Popullata ‹non grata›

Platforma e partive politike shqiptare të Maqedonisë nga VMRO-ja quhet platformë e Tiranës, kurse nga shqiptarët ka filluar të quhet deklaratë. Sot, pas albanofobisë fshihet frika e kuadrove të kësaj partie nga burgosja. Por, pas burgosjes politike të shqiptarëve fshihet vazhdimisht albanofobia e saj.




Kryefjala e debatit publik në Maqedoni është bërë e ashtuquajtura Platformë shqiptare. Kjo më shumë për shkak të problematizimit që i bën VMRO-ja, si një mekanizëm i cili e rrënon sovranitetin e vendit. Me këtë argument ajo i ka çuar në këmbë mijëra qytetarë të Maqedonisë. Ndonëse janë më pak se ç’pretendon partia, sepse po mobilizohen të gjithë të privilegjuarit e saj, duke i manipuluar edhe nxënësit e shkollave nëpërmjet drejtorëve të tyre, te protestuesit identifikohet një fanatizim.

Në fakt, kryefjala është një dokument i dalë si rezultat i konsensusit ndërmjet faktorit politik shqiptar, për t’u prezantuar të unifikuar përballë të mandatuarit të ardhshëm maqedonas për formimin e qeverisë. Realisht, një sukses i faktorit shqiptar pas fragmentimit në zgjedhje, i arritur edhe falë intervenimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Një sukses i rrallë në politikën shqiptare, i cili nuk kishte sesi të mos monumentalizohej në mnemoteknikë. Një material i mirë për kronikën e Facebookut.

VMRO-ja në dobi të kauzës së saj për një ngërç politik, i cili do të shpinte në ventilin që kërkon ajo të zgjedhjeve të parakohshme, marrëveshjen e partive shqiptare të Maqedonisë sot e quan «Platforma e Tiranës»! Duke aluduar karakterin joautentik të saj, i cili pastaj mundëson interpretime që i volitin asaj. Kurse partitë shqiptare të Maqedonisë e kanë ulur regjistrin e tyre dhe nuk flasin më për Platformë shqiptare, por për një Deklaratë të partive shqiptare në Maqedoni!

Përveç partive shqiptare që e kanë relativizuar formatin e marrëveshjes së tyre, nga presioni që po ushtron VMRO-ja duke ia tundur këtë marrëveshje opinionit të brendshëm publik dhe atij ndërkombëtar, do të kompleksohet edhe pretenduesi tjetër maqedonas për kryeministër, Zoran Zaev. Madje prezantimi i programit të tij qeveritar para ca kohe, duke e përjashtuar premtimin e mbishkrimit të kartëmonedhave dhe uniformave të policisë dhe të ushtrisë në gjuhën shqipe, është një indikator i kësaj.

Aty-këtu, për argumentin e përzierjes së Shqipërisë dhe të Kosovës për shkak të një deklarate të presidentit kosovar, Hashim Thaçi, gjen mirëkuptim edhe në shtypin ndërkombëtar. Gjithsesi kjo shihet nganjëherë në shtypin gjermanofon. Madje proklamimin e Platformës a të Deklaratës shqiptare e thumbojnë edhe analistë shqiptarë. Së fundmi, vetë partitë shqiptare në këto kushte kanë filluar të grinden me njëra-tjetrën për atë se kush u bë sebep që të nënshkruanin në Tiranë.

Sikur të gjithë janë rrekur ta qetësojnë VMRO-në. Nganjëherë edhe duke e përgënjeshtruar vetveten. Ia përkujtuam opinionit Marrëveshjen e Prizrenit të arritur ndërmjet faktorit politik dhe ushtarak shqiptar gjatë kryengritjes së vitit 2001. Edhe pse fotografia që doli nga kjo ngjarje gjithsesi më e lavdishme se kjo e sotmja për të cilën flasim, nuk fokuson ndonjë aktor nga Kosova, në thelb akti është identik me këtë të tanishmin. Dhe, rezultatet e saj u pranuar në mënyrën e vet të mundshme. Por, kjo nuk bën përshtypje.

Një gazetare austriake ia kujtoi dishepullit të Gruevskit, Nikola Popovski, që kryeministrat e vendeve amë në Ballkan kanë marrë obligime nga bashkësia ndërkombëtare për t’i «disiplinuar» kopatriotët e vetë jashtë shteteve të tyre që ta respektojnë kuadrin politik në të cilin jetojnë. Ajo përmend shembullin e Vuçiqit, i cili ka qenë disa herë i detyruar t’i dekurajojë serbët e Bonjës në sipërmarrjet e tyre referendare për t’u ndarë nga Bosnja. Por jo, nuk ka argument që e çarmatos VMRO-në.

Pyetja është se çfarë do të bënte kjo parti, sikur marrëveshje të ishte arritur në Maqedoni? A do të bënte kjo ndonjë dallim? Them, jo! Ata ankohen për reagimin e Shqipërisë, por e përshëndetin reagimin e Rusisë. Një herë ankohen për faktin se kjo marrëveshje është arritur në Tiranë, pastaj thonë ‹nuk mësojmë shqip› dhe tundin gogolin e shqiptarëve si të tillë. Është një mosdurim genuin ndaj shqiptarëve, sido që të sillen ata. Kujtojeni represionin ndaj shqiptarëve duke qenë partnerë qeveritarë.

Fundja, VMRO-së dhe presidentit Gjorgje Ivanov ua kujtojnë faktin që ata nuk kishin protestuar kundër asaj që ata e quajnë «Platforma e Tiranës» kur negociohej me ta. Madje, partia e Ali Ahmetit pretendon se VMRO-ja e kishte pranuar Platformën a Deklaratën e partive shqiptare. Koalicioni kishte dështuar vetëm për shkak të Prokurorisë Speciale, së cilës VMRO-ja i druan si djallit, apo Zotit, varësisht si e sheh. Për ta përgënjeshtruar panikun që po përhap ajo, do të mjaftonte vetëm pjesa e parë e këtij argumenti.

Kjo, në një farë mënyre, është një amnisti për albanofobinë e VMRO-së dhe të kreut të saj. Spostimi i merakut të kësaj partie te Prokuroria Speciale e harron mundësinë që për të ardhur në pushtet ajo mund ta pranojë deklaratën e, megjithatë, të mos i përmbahet asaj. Kujtoni që statusi i gjuhës shqipe është një çështje e mbetur pezull nga Marrëveshja e Ohrit. Nga perspektiva e pozitës së shqiptarëve i bie që partnerët shqiptarë kanë koalicionuar me atë pa program për shqiptarët.

Vetëm fakti që VMRO-ja, qoftë për t’iu shmangur rreziqeve të tjera që mund t’i kanosen, shërbehet me një ligjërim albanofobik, e identifikon atë si një parti me disponim antishqiptar. Që shqiptarët për të janë një armik kujdestar, të cilin e mbajnë nën vëzhgim dhe mund t’i kthehen në çdo moment kur u levërdis atyre. Kjo e shpjegon faktin që burgjet e Maqedonisë janë mbushur me shqiptarë. Ngjitjen në skenën politike kjo parti ua falënderon thirrjeve për dhoma gazi për shqiptarët.

Albanofobia është pjesë e suksesit të këtyre elitave shantazhuese. Ashtu sikur ia dolën ta revizionojnë variantin e parë të preambulës në Marrëveshjen e Ohrit, duke i reduktuar shqiptarët në një popullatë, pjesë të popullit shqiptar… Ata, thjesht, janë të padëshiruar. Për ta, në instancë të fundit, sikur e thonë vetë simpatizantët e instruktuar prej tyre, shqiptar i mirë është një shqiptar i «paqenë». Ky është thelbi i problemi të tyre që duhet t’i bëjnë derman shqiptarët dhe ndërkombëtarët.