Politikani zviceran vë në dyshim pavarësinë e Kosovës

Deputeti i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP) dhe publicisti Roger Köppel është skeptik sa i përket pranisë së trupave zvicerane në Kosovë. Dhe skepticizmin e tij e mbështet në argumente absurde.

Roger Köppel.



Shumica e partive politike të Zvicrës përkrahin angazhimin e trupave ushtarake të këtij vendi në Kosovë. Menjëherë pas përfundimit të luftës më 1999 Zvicra iu bashkua misionit paqeruajtës të NATO-s, duke dhënë kontribut me një kontingjent ushtarësh, i cili fillimisht ishte i stacionuar në Suharekë, ndërsa me kalimin e viteve mori përsipër detyra të ndryshme edhe në treva të tjera të Kosovës, sidomos në veri të vendit. Së fundi qeveria e Zvicrës ka vazhduar mandatin e Swisscoy, siç quhet kompania zvicerane në kuadër të KFOR-it.

Këtë e ka kundërshtuar Partia Popullore e Zvicrës (SVP), e cila është përherë e para me kërkesa për izolimin e Zvicrës nga bota. SVP është partia më e madhe politike zvicerane dhe prej një çerekshekulli ndjek një kurs të ashpër kundër integrimit të Zvicrës në BE dhe kundër «pranisë së tepërt» të të huajve në Zvicër. Si asnjë parti tjetër SVP i ka prirë edhe fushatave kundër shqiptarëve në Zvicër, duke i atakuar në mënyrë paushallë si kriminelë apo keqpërdorues të sistemit social.

Provokimi i radhës kundër Kosovës vjen nga Roger Köppel. Ai është një publicist gjuhëbrisk, tepër inteligjent, por edhe i shkathtë në artin e provokimit ose thyerjes së tabuve. Köppel është deputet i SVP-së dhe njëkohësisht pronar i revistës «Weltwoche», në të cilën botohen artikuj mirëkuptues ndaj Vladimir Putinit dhe popullistëve të djathtë europianë. Në një interpelancë dërguar qeverisë Köppel tani ka kërkuar që të rishqyrtohet prania e trupave zvicerane në Kosovë, sepse parakusht që Zvicra të pranojë një shtet të huaj, sipas tij, është që ky shtet të ushtrojë pushtet në territorin e tij. Duke i dërguar ushtarët zviceranë në Kosovë «pranohet» se «në Kosovë shteti nuk ka pushtet». Rrjedhimisht, Köppel kërkon nga qeveria zvicerane të shqyrtojë mundësi më dobiprurëse për bashkëpunimin me Kosovën.

Kërkesa e Köppel është absurde. Sipas kësaj logjike Zvicra do të duhej të tërhiqte njohjen e pavarësisë së Bosnjës dhe Kroacisë, të cilat po ashtu nuk e kanë kontrolluar tërë territorin e tyre kur janë pranuar si shtete. Interpelanca e Köppel duket se është vetëm një shfryrje e radhës për të mbajtur nën tension elektoratin e SVP-së. (-lli)