Politikani serb Sllavisha Ristiq: «Në veri të Kosovës qeverisin kriminelët e Vuçiqit»

Sllavisha Ristiqi është kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, por ai e pranon se serbët e veriut të Kosovës më shumë janë të rrezikuar nga grupet kriminale të lidhura me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq se nga pala shqiptare. Ristiqi akuzon EULEX-in se toleron kriminelët në veri.

Aleksandar Vuçiq.



Sllavisha Ristiqi ka qenë kryetar i komunës së Zubin Potokut në dy mandate, të cilat i ka ushtruar si besnik i Beogradit dhe jashtë juridiksionit të Kosovës. Si deputet në Kuvendin e Serbisë ai i ka kundërshtuar bisedimet në Bruksel, të cilat, sipas tij, serbët e Kosovës i detyrojnë të pranojnë pushtetin e shqiptarëve. Vitin e kaluar Ristiqi braktisi Partinë Demokratike Serbe (DSS), e cila dikur udhëhiqej nga ish-kryeministri Vojislav Koshtunica, dhe iu bashkua grupit parlamentar «Për shpëtimin e Serbisë – Serbia e Re». Ristiqi nuk e fsheh simpatinë e tij për Rusinë, por në një intervistë me gazetarin e njohur nga Beogradi Dejan Anastasijeviq nga revista «Vreme», ai ka folur hapur për problemet me të cilat ballafaqohen serbët në veri të Kosovës – dhe për këto probleme ka akuzuar rëndë Aleksandër Vuçiqin dhe grupet kriminale që, sipas tij, e mbajnë nën kontroll këtë rajon. Për këtë kontroll, sipas Ristiqit, këto grupe kanë pëlqimin edhe të strukturave të EULEX-it. Ristiqi supozon se për shkak të kritikave të tij ndaj Vuçiqit shtëpia e tij në Zubin Potok është sulmuar me armë dhe në oborr është gjetur një bombë dore e paeksploduar.

Ristiqi deklaroi se opinioni në Serbi nuk di shumë për Kosovën, por kjo, sipas tij, ka qenë kështu edhe më herët, gjatë viteve ’90, por edhe në kohën e bombardimeve më 1999, por edhe më vonë. «Por sot kemi një situatë të tillë që te publiku nuk arrin asgjë tjetër përveç atyre që rrjedhin nga Aleksandar Vuçiqi, Aleksandar Vulini, Marko Gjuriqi dhe mediat, të cilat janë nën kontrollin e pushtetit. Kështu nuk ka qenë kurrë», tha Ristiqi.

Duke folur për sulmin me armë mbi shtëpinë e tij Ristiqi tregoi se ai dhe viktima të tjera e dinë se pas sulmeve të tilla qëndrojnë grupet e organizuara, të cilat veprojnë sipas urdhrave të Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit. «Ekziston pushteti komunal i zgjedhur në kuadër të zgjedhjeve lokale kosovare të vitit 2013, por ata njerëz vetëm figurojnë aty. Ata marrin instruksione nga këta kriminelë dhe gjysmëkriminelë për çdo vendim që duhet të marrin».

Ristiqi e akuzoi EULEX-in për tolerancë ndaj grupeve kriminale të lidhura me Vuçiqni. «Kam përshtypjen se faktorit ndërkombëtar i konvenon një situatë e tillë, sepse këto grupe kriminale që i përmenda kryejnë punë, disiplinojnë serbët. E shihni edhe vetë se nuk ka më rezistencë të organizuar, barrikada… Si shpërblim kriminelëve u është garantuar se mund të merren me punët e tyre dhe nuk do të pengohen. Pra, ata kanë përkrahjen e Beogradit dhe të bashkësisë ndërkombëtare, andaj mund të bëjnë çfarë të duan».

Si kundërshtar i bisedimeve në Bruksel Ristiqi thotë se Serbia ende nuk ka humbur gjithçka në Kosovë dhe se duhet të vazhdojë të luftojë, «jo me forcë, jo me retorikë boshe se kurrë nuk do ta pranojë Kosovën e pavarur, por me insistimin se serbët e Kosovës të kenë të njëjtën mundësi të zgjedhin siç kanë pasur shqiptarët. Nuk mbështes ndarjen e Kosovës në kuptimin gjeografik, por do të duhej menduar për ndarje institucionale».

Ristiqi e ka pranuar se serbët e veriut më shumë janë të kërcënuar nga grupet kriminale të Vuçiqit se sa nga pala shqiptare. Sipas Ristiqit para ardhjes në pushtet të Vuçiqit serbët në veri kanë jetuar më mirë – «tani kemi grupet kriminale të Vuçiqit. Kjo shihet edhe në atë se njerëzit po shpërngulen, sepse nuk besojnë në ardhmëri». (-lli)