Populli i lumtur në terr!




Në këtë vend nuk banon habia. Në këtë vend ka kuptim vetëm hajnia, plaçkitja dhe krimi i organizuar. Të jesh i përgjegjshëm në këtë vend do të thotë të jetosh jashtë kohës dhe hapësirës. Në këtë vend interesi publik është zëvendësuar me interesin individual dhe të grupeve në pushtet.

 

Nga Bardh FRANGU

Zor është të shpjegohet fakti përse kosovarët janë popull i lumtur dhe shumë optimist. Ndoshta në kontekstin e zhvillimit të jetës në këtë shtet të ri, shumë gjëra duhet kundruar nga aspekti etnopsikologjik, ndryshe nuk kuptohet të jetuarit mbi absurdin. Thuhet që as tatari nuk i ka rënë në fije filozofisë së të jetuarit në këtë vend. Dhe ka pasur të drejtë. Askush nuk po mund t’i bie në fije as sot në shekullin e XXI. Po si mund të shpjegohet fakti se Kosova është i vetmi vend në Evropë që shtrihet mbi thëngjill, ndërsa nuk ka mundësi të sigurojë drita!?

Njëmend del që në këtë vend paradoksi është parim i të jetuarit. Po a ju kujtohet parulla e njohur e viteve tetëdhjetë «Kosova prodhon, Beogradi ndërton»!? Kjo parullë i referohej Trepçës dhe Obiliqit, ku në njërën nxirrej metali i argjendtë, ndërsa në tjetrën ari i zi. Po çka po ndodhë tani këtu e gjashtëmbëdhjetë vite në pavarësi me këto dy burime të mëdha të pasurisë nëntokësore!? Le që më nuk po ndërtohet Beogradi, por nuk po ndërtohet as Prishtina! Trepça ka mbetur si një gërmadhë, e cila në kuptimin e pronës ende mbetet e pa definuar, ndërsa Obiliqi vazhdon të jetë një dinozaur që kërcënon vazhdimisht jetët e njerëzve. Dhe nuk mund të jetë ndryshe në vendin ku pasuria publike nuk ka kuptim.

Kryeministri Isa Mustafa pa ekuivoke bëri me dije se Kosova nuk do të ketë mundësi që të sigurojë drita për njëzetë e katër orë deri në vitin 2024. Kryeministri Mustafa ka shtruar nevojën që të rishikohet Strategjia e Energjisë, duke premtuar se do të punohet në ndërtimin e termocentralit «Kosova e Re», me kapacitet prej 600 megavatësh. Kështu kosovarët edhe një decenie të plotë do të vazhdojnë të jetojnë nën dritat e qirinjve dhe nën zhurmën trishtuese të gjeneratorëve.

Po nëse është kështu dhe mbase ndryshe nuk mund të jetë, por mund të jetë edhe më keq, kush duhet të bartë përgjegjësi për këtë? Sigurisht askush. Në këtë vend nuk banon habia. Në këtë vend ka kuptim vetëm hajnia, plaçkitja dhe krimi i organizuar. Të jesh i përgjegjshëm në këtë vend do të thotë të jetosh jashtë kohës dhe hapësirës. Në këtë vend interesi publik është zëvendësuar me interesin individual dhe të grupeve në pushtet. Një mik i imi, i cili gëzon një post të rëndësishëm në qeveri, më tha se po të provosh të bësh diçka në interes të publikut të largojnë nga puna pa u menduar dy herë. Ai më thotë se shefat pyesin menjëherë se kush ka përfituar nga projekti, dhe kur kuptojnë se nuk ka përfituar askush nga individët dhe grupi i interesit, çarten fare.

Sigurisht që më ilustrative për këtë ishte situata, të cilën e përjetova vetë. Ndërsa pinim kafe me miqtë, kaluan tre persona me palltot hedhur mbi supe. Pa dyshim njerëz me ndikim të madh në pushtet. Nga tavolina afër nesh, njëri nga dy tipat i ngacmoi duke u kërkuar që ta formonin qeverinë më shpejt (ishte koha e ngërçit politik). Njëri nga ta pa u hamendur iu përgjigj duke e urdhëruar që të mos mërzitej për këtë milet, sepse po të pyetej mileti as luftën nuk do ta bënin dhe nuk do ta çlironin këtë vend kurrë. Epo ndërsa nuk e kanë pyetur miletin, përse tash mileti të kërkojë përgjegjësi nga ta!? Kjo është logjika e pushtetit në Kosovë!

Prandaj klasa politike në Kosovë sillet sikur të ishte kolonizatore e këtij vendi e jo përfaqësuese e interesave të qytetarëve. Qytetarët në këtë vend kanë kuptim vetëm si taksapagues, madje edhe atëherë kur duhet mbrojtur nga të bëmat e këqija përfaqësuesit e kësaj klase politike, si tash në rastin e Gjykatës Speciale. Madje qytetaria e këtij vendi është e detyruar që proceset gjyqësore të përfaqësuesve të saj, në mungesë rryme, t’i përcjell nëpërmjet tranzistorëve me bateri!

Epo në një vend ku mungon drita, çfarë mund të jetë e ardhmja e popullit të tij!? Po nuk mund të jetë ndryshe, pos si shumë e errët, pos si ferr. Nëse ujku do mjegull, hajni do terr. Prandaj terr do ta kemi edhe për shumë vite. Terrin do ta kultivojmë edhe në mendjet e këtyre njerëzve. Ata që duan të shohin le t’ia bëjnë qaren vetit, le të ikin nga këtu, madje duke mos i zgjedhur as mjetet dhe duke mos i pasur parasysh as rreziqet. Më në fund, ku mund të përfundojnë më keq se në terr-ferr.