«Populli, fisi, klani – Ballkani»

Historiani kroato-amerikan Vjekoslav Perica thotë se në hapësirat ballkanike në 20 vitet e fundit janë rehabilituar një sërë hitlerësh të sokakëve tanë dhe demokracia e brishtë, por edhe civilizimi në këto treva janë në rrezik.

Vjekoslav Perica, historian kroato-amerikan, i specializuar në të kaluarën dhe të tashmen e religjioneve të Ballkanit.

Vjekoslav Perica është historian kroato-amerikan, i specializuar në të kaluarën dhe të tashmen e religjioneve të Ballkanit. Një ndër librat e tij mban këtë titull: «Idhujt ballkanik. Religjioni dhe nacionalizmi në hapësirat jugosllave», botuar në New York më 2002.

Perica është lindur në Split, ka doktoruar në Universitetin Minnesota në SHBA dhe është profesor në Universitetin e Rijekës dhe profesor i ftuar në Columbia University në New York. Ish-basketbollisti i Jugoslastikës së Splitit merret në mënyrë sistematike me kulturën e popullarizuar dhe në lidhje me këtë ka shkruar librin «Jugosllavia hyjnore: interaksioni i mitologjive politike dhe pop-kultura» (bashkë me profesorin e Lubjanës Mitja Velikonja.

Në një intervistë për revistën «Vreme» të Beogradit Vjekoslav Perica ka kritikuar tendencat në rritje në Kroaci për minimizimin e krimeve në të ashtuquajturin Shtet i Pavarur Kroat, i cili ishte vasal i regjimeve të Musolinit dhe Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Paraqitjet gjithnjë e më agresive të qarqeve djathtiste në Kroaci kanë ndikuar në keqësimin e marrëdhënieve me Amerikën. Në prill të këtij viti në Zagreb erdhi emisari amerikan i ngarkuar me çështjet e Holokaustit dhe pas takimit me presidenten Kolinda Grabar-Kitarooviq, kjo e fundit iu drejtua opinionit përmes televizionit dhe theksoi se fashizmi, racizmi dhe ustashizmi janë e keqe e dëshmuar dhe e pakontestuar.

Sipas Perica historianët në Ballkan janë të diskredituar: «Historianët që nga viti 1990 janë profesion i diskredituar në Ballkan, siç janë edhe disa politikanë profesionistë, teologë, gazetarë dhe liderë ushtarakë, dhe ata i kanë nxitur popujt në luftë dhe gjenocid. (…) Beteja për historinë sot është çelës i së ardhmes në këto hapësira. Historia është më e rëndësishmja për nacionalizmin, i cili, sipas definicionit më të shkurtër, është e kaluara e lavdishme dhe e rëndë pa njolla, ndërsa ferri janë të tjerët».

Historiani kroat tha se në hapësirat ballkanike në 20 vitet e fundit janë rehabilituar një sërë hitlerësh të sokakëve tanë dhe demokracia e brishtë, por edhe civilizimi në këto treva janë në rrezik. Perica është i mendimit se shtetet e krijuara pas vitit 1991 – Serbia e re, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia – janë konstruksione artificiale, kombe të papërfunduara. «Kombi nuk është vetëm shteti, aparati, por ai është, siç ka shkruar Hans Kohn, parim shpirtëror».

«Tragjedia ballkanike e viteve ’90 nuk është e ngjashme me ballkanizimin e Irakut dhe Sirisë. Neve nuk ka sulmuar askush nga jashtë, ne e kemi shkatërruar veten nga brenda. Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë nuk është shembur, por është shkatërruar nga brenda. Nëse do të ishte arritur një pajtim mes elitave politike vendore, nëse do të ishte evituar lufta, fuqitë e mëdha do të na kishin përkrahur, do të kishim hyrë në BE, sot do të ishim si Polonia apo së paku si Rumunia. Natyrisht, kur fuqitë e mëdha e panë se nuk jemi të aftë për këtë dhe se jemi nisur drejt kasaphanës, gjenocidit dhe destabilizimit të një zone për ta të rëndësishme gjeostrategjike, vendosën të na ballkanizojnë, të na bëjnë diçka të ngjashëm me shtetet e Amerikës së Mesme, në mënyrë që e tëra të pacifikohet, kolonizohet, eksploatohet më lehtë», tha Vjekoslav Perica.

Sipas tij kroatët do të sillen si mbrojtës të krishterimit, serbët si mbrojtës të Europës nga islami, dike mbajtur lidhje speciale me Rusinë, si Izraeli me Amerikën. «Meqë ra fjala për Izraelin, një rol të tillë si Izraeli në makroregjionin e tij, në Ballkan duan ta luajnë Serbia dhe Kroacia, por për të qenë Izrael duhet të kesh izraelitë, duhesh të jesh i mençur, e ne s’jemi të tillë. Boshnjakët do ta kthejnë Bosnjë-Hercegovinën në funksion të një krahine turke, në atë drejtim po e çojnë liderët e saj».

Perica është i bindur se amerikanët neveriten nga Ballkani postjugosllav, i cili është shndërruar në simbol të urrejtjes dhe ndarjeve në bazë të etnosit dhe religjionit. «Fisi është hyjnia kryesore në Ballkan, këtij idhulli i falen të gjithë këtu: populli, fisi, klani – Ballkani». (-lli)