Popullsia e Kosovës po plaket

Mesatarja prej 3 fëmijëve të lindur nga një grua në vitin 2003, ka rënë në 1,9 fëmijë, një dekadë më vonë.




Kjo statistikë, sipas Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës (ISHPK) dëshmon se popullsia në Kosovë po plaket. Nëse fertiliteti (lindja) do të vazhdojë të pësojë rënie, atëherë numri i të moshuarve do të rritet derisa numri i të rinjve do të zvogëlohet, shkruan sot Koha Ditore.

Në aktivitetin që u mbajt në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, me moton «Qëndrueshmëria dhe gjithëpërfshirja moshore në mjedisin urban», Naim Jerliu, specialist i shëndetit publik, tha se të moshuarit kosovarë me të drejtë ndihen të neglizhuar, sepse nuk janë në fokusin e institucioneve, si në aspektin social ashtu edhe në atë ekonomik.

Sipas tij, shumica e të moshuarve kanë probleme shëndetësore dhe se atyre nuk u mjaftojnë të ardhurat as për blerjen e barnave.

Në Kosovë llogaritet të jenë 7 për qind të popullatës mbi moshën 65-vjeçare. Rreth 128 mijë presona gjenden edhe në evidencën e pensioneve bazike.