Politikë me tepricë, mungesë provash

Gjyqësori i Serbisë për tre vjet nuk e publikoi asnjë aktakuzë për krime kundër shqiptarëve në Kosovë dhe ende po kërkon ekstradimin e shqiptarëve nga Kosova për t’u gjykuar. Serbia saboton drejtësinë dhe kërkon që të ekstradohet Ramush Haradinaj. Që drejtësia në Francë vendosi ndryshe nuk do të duhej të befasonte askënd. Lënda kundër Haradinajt ka ngjyrim politik.

Foto: N1



Shteti që për më shumë se një vit nuk ka prokuror për krimet e luftës dëshiron të akuzojë për krime lufte njerëz nga gjithë regjioni. Shteti që nuk vepron sipas fletarresteve të kuqe të Interpolit (Momir Stojanoviq, treshja radikale) pret ekstradimin e shtetasve të vendeve të tjera sipas të njëjtave fletarreste. Gjyqësori që kurrë nuk ka ngrehur akuzë kundër ndonjë zyrtari të lartë të vendit të vet për krime lufte, akuzon (madje pa prova) zyrtarët e mëparshëm dhe të tanishëm të vendeve fqinje. Gjyqësori që për tre vjet nuk e publikoi asnjë aktakuzë për krime kundër shqiptarëve në Kosovë kërkon ekstradimin e shqiptarëve nga Kosova për t’u gjykuar. Shteti që premtoi bashkëpunim dhe mbështetje për Gjykatën Speciale për Kosovën nuk e ndihmon atë, por i përzihet në kompetencat e saj.

Dhe kur kërkesat e veta të paarsyeshme nuk përmbushen, klith dhe qan si një fëmijë që kërcënon se më nuk do të jetë i dëgjueshëm dhe se do të kthehet nga më i keqi prej dy (ose më shumë) prindërve të divorcuar, ai në Lindje, i cili gjithmonë ka më shumë mirëkuptim për kërkesat infantile.

Si është e mundur që Ramush Haradinaj nuk u ekstradua në Serbi? Ndoshta vërtet dikush nga gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në Colmar të Francës, ashtu siç pretendon avokatja e Haradinajt, mendonte se në Serbi ai nuk do ta ketë një gjykim të drejtë. Me fjalë të tjera, lënda për klientin e saj është me ngjyrim të tepërt politik që ai të gjykohet në mënyrë objektive.

Le t’i analizojmë paraqitjet e presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliq dhe të kryeministrit Aleksandar Vuçiq, i cili së shpejti do ta zëvendësojë atë në pozitën presidenciale. I pari i shkroi presidentit francez François Hollande, ndërsa i dyti thirri mbledhje urgjente të Kabinetit qeveritar dhe mbajti konferencë për medie. Që të dy treguan sesi ata si zyrtarët më të lartë të vendit janë të interesuar për ekstradimin e Haradinajt, përkatësisht se kjo u nevojitet për arsye politike. Që të dy e quajnë kriminel dhe e bëjnë të qartë se vendimi tashmë është marrë në qarqet politike të shtetit serb para se ai të kishte arritur te autoritetet gjyqësore. Që të mos krijohet ndonjë keqkuptim, udhëheqja e shtetit të Serbisë për rastin Haradinaj është deklaruar më herët, gjithashtu e ka quajtur kriminel dhe e ka bërë të qartë se në këtë lëndë gjyqësore gjërat kryesisht sillen rreth politikës.

Vendimi i gjyqtarëve francezë ndoshta mund të kishte qenë ndryshe sikur kryeministri i tashëm serb dhe disa nga ata të mëparshmit të kishin pranuar publikisht se çfarë kishte ndodhur me gratë dhe fëmijët shqiptarë në Suharekë (ky krim është gjykuar në Serbi), sikur me të njëjtin entuziazëm të kujtohej deklarata e Shyhrete Berishës sesi ajo e humbi gjithë familjen e saj dhe sesi pas të shtënave në një piceri lokale ajo kishte dëgjuar britmat e djalit të saj të mitur para se polici serb të kishte shtënë në kokën e tij. Apo sikur, duke treguar për stërzgjatjen e procesit për rastin e Tërrnjës, të kishin folur publikisht për vrasjen e grave dhe të fëmijëve në atë fshat të Kosovës dhe të kërkonin punë më efikase të gjyqësorit. Ose sikur dikush t’i kishte dëgjuar duke folur në lidhje me vrasjen e 1,300 boshnjakëve në Kravicë dhe të sugjeronin për mundësinë që ky proces në Beograd, pas një fillimi të mbarë, të zvarritej në kohë të pacaktuar.

Ndoshta atëherë gjyqtarët francezë nuk do t’i kuptonin si të motivuara kombëtarisht dhe politikisht deklaratat e zyrtarëve serbë për nevojën e gjykimit të Haradinajt. Apo ndoshta ata thjesht kanë përfunduar se provat që i ka Prokuroria e Krimeve të Luftës e Serbisë nuk i kanë vërtetuar mjaftueshëm akuzat.

Gjatë adresimit të Vuçiqit për mediet, pas vendimit të Gjykatës në Colmar, kanë fluturuar veshë dhe koka të prera, kanë rrjedhur rrëke gjaku të viktimave të supozuara të Haradinajt, por që në të vërtetë nuk është kuptuar se prej çfarë burimesh po lexonte kryeministri. Në qoftë se bëhet fjalë për deklaratat e dëshmitarëve nga hetimet, atëherë kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e organeve hetimore. Ish-prokurori për krime lufte Vladimir Vukçeviq kohën e fundit ka përkujtuar për prirjen e kryeministrit për ta bërë këtë, kur me të njëjtin pasion ka lexuar deklaratat e dëshmitarëve për nxjerrje të syve nga hetimi në rastin e Naser Oriqit.

Haradinaj është gjykuar në Hagë, kurse provat që Serbia i kishte atje në përgjithësi nuk janë pranuar nga gjykata, ndërsa disa zyrtarë shtetërorë, sikur edhe Vuçiqi sot, mburreshin që kishin sasi dhe cilësi të mahnitshme të provave. Një pjesë të provave e përbënin deklaratat e të burgosurve shqiptarë që i kishin dhënë nëpër stacionet policore serbe nën tortura dhe presion, me ç’gjë pala mbrojtëse nuk e kishte të vështirë për t’i diskredituar ato. Disa dëshmitarë që kolegëve në Hagë ua kishte dërguar Prokuroria për Krime Lufte në Beograd kishin përjetuar fiasko në gjykimin për krimet e UÇK-së, para së gjithash në rastin Haradinaj.

Duhet cekur edhe faktin se Haradinaj, gjykuar nga deklaratat e Marko Gjuriqit dhe Aleksandar Vuçiqit, është akuzuar për krime me të cilat në Beograd tashmë është gjykuar Anton Lekaj. Ata që e kanë ndjekur procesin nuk kanë vërejtur dëshmi që kërkojnë përgjegjësinë e Haradinajt. As gjyqtarët nuk i kanë vërejtur ato dëshmi, që e kanë sjellë në gjykim Anton Lekajn.

Që të jemi të sinqertë, askush nuk thotë se Haradinaj është i pafajshëm, por është fakt që fajësia e tij eventuale nuk mund të dëshmohet në Serbi të paktën për dy arsye – së pari, ka tepër politikanë në pushtet të interesuar (dhe të pasionuar) që e duan kokën e tij, dhe së dyti, është pikëpyetje e madhe se çfarë provash kundër tij ka vërtet Prokuroria për Krime Lufte.

E gjitha që në këtë moment i mbetet Serbisë është një potez që është dashur ta tërheqë në fillim – që provat kundër Haradinajt, nëse ka, t’ia bartë Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë. Në fund të fundit, kryeministri Vuçiq ka deklaruar se Serbia e mbështet punën e kësaj gjykate, ndërsa Komisioni Parlamentar për Kosovën dhe Metohinë madje e ka formuar një grup punues, që është dashur t’i mbledhë provat për krimet e UÇK-së dhe t’ia përcjellë Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë. Trupi është formuar në tetor të vitit 2015 dhe do të ishte me interes për ta kuptuar se çfarë ka mbledhur dhe dorëzuar deri më sot. Nuk do të ishte çudi nëse përgjigjja do të ishte – asgjë.

(Autori është hulumtues i Fondit për të Drejtën Humanitare).
Copyright: dialogplus.ch – Ndalohet ribotimi nga mediat të tjera.