se s’do të lejojë

Nëntë projektligje i ka lexuar kryetari Kadri Veseli, që pritet të shqyrtohen në seancën e radhës, që kryesia e Kuvendit e ka vendosur për këtë të enjte. Por, opozita ka treguar se nuk tërhiqet dhe nuk do të lejojë mbajtjen e seancës, deri kur kryeministri Isa Mustafa të tërhiqet nga marrëveshja për Asociacionin dhe ajo e demarkacionit me Malin e Zi, raporton KTV.




Të enjten e 8 tetorit do të kthehen deputetët në Kuvendin e Kosovës, për të provuar vazhdimin e seancës së 17 shatorit.

Por, gjasat që ajo të mbahet janë të vogla.

Jashtë sallës së mbledhjeve të kryesisë, partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK-ja dhe Nisma për Kosovën, u janë drejtuar gazetarëve për të ripërsëritur se nuk ka punime të Kuvendit.

Për këto paralajmërime edhe për një seancë bllokuese, kryetari Kadri Veseli nuk ka dashur të flasë.

Por, kolegu i tij partiak, shefi i grupit parlamentar të PDK-së ka thënë se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë përjetësisht.

Të gjithë kanë obligimet e veta ligjore, ka thënë Adem Grabovci, për të dalë nga kjo situatë.

Kuvendi i Kosovës nuk ka mbajtur asnjë seancë të rregullt për këtë sesion, për shkak se partitë opozitare kanë bllokuar punën, duke kërkuar që të tërhiqen marrëveshjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.