Politikanët socialdemokratë të Zvicrës bojkotojnë debatet vetëm me burra

Deputeti zviceran Cédric Wermuth ka thënë se nuk do të marrë pjesë në asnjë debat ku vetëm burrat flasin njëri me tjetrin për çështje publike pa praninë e grave. Me këtë qëndrim ai ka inspiruar edhe deputetë të tjerë.

Cédric Wermuth, deputet i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës.

Kjo pamje është gati e përditshme: në debate televizive, në diskutime publike, në takime flasin e diskutojnë vetëm burrat. Nuk është fjala për Ballkanin, i cili nga këndi perëndimor i Europës shpesh shikohet me arrogancë si i prapambetur. Edhe në Zvicër debatet publike dominohen kryesisht nga burrat. Kësaj praktike dëshiron t’i jep fund deputeti socialdemokrat Cédric Wermuth. Ai i ka deklaruar gazetës «SonntagsZeitung» të Zürichut se së fundi sërish ishte zemëruar me veten e tij kur kishte marrë pjesë në një debat, ku pjesëmarrës ishin vetëm burrat. «Tani e tutje nuk do të marrë pjesë në debate publike me më shumë se dy mysafirë, nëse ato përbëhen vetëm nga burrat», ka shkruar ai në blogun e tij.

Sipas Wermuth është me rëndësi që në opinion të mos betonohet përshtypja që politika është punë e burrave, ndërsa gratë rrallëherë mund të thonë mendimin e tyre. Pas deklaratës së këtij deputeti edhe katër parlamentarë të tjerë socialdemokratë kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në debate nëse «ekipi» përbëhet vetëm nga burrat. Deputetët që i janë bashkuar propozimit të Cédric Wermuth janë: Angelo Barile, Matthias Aebischer, Tim Gulidmann dhe Mathias Reynard. Guldimann, i cili ka qenë shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, ka thënë se në të kaluarën, kur është ftuar në debate, ua ka tërhequr vërejtjen organizatorëve që të ftojnë edhe ndonjë grua.

Ndërkohë deputetët konservatorë të Zvicrës nuk kanë mirëkuptim për këtë aksion të kolegëve të tyre socialdemokratë. Deputeti Franz Grüter nga Partia Popullore e Zvicrës (SVP), e cila ndjek një kurs antieuropianë dhe të ashpër kundër të huajve, tha se «as në ëndërr nuk më bie ndërmend» të bojkotojë një debat nëse në të nuk janë të ftuara edhe gratë. (lli)