Popullizmi vërshon Amerikën e Europën

Votimi tronditës i britanikëve për të dalë nga Bashkimi Europian paraqet krizë ekzistenciale, ekonomike e politike për bllokun që tashmë ishte kërrusur prej barrës së problemeve të deritanishme

Foto: pixinoo / Shutterstock.com

Prej Brukselit deri në Berlin e Washington, krerët e demokracive të botës perëndimore janë zgjuar të premten të tronditur me atë që dikur askush nuk e kishte menduar se do të vinte prej shtetit ishullor në Atlantikun Verior. Më në fund ka shpërthyer kupa e zemërimit popullist kundër rendit të konsoliduar politik.

Britanikët janë rebeluar.

Votimi i tyre tronditës për të dalë nga Bashkimi Europian paraqet krizë ekzistenciale, ekonomike e politike për bllokun që tashmë ishte kërrusur prej barrës së problemeve të deritanishme. Por dalja e Britanisë së Madhe ishte halë në sy, që nuk do të lëndojë vetëm Britaninë. I njëjti boshllëk ndërmjet elitave politike dhe masave popullore ka nisur të shndërrohet në zemërim e përplasje edhe në Austri, Francë, Gjermani dhe tjetërkund gjithandej kontinentit të vjetër – por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Simbolika e kryengritjes transatlantike ishte e fuqishme të premten: Donald Trump, kandidati republikan për president amerikan dhe politikani që mishëron zemërimin, rastisi të qëllonte në Britani.

«Realisht, ata e kthyen vendin në duart e veta», deklaroi Trumpi të premten në mëngjes sa po qëndronte në Skoci, ku po promovonte kurset e tij të golfit. «Kjo është punë e mbarë».

Kur është pyetur se cilat janë vendet me zemërimin më të madh, Trumpi nuk është menduar dy herë: «Në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar. Ka edhe plot vende të tjera. Ky nuk do të jetë i fundit».

Në kohën kur Bashkimi Europian po mundohej të mblidhte forcat e veta pas periudhës me destabilitet politik, dalja e Britanisë me siguri se do të shkaktoj kokëçarje të reja në opinionin publik dhe për rendin ekonomik të botës.

Globalizmi dhe liberalizmi ekonomik kanë nxjerrë fitues dhe humbës – dhe «dalja» me shumicë në referendum e britanikëve në rajonet e ngecura ekonomikisht sugjeron se shumë prej atyre janë lodhur tashmë dhe iu ka ardhur në majë të hundës.

Tani shtrohet pyetja se mos është çarë diga: para mëngjesit të premten, krerët anti-Europë në Francë dhe Holandë po kërkonin referendume të ngjashme për dalje prej Bashkimit Europian.

«Fitore për lirinë!», deklaroi bujshëm liderja e së djathtës ekstreme të Francës, Marine Le Pen, që kishte ndërruar fotografinë e saj në llogarinë virtuale për ta zëvendësuar me flamurin britanik.

Prej fillimit Bashkimi Europian ka qenë projekt i elitave, asi që me kalimin e kohës kishte përparuar pa mandat të qartë të masave. Zbatimi i monedhës së përbashkët ishte vendim kundërthënës në disa vende, përfshirë Gjermaninë. Puna e legjitimitetit demokratik gjithnjë ka vënë në dyshim projektin e bashkimit, meqë shumë prej arritjeve janë shënuar nëpërmjet traktateve që kishin hasur rezistencë të madhe në disa shtete.

Uniteti europian kishte ruajtur popullaritetin, sidomos për shkak të përparimit të pamohueshëm ekonomik e social. Por nën sipërfaqe ende nuk ishin fashitur e mbyllur çarjet që kishin ekzistuar dikur dhe dolën në pah në momentin kur Europa u zhyt në recesion dhe po mundohej të çohej përsëri në këmbë të veta.

Nuk është e qartë nëse mesazhi është përçuar deri te krerët e dy anëve të Atlantikut, ose se cilat ishin leksionet që duhet t’i marrin prej tronditjes britanike.

Mbase demokratët liberalë në Dhomën e Përfaqësuesve, që ishin ulur në sallë të mërkurën mbrëma në Washington, po kanalizonin zemërimin popullist të së majtës amerikane e gatshme që të shkelë rregullat për domosdoshmërinë e kontrollit të armëve. Në anën tjetër në Europë ka shumë vende që janë me dy mendje nëse duhet të ndjekin integrimin më të madh të prirë prej Gjermanisë, Francës dhe vendeve të tjera që janë bërthama e bllokut apo t’i kthehen zemërimit gjithnjë në rritje nëpër vendet e tyre.

Krerët europianë janë nën presion të madh për ta siguruar publikun europian dhe botëror se blloku nuk është në rrezik nga shpartallimi. Për dekada me radhë, Bashkimi Europian ka përparuar, gjithnjë duke u zgjeruar dhe rritur ndikimin. Britania e ka sprapsur tani këtë trend. «Tani jemi në territor krejtësisht të paeksploruar», ka deklaruar Hans Kundnani, ekspert i politikës europiane në Fondin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara në Berlin.

(«New York Times»)