Politikë kufomash në Kuvendin e Kosovës

Tri arsye përse seanca për Astrit Deharin sot ofendoi secilin qytetar me logjikë të shëndoshë të Kosovës. Dhe një pyetje për deputetët patetikë të tempullit të demokracisë: a ju vjen turp?




A ju vjen turp? Kjo është e para pyetje që më vjen në mendje, për të gjithë deputetët, e sidomos ata të shumicës parlamentare, që në Kuvendin e Kosovës sot na dëshmuan se janë të painteresuar të mbrojnë qytetarin dhe shtetin; që me ngushëllime e fjalime patetike mbi kufomën e një të riu, në vend se të debatojnë mbi shumë fakte që vënë në dyshim funksionimin e shtetit edhe ashtu të brishtë kosovar,  u tallën me logjikën shëndoshë të secilit qytetar të Kosovës. Deputetë, që pa fije turpi vazhdojnë të na servojnë tash e 17 vite një «politikë kufomash».

Vërtet, a ju vjen turp?

Pas më shumë se tre muajsh, që kur 26 vjecari Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjës Vetëvendosje, gjeti vdekjën gjatë kohës kur po mbahej në paraburgim prej 68 ditësh (si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës në gusht të këtij viti), tempulli i ashtuquajtur i demokracisë kosovare u mblodh që të mbajë një seancë. Por seancë për çka? U tha: për Astrit Deharin. Por, të tillë nuk pamë.

Për mbi pesë orë dëgjuam fjalime e ngushëllime patetike për familjen Dehari, madje edhe nga deputetë që asnjëhërë nuk iu kishte dëgjuar zëri në parlament më parë. Dëgjuam akuza e kundërakuza mes pozitës e opozitës për vrasje, shtytje në vetëvrasje. Epitetet vrasës e kriminelë, si në çdo seancë tjetër për  17 vite rresht, u dëgjuan sërish. Po ashtu u dëgjuan fjalët e njëjta për vrasjet e pasluftës të zyrtarëvë të LDK-së. Madje, prej atyre që pa fije turpi kanë lidhur koalicion dhe bashkuar interesa me SHIK dhe PDK.

Dëgjuam për vjedhjen e dhomës së dëshmive në Policinë e Kosovës, për ndërhyrjen e forcave speciale të policisë më 28 nëntor 2015 në zyrët e VV-së, për tërheqjen zvarrë të zyrtarëvë shtetërorë nga Dardan Molliqaj. E besa, nga Nait Hasani i PDK-së, dëgjuam edhe për shkelje të të drejtave të punëtorëve shqiptarë që punojnë në EULEX.

Rrjedhimisht, seanca e sotme parlamentare që për qëllim do të duhej të kishte mbajtjen e një debati të frytshëm e  substancial mbi vdekjen e dyshimtë të një 26 vjeçari, shtetasi të Kosovës, në duart e shtetit, ofendoi logjikën e shëndoshë të secilit qytetarë të Republikës së Kosovës, për tri arsye kryesore.

Nën një. Sepse debati i sotëm në Kuvend nuk iu përgjigj kërkesave reale të 24 mijë qytetarëve që nënshkruan peticionin që kërkon drejtësi për Astrit Deharin, peticion ky që i është drejtuar Kuvendit të Kosovës, rrjedhimisht të përzgjedhurve të popullit me tri kërkesa krejtësisht legjitime si: mbajtjen e seancës për Astrit Deharin (e jo për qërim hesapesh politike mes pozitës e opozitës); hetimin e pavarur dhe ndërkombëtar për rastin Dehari si dhe dorëheqjen e dy ministrave të koalicionit PDK dhe LDK, atij të punëvë të Brendshme, Skënder Hyseni, dhe të Drejtësisë, Dhurata Hoxha. Kuvendi sot do të duhej t’i diskutonte këto kërkesa në vend se të injorojë ato përmes një fjalimi po aq patetik të ministres së Drejtëssië Dhurata Hoxha, e cila konstatoi nga pozicioni i saj prej një politikaneje se raporti i mjekësisë ligjore për Deharin së bashku me punën e Prokurorisë në rastin Dehari qenkan profesionale.

Por, askush nuk e pyeti, ta zëmë, se mbi cfarë baze ministrja jep një konstatim të tillë, për një rast që vazhdon të jetë nën hetime? Hoxha, e cila në ditën kur po varrosej Astrir Dehari në një nga televizionet lokale po fliste për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa fije turpi sot doli që të tregojë fuqinë e saj politike si anëtare e PDK-së mbi organet e drejtësisë kosovare, e që, dorën në zemër, nuk është aspak për t’u çuditur.

Nën dy. Sepse askush nga deputetët, majde as juristët, disa prej të cilëve nuk e dinin as dallimin mes një të dyshuari e të akuzuari, nuk e ngriti për debat faktin nëse Kuvendi i Kosovës dhe deputetët e tij me deklaratat politike mbi punëne  organeve të drejtësisë dhe të mjekësisë ligjore për një rast që është akoma nën hetime si vrasja e Deharit, po ndërhyjnë në mënyrë direkte në punën e organeve të pavarura të drejtësisë. Ky është një fakt që nuk mund të mohohet. Ndonëse nuk mund të mohohet e drejta që të diskutohet mbi kredibilitetin e dëmtuar të organeve të drejtësisë, që lehtësisht deputetët do të mund ta konstatonin duke u thirrur jo më pak se në kërkesën e 24 mijë qytetarëve që kërkuan hetim të pavarur dhe ndërkombëtar pikërisht për shkak se kanë humbur besimin në institucionet shtetërore.

Nën tre. Sepse askush nga deputetët, as juristët e opozitës, nuk e ngriti për debat faktin se një ndër kërkesat kryesore të fushatës «Drejtësi për Astritin», e që mendohet se do të mund të zbardhte të vërtetën mbi vdekjen e tij – hetimi ndërkombëtar – nuk ka mundësi juridike të ndodh. Secili jurist apo student i drejtësisë do të duhej të dinte faktin se sipas Kushtetutës dhe legjislacionit kosovar kompetenca eksluzive mbi hetimin e ndonjë rasti penal që ka ndodhur në Kosovë është e institucioneve vendore. Do të duhej të ishte e njohur se çdo lloj involvimi apo asistimi (veprim i vetëm legjitim që mund të kërkohet) ndërkombëtar kërkon bazë juridike, rrjedhimisht një marrëveshje ndërkombëtare për çështje penale me shtetin përkatës të cilit i kërkohet ndihmë. Askush nga juristët në parlament, deputetët të Kuvendit, nuk e përmendi faktin se një të tillë Kosova e ka me Maqedoninë, shtetas i së cilës ishte Astrit Dehari. Askush nuk e përmendi mundësinë që të kërkohet përfshirja e Maqedonisë e as mënyrën se si do të mund të përfshihej. Madje as vetë ministrija e Drejtësië, e cila nuk u pyet e as kritikua nga opozita për faktin se ajo do të duhej të dinte paraprakisht se Britania e Madhe nuk ka asnjë interes apo ndërlidhje me rastin Dehari, kur ajo i drejtoi kërkesë për ndihmë në emër të zbardhjës së të vërtetës mbi vdekjen e Deharit.

Seanca mbi pesëorëshe parlamentare që pëfundoi me miratimin e një rekomandimi të grupit parlamentar të PDK-së, që në rast se familja Dehari kërkon hetim jashtë shtetit, ky t’i mbulojë shpenzimet, nuk është gjë tjetër veçse një ofendim për secilin qytetar me logjikë të shëndoshë, të Kosovës.

Për çfarë hetimi jashtë shtetit ka menduar PDK, kur parimet juridike na mësojnë që për çfarëdo vepre të dyshimtë penale, hetimet duhet të kryhen në vendin kur presupozohet se është kryer vepra. E njëjta pyetje vlen për ata deputetët që votuan pro këtij rekomandimi. Çka menduan kur votuan pro tij? Fakti se një parlament i tërë sot u tallë me qytetarët, e dëshmon edhe një fakt i çuditshëm për mua personalisht si gazetare, kur deputetë e mazhorancës apo më saktësisht të PDK-së i referohen një mediumi ndërsa citojnë dyshimet e hedhura mbi atë nëse VV-ja dhe familjarët Dehari po e përdorin politikisht vdekjen e Deharit.

Pse deputetët e PDK-së nuk iu referuan mediave, kur ato raportonin për emërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve me ndërhyrje nga politika apo më saktësisht nga partia e tyre. Apo kur raportohej për tenderë milionësh të keqpërdorur të KEK-ut ku përfshihet edhe ish-kryetari i Skënderajt Sami Lushtaku i PDK-së, apo për keqëpërdorimin e milionave të pasaportave në kohën e minsitrit të brendhsëm të PDK-së Bajram Rexhepi.

Këto janë vetëm disa nga arsyet kryesore të cilat sot na tregojnë, se seanca e sotme e thirrur kinse për vdekjen e Astrit Deharit nuk është gjë tjetër veçse një tallje me qytetarët e Kosovës. Politizim tutje i rastit dhe tendencë për ndikim në organet e drejtësisë për këtë rast. Na tregon se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë të interesuar që rasti Dehari të zbardhet. Ashtu siç na tregon se asnjë qytetar i Kosovës nuk është i mbrojtur as nga ata që vetë i ka votuar për ta përfaqësuar. Na tregon se sot e 17 vite, këta përfaqësues të ashtuquajtur të popullit nuk dinë gjë tjetër veçse të na servojnë një «politikë kufomash», të bazuar në vrasje e vdekje të dyshimta. Një politikë të vdekur ditore që nuk prodhon asgjë pos vetëshkatërrimit të një shteti.