Porosia e sinqertë e ish refugjatit kosovar për botën

Në vitin 1999 mijëra kosovarë migruan me detyrim nga shtëpitë e tyre drejt Shqipërisë nga lufta që po zhvillohej në vend. Mikra Krasniqi dhe familja e tij ishin përkrah refugjatëve të shumtë kosovarë. Në një deklarim për «Washington Post» ai tregon se sa mirë e di se ç’është të jesh refugjat, transmeton KTV.




Amerika po i sheh refugjatët si kërcënim dhe jo si viktima. Madje, jo vetëm qytetarët i shohin me sy të tillë. Kandidatja republikane për presidente, Carly Fiorina, tha se “duhet të jemi shumë të kujdesshëm kë po e fusim brenda këtij vendi”. Por, për kosovarin Mikra Krasniqi, që ishte edhe vetë refugjat në Kosovë 16 vjet më parë, refugjati nënkupton krejt tjetër gjë.

«Nuk mund të lëviznim gjatë ditës, sepse ishim të shënjestruar nga snajperë rreth shtëpisë që vrisnin njerëz. Iknim rreth orës 9 të mbrëmjes nga shtëpia në shtëpi. Shkëmbenim gjëra të nevojshme me njëri tjetrin; ushqime bazë, ujë teksa rrymë nuk kishim gjithnjë. Nuk dinim se sa rrezik dhe deri kur ky rrezik do të zgjaste. Gjithçka që dëgjonim ishin bomba, të shtëna rreth qytetit tonë. Një orë e gjysmë më vonë, pashë ca paramilitarë me maska në fytyrë. Dola në rrugë dhe i takova. Ata më thanë që do të më qëllonin nëse afrohem. Gjë të cilën e bëra. Dhe pastaj më kërkuan të eci në rrugë, ku të tjerët s’më shohin. Pastaj filluan të më rrihnin».

Mikra Krasniqi, rrëfimin e tij e vazhdon, duke e treguar edhe rrezikun dhe vështirësitë gjatë rrugës nga Kosova për në Shqipëri. Me të hyrë në Shqipëri, ai tregon për kryeministrin spanjoll, që u kishte dhënë kurajo dhe u kishte ofruar ndihmë familjes së tij dhe të tjerëve.

«Rreth një javë pasi që mbërritëm në kamp, kushëriri im më i ri tha se ka nevojë për mjek ngase nuk po ndihej mirë. Atje e takuam edhe kryeministrin spanjoll që na vizitoi dhe na tha që të bëheshim durimtarë. Ai dukej shumë njeri i besueshëm, na përqafoi mua dhe kushëririn tim dhe ne i shfaqëm mirënjohje. Tha se është këtu që të kujdeset për ne, dhe nuk kishte nevojë të brengoseshim».

Me gjithë këto, Krasniqi ka thënë se konflikti sirian është shumë më shumë kompleks se ai kosovar, duke pasur parasysh se që nga viti 2011, rreth 9 milionë sirianë kanë ikur nga shtëpitë e tyre me fillimin e luftërave atje. Po kështu, ai thotë se kosovarët patën avantazh Shqipërinë, e cila i strehoi kosovarët, gjë të cilën Siria e sirianët nuk e kanë. Krejt në fund, ai porosit evropianët e amerikanët që ta bëjnë të pamundurën për refugjatët sirianë që të ndihen sa më të sigurt dhe të mirëseardhur.