Popullizmi i demagogëve djathtistë Papa Françeskut ia kujton kohën e Hitlerit

Kreu i Kishës Katolike e ka krahasuar suksesin e popullistëve me ngjitjen e Hitlerit në pushtet në vitin 1933. Presidentin e ri amerikan Papa dëshiron ta vlerësojë në bazë të veprave që bën.

Papa Françesku. Foto: Shutterstock



Në një intervistë dhënë gazetës spanjolle «El Pais» Papa Françesku ka folur mbi rrezikun që i kanoset Europës nga suksesi i popullistëve dhe demagogëve djathtistë. Sipas tij në kohëra krize ekziston rreziku që njerëzit të kërkojnë një «shpëtimtar», prej të cilit pritet që t’ua kthejë identitetin njerëzve dhe t’i izolojë ata nga bota me mure. Izolimi, sipas Papës, është një gjë shumë e keqe.

Gjendjen aktuale ai e krahasoi me Gjermaninë e vitit 1933, kur ky vend ishte i shkatërruar nga kriza ekonomike botërore. «Hitleri nuk e ka vjedhur pushtetin. Atë e ka zgjedhur populli i tij dhe pastaj ai e shkatërroi popullin e tij. Këtu qëndron rreziku. Aftësia për të gjykuar nuk funksionin në kohëra të krizës», tha Papa. Pikërisht për këtë arsye në kohëra të krizës dialogu është shumë i rëndësishëm, theksoi ai.

«Ne po përjetojmë një Luftë të Tretë Botërore në copëza. Kohëve të fundit po flitet për një luftë atomike thua se bëhet fjalë për lojë me letra. Po luhet me letra. Dhe kjo më shqetëson shumë», deklaroi Papa nga Argjentina. Ai u bëri thirrje shteteve europiane të punojnë më shumë për integrimin e refugjatëve në mënyrë që të pengohet krijimi i getove si në Belgjikë.

Sa i përket presidentit të ri amerikan Donald Trump Papa tha se «askush nuk duhet të trembet apo të gëzohet për diçka që mund të ndodhë. (…) Le të presim çfarë do të bëjë, pastaj e vlerësojmë». Para një viti Papa e kishte kritikuar ashpër Trumpin, duke thënë se «nuk është i krishterë» nëse thotë se e ka ndërmend të ndërtojë një mur në kufi me Meksikën. (-lli)