Politikës së SHBA-së në Ballkan do t’i duhet të reflektojë realitetin

Në një pikë të caktuar, Uashingtoni do të detyrohet të riangazhohet me Ballkanin dhe të hartojë një politikë të re në përputhje me realitetin politik.

Presidenti amerikan Donald Trump. Foto: Shutterstock



Jo gjithçka te Donald Trump është e paparashikueshme. Të paktën drejt Ballkanit, politika e tij deri më tani ka qenë plotësisht konsistente në indiferencën e saj të përgjithshme.

Jo vetëm që rajoni është i parëndësishëm për programin e tij politik, por gjithashtu është i interesit të largët për vendin që ai drejton. Padyshim që Trump do më të mirën për Ballkanin. Por si kopshti i BE-së, ai do të argumentonte që është vendi ku duhet të drejtojnë europianët.

Ndaj Florian Bieber nuk duhet të befasohet që politika amerikane drejt Ballkanit nuk ka ndryshuar konsiderueshëm që kur Trump mori detyrën.

Punët vazhdojnë si normalisht në terren teksa ambasadorët çojnë përpara misionin e tyre të zakonshëm – sjelljen e demokracisë, drejtësisë dhe begatisë për vendasit, duke e drejtuar rajonin drejt rrugës së Bashkimit Europian dhe duke minimizuar nacionalistët që kërcënojnë ta kthejnë rajonin në barbari.

Sidoqoftë, do të qe gabim të arrinim në përfundimin se politika amerikane drejt Ballkanit është e vulosur. Përkundrazi, një debat i rëndësishëm po fillon në media dhe në institucionet politike rreth qasjes së Shteteve të Bashkuara në rajon.

Bieber citon komentet nga ana e kongresmenit dhe kryetarit të Nënkomitetit të Europës, Dana Rohrabacher dhe analistit të sigurisë John R. Schindler. Ai mund të shtonte dhe atë të ish-zv/shefit të Task Forcës së Ballkanit në CIA, Stiven Meyer. Në vendin tim, Britaninë e Madhe, një ish-ambasador në Beograd, Ivor Roberts, sugjeroi një shkëmbim toke midis Serbisë dhe Kosovës dhe një tjetër, Charles Crawford, ka shkruar rreth ‘paqëndrueshmërisë ekzistenciale’ të gjendjes aktuale në rajon.

Këto komente janë analizuar gjerësisht nga mbrojtësit e politikës aktuale, duke krijuar një diskutim të fuqishëm në internet.

Debati po zhvillohet gjithashtu jashtë medias. Organizata të shumta analistësh kanë mbajtur seminare për politikën ndërkombëtare drejt Ballkanit. Dhe pasi bëra të qarta idetë e mia për Foreign Affairs, mora shumë letra nga individë në SHBA, të cilët vënë në pyetje qasjen.

Florian Bieber i rrëzon mendimet e atyre që mbrojnë një ndryshim në politikë si ëndërrimtarë. Por duke vepruar kështu keqkuptohet mënyra se si politika e jashtme evoluon me kalimin e kohës.

Siç kam zbuluar gjatë kohës sime si diplomat, nuk ka asnjë dokument që gjendet në një sirtar që të përcaktojë në mënyrë të përhershme një politikë të qeverisë ndaj Ballkanit apo ndonjë rajoni tjetër. Politika është produkt i një dialogu të vazhdueshëm brenda një bashkësie të specializuar që përfshin zyrtarë, këshilltarë të posaçëm, analistë të inteligjencës, parlamentarë, akademikë, analistë, gazetarë dhe lobistë të cilët në mënyrë aktive monitorojnë dhe reagojnë ndaj ngjarjeve në terren.

Kur fillon të ndryshojë dialogu midis këtyre njerëzve, kështu bën dhe politika.

Përse po ndryshon dialogu tani?

Nuk po ndryshon, do të sugjeroja unë, për shkak të politikës boshe në Ballkan të krijuar nga Trump. Në mungesë të instruksioneve të reja, institucionet po vazhdojnë të drejtojnë me politikën e kohës së Obamës: politikanët nacionalistë sanksionohen dhe mënjanohen, Mali i Zi është bashkuar me NATO-n dhe kështu me radhë.

Më saktë, debati rreth Ballkanit po ndryshon, sepse gjithnjë e më shumë është e qartë për shumë vëzhgues se politika perëndimore ndaj rajonit nuk po funksionon.

Perëndimi është përpjekur të ushqejë një paqe të qëndrueshme në Ballkan duke i ofruar atij perspektivën e integrimit me NATO dhe BE. Kjo, shpresohej, do të stabilizonte rajonin duke garantuar sigurinë dhe prosperitetin e tij dhe duke lejuar kombet e ndara të ribashkohen në një Europë pa kufij.

Megjithatë, njëzet vjet më vonë, realiteti është shumë larg këtij ideali. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, qëllimi themelor i paqes në rajon humbi pasi BE-ja këmbënguli që shtetet e dobëta dhe në vështirësi ekonomike të përmbushin një numër të pamundur kushtesh politike dhe teknike para se të pranoheshin si anëtare.

Tani politika është kthyer kundër zgjerimit, ndërsa po BE-ja vuan një krizë të krijuar nga kontradiktat e paqëndrueshme të eurozonës, dallimet në politikën e migracionit dhe të tjera. Në shumicën e vendeve të BE-së, opinioni publik është armiqësor ndaj zgjerimit të mëtejshëm në Ballkan, problemet e të cilit do t’i shtohen atyre të BE-së.

Kjo ka pasoja në rajon, ku dështimi i «europianizimit» po zhyt pothuajse çdo shtet në një krizë politike, të manifestuar në paralizë institucionale, trazira në rrugë, tjetërsim të procesit politik dhe cinizëm në rritje ndaj zyrtarëve perëndimorë të cilët duket se mbështesin udhëheqës vendas që pranojnë integrimin euroatlantik, pavarësisht nëse ia vlejnë ata për të mbajtur detyrën.

Ndërsa premtimi i anëtarësimit në BE shuhet, njerëzit po i investojnë shpresat dhe ëndrrat e tyre në vend, të inkurajuar nga politikanët e korruptuar të cilët janë të lumtur të mbrojnë nacionalizmin për të qëndruar në pushtet. Krerët shqiptarë flasin hapur për mundësinë e bashkimit të territorit të tyre nëse nuk mund të hyjnë në BE. Protestuesit maqedonas demonstrojnë kundër shtimit të të drejtave të shqiptarëve. Një president serb kërcënon të shkojë në luftë me Kosovën. Politikanët kroatë këndojnë këngë për Bosnje-Hercegovinën.

Ata që e njohin historinë e Ballkanit, nuk duhet të habiten. Në rrethana të ndryshme, rajoni thjesht po përsërit ngjarjet e viteve 1980 kur dështimi i një projekti tjetër ideologjik, socializmi i Titos i nxiti njerëzit të gjejnë strehë në kombe.

Jo të gjithë e kanë braktisur ëndrrën europiane. Shumë njerëz ende besojnë në një triumf të shpresës mbi përvojën dhe se mekanizmi i integrimit europian ende mund të vihet në punë, ashtu si besonin shumë vetë në vitet ’80 se socializmi mund të ringjallej.

Por ky besim mbështetet në ndryshime të shumta – si një ringjallje e BE-së dhe zgjerimit drejt lindjes, një nxitje e pashembullt në reformë në rajon, një angazhim vendimtar nga Shtetet e Bashkuara dhe në gatishmërinë e Rusisë për të qëndruar jashtë Ballkanit – saqë shanset e suksesi janë shumë të kufizuara.

Duke qenë se politika ekzistuese nuk po funksionon dhe për shkak se pasojat aktuale janë në rritje të pakontrolluar të nacionalizmit dhe trazirave civile, analistë të ndryshëm po vijnë natyrshëm me sugjerime të reja për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan që shkojnë përtej integrimit europian.

Për shumë, kjo do të thotë rishqyrtim i çështjes së kufijve. Jo se kufijtë janë problemi i vetëm në rajon, por sepse kufijtë e paligjshëm – dhe gjithçka që vjen me ta në aspektin e fuqisë, sigurisë, të drejtave dhe mundësive – janë shkak lufte për rinovimin e çdo dhune ndëretnike.

Pikëpamja ime është që Perëndimi duhet të pranojë pashmangshmërinë e një kolapsi të ‘zgjidhjes së Post-Jugosllave’ dhe të ndryshojë fokusin nga përpjekja për të mbështetur diçka që nuk mund të ruhet në menaxhimin e zhbërjes së saj, me qëllimin përfundimtar të krijimit të shteteve legjitime.

Kjo nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara duhet të trajtojnë zgjerimin dhe ngushtimin e vendeve dukshëm paqësore sipas stilit kolonialist të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Por kjo nënkupton që politikëbërësit perëndimorë të mbështesin kërkesat e minoriteteve për një përfaqësim më të madh përgjatë vijave kombëtare; të pranojnë bashkëpunim më të ngushtë ndërkufitar midis të ngjashmëve; dhe të ndalojnë promovimin e «parimit» të multietnicitetit, përfituesit kryesorë të të cilëve janë politikanët oportunistë që pasurohen në kurriz të frikës së njerëzve për rrezikun nga një grup tjetër kombëtar.

Natyrisht, në Ballkan nuk ka ndodhur asgjë dramatike që kur Donald Trump erdhi në pushtet, për të detyruar Shtëpinë e Bardhë që të pranojë këto sugjerime.

Siç e thashë në fillim, politika vazhdon të drejtohet nga ambasadorët vendas që promovojnë një proces teorik të integrimit europian dhe e përdorin këtë për t’u përfshirë në zonat e fshehta të politikës së brendshme të vendeve pritëse.

Kur gjërat dalin jashtë kontrollit, siç ndodhën kohët e fundit në Shqipëri kur opozita bojkotoi zgjedhjet, ose në Maqedoni, ku presidenti nuk pranoi të jepte një mandat për një koalicion fitues, eprorët e tyre nga Departamenti i Shtetit fluturojnë për të bërë bashkë krerët vendas.

E gjithë kjo është gjerësisht në interesin amerikan. Për sa kohë që këta ambasadorë dhe zyrtarë mund të mbajnë në kontroll çështjet në Ballkan, ata i japin hapësirë presidentit dhe sekretarit të shtetit të përqendrohen në probleme më urgjente ndërkombëtare si Siria dhe Koreja e Veriut.

Megjithatë, kjo qasje do të jetë e vështirë të mbështetet në dekadën e ardhshme, duke pasur parasysh problemet e procesit të zgjerimit të BE-së – boshtin e politikës perëndimore drejt Ballkanit – dhe paqëndrueshmërinë në rritje në rajon.

Nëse ndodh një aneksim serb ndaj veriut të Kosovës apo bëhet shkëputja de facto e grupeve minoritare si shqiptarët e Maqedonisë apo serbët e Bosnjës, kriza do të bëhet përfundimisht e pakontrollueshme nga joshjet iluzionare dhe diplomacia emergjente.

Në këtë pikë, nëse Shtëpia e Bardhë nuk do të rrezikojë përsëritje të konfliktit, do të detyrohet të angazhohet përsëri në Ballkan, për të menduar edhe një herë për atë që SHBA po përpiqet të arrijë dhe si është mënyra më e mirë për ta arritur.

A do të këmbëngulë përgjithmonë për ruajtjen e kufijve arbitrarë të vendosur dekada më parë nga një diktator komunist përballë rezistencës së thellë vendase? Apo do të përdorë burimet e saj të mëdha dhe ndikimin diplomatik për të krijuar një zgjidhje të qëndrueshme që reflekton realitetin demografik në terren?

Aktualisht, e gjithë kjo është çështje e debatit abstrakt brenda qarqeve të politikës së jashtme.

Por dogmat e vjetra se çfarë duhet dhe nuk duhet Ballkani të jetë, tashmë po shqyrtohen dhe rishqyrtohen thelbësisht, duke ndryshuar mjedisin intelektual në të cilin formulohet politika.

Ngjarjet eventualisht do t’i detyrojnë politikëbërësit e lartë amerikanë të krijojnë një qasje të re që përshtatet me realitetin politik. Ndonëse kjo nuk bëhet për disa vite, tashmë po zhvillohet një debat se si të parandalohet rikthimi i dhunës. Ndërsa ky debat shkon përpara, ai do të vendosë bazat për përballjen me realitetin që pritet të ndodhë.

(https://www.reporter.al/politikes-se-shba-ne-ballkan-do-ti-duhet-reflektoje-realitetin/)