Porosia e gazetës zvicerane për Shaqirin: «Luaj, mos llafos»

Me deklaratën se ndoshta edhe mund të luajë për Kosovën, Xherdan Shaqiri sërish ka ndezur debat në Zvicër. Por gazetat nuk e marrin seriozisht.

Foto: AGIF / Shutterstock.com

Në një bisedë me disa reporterë zviceranë Xherdan Shaqiri ka koketuar me angazhimin e tij si lojtar i Kombëtares së Kosovës. Ai ka thënë se do të mendohej nëse trajneri i Kosovës do te merrte në telefon dhe do t’i ofronte të jetë kapiten. «Luaj, mos llafos» – kjo është porosia drastike e gazetës zvicerane «Blick» pas deklaratës së fundit të Shaqirit. «Pas lojës së zbehtë kundër Shqipërisë dhe pas deklaratave të tij plot inat ai gjendet nën presion. Ai duhet ta përmirësojë edhe më tutje statsitikën e tij (pesë gola dhe katër asistime në tetë ndeshjet e fundit të Kombëtares së Zvicrës). Ai duhet t’i tregojë mbraë Zvicrës se është lojtari prijës në ofensivë. Dhe jo vetëm të flasë për këtë».

«Blick» supozon se pas caktimit të tre kapitenëve të Zvicrës – Stephan Lichtsteiner, Valon Behrami dhe Granit Xhaka – Shaqiri po ndjehet i anashkaluar. Sipas gazetës atij s’po i pëlqen sidomos emërimi i Xhakës në treshen e kapitenëve. Shaqiri luan për Zvicrën nga viti 2010, Xhaka nga viti 2011. Ai ka luajtur 54 herë për Zvicrën, Xhaka 44. Ai ka shënuar 17 gola, Xhaka 5. Këto argumente flasin për Shaqirin si kapiten, i cili tani ndihet i fyer në sedër.

«A duhet të kemi frikë që Shaqiri do t’ia kthejë shpinën Zvicrës? Thuajse jo. Fjalët e tij janë më shumë shprehje e zemërimit dhe e luftës për një pozitë më të mirë në hierarkinë e Kombëtares. Sot Shaqiri duhet të tregojë shkathtësinë e tij. Sepse hierarkitë krijohen jo me fjlaë, por me vepra», shkruan «Blick».

Gazeta «Neue Zürcher Zeitung» shkruan se është pritur që tema se a do të luajë apo jo Shaqiri për Kosovën dhe debatet politike në lidhje me këtë kanë marrë fund për një kohë të caktuar. Duket se Shaqiri nuk arrin ta përmbajë veten, flet më shumë me zemër, duke i dërguar trajnerit këtë mesazh: «Duhet të më bësh kapiten, përndryshe…». Gazeta shkruan se debati se a do të luajë apo jo Shaqiri për Kosovën është «debat fantazmë», sepse nuk ka rregullore që do t’ia lejonte Shaqirit të ndërronte ekipin kombëtar. Shaqiri po flet me ego të lënduar, supozon një gazetë tjetër zvicerane. Sidoqoftë, debati i sërishëm nuk e ka bërë Shaqirin më simpatik në opinion. (-lli)