Pozhari: Komuna do të krijojë edhe disa Drejtori




Në fillim të këtij viti, Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar themelimin e drejtorive të reja, me ç’rast disa drejtori patën thënë se po transformohen dhe po krijohen disa drejtori të reja.

 

Xhevdet Pozhari, zëdhënës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se Komuna e Prishtinës do të krijojë Drejtorinë e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave ku drejtor do të jetë Hysen Durmishi, Drejtorinë e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm ku drejtor do të jetë Genc Bashota e edhe disa drejtori të tjera.

Sipas Pozharit, në këtë proces të ndryshimeve, Ardian Gashi dhe Visar Berisha në prill të këtij viti kanë kërkuar të lirohen nga detyra për shkak të angazhimeve të tyre profesionale, raporton TV Arta.

«Nënkryetari Dardan Sejdiu tashmë ka marrë edhe detyrën e Drejtorit të Shërbimeve Publike për të implementuar tri projekte madhore, Transportin Publik, Parkingun dhe Menaxhimin e Mbeturinave”, ka thënë ai për TV Arta.

Pozhari ka theksuar se ditët në vijim do të bëhet edhe tranzicioni në drejtorinë e financave (e ndarë nga drejtoria e Pronës) kur Ismajl Kokaj do të merr përgjegjësitë e drejtorit, transmeton Koha.net.

«Ardian Gashi dhe Visar Berisha do të mbesin si pjesë e ekipit si këshilltarë të jashtëm gjatë mandatit”, ka theksuar zëdhënësi i Komunës së Prishtinës.

Ndërkaq, në kuadër të këtij procesi, në ditët në vijim do të emërohen edhe drejtori i Drejtorisë së Pronës dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë.