Politikanët në Ballkan po e rrezikojnë paqen për të maskuar dështimet e qeverive të tyre

Deputeti socialdemokrat gjerman Niels Annen akuzon udhëheqësit e Ballkanit për politikë të papërgjegjshme.

Niels Annen.



Saktësisht në ditën e fillimit të punimeve të Samitit të Triestes mes vendeve kryesore të BE-së dhe krerëve të shteteve ballkanike, deputeti i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë Niels Annen ka ngritur akuza të rënda kundër «elitave nacionale» në Ballkan. Sipas tij, këto elita po e rrezikojnë paqen për të maskuar dështimet e qeverive të tyre. Annen është zëdhënës për politikë të jashtme në Grupin Parlamentar të socialdemokratëve gjermanë dhe, rrjedhimisht, njëri prej deputetëve më me ndikim në Bundestag, parlamentin gjerman. Në një editorial të botuar në gazetën «Frankfurter Allgemeine Zeitung» Annen theksoi se në Samitin e Triestes Gjermania dhe BE duhet të angazhohen më shumë dhe pa asnjë fije dyshimi të bëjnë të qartë se negociatat për pranimin e vendeve të Ballkanit në BE duhet të zhvillohen seriozisht dhe perspektiva e BE-së për këto vende mbetet aktuale, por, sipas tij, pajtimi rajonal dhe parimet e shtetit ligjor janë kushte të panegociueshme.

Annen kritikoi provokimet e ndërsjella mes Serbisë dhe Kosovës, «retorikën shqiptaromadhe» të politikanëve kosovarë dhe sulmin e dhunshëm ndaj parlamentit maqedonas nga përkrahësit e ish-kryeministrit Nikola Gruevski. Deputeti gjerman shkruan se të gjitha këto ndokujt mund t’ia kujtojnë vitet ’90, por paralelja historike është e rrejshme, sepse tensionet nuk janë pasojë e tensioneve reale etnike. Pas turbullirave në Ballkan qëndrojnë elitat nacionale për të siguruar pushtetin dhe për të penguar reformat.

«Gjatë muajve të fundit politikanë udhëheqës në Ballkan qëllimisht kanë ndikuar në helmimin e klimës në dhe mes shteteve. Ashiqare: nga emocionet nacionaliste pritet të forcojnë pozitën e qeveritarëve në popullsi dhe të fshehin bilancet dëshpëruese të qeverisjes. Kjo është një strategji e papranueshme, e rrezikshme. Problemet reale të shteteve të Ballkanit Perëndimor ekzistojnë në fusha të tjera: tregtia ilegale me armë, krimi i organizuar, korrupsioni endemik dhe papunësia ekstreme në mesin e të rinjve, rrjedhimisht nga kjo buron edhe eksodi i të rinjve dhe të atyre që janë mirë të kualifikuar», mendon Annen. Këto probleme janë shkaktuar nga politikanët e Ballkanit dhe nga ta duhet të zgjidhen. Annen theksoi se është e vërtetë se procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit në BE po ecën ngadalë për shkak të krizës së BE-së, por edhe për shkak të refuzimit të pushtetmbajtësve për zbatimin e reformave.

«BE nuk duhet t’u përgjigjet ngjarjeve aktuale në rajon me zbutjen e kritereve për anëtarësim. Një ‚zbritje e tillë‘ gjeopolitike e shkatërron kredibilitetin e BE-së dhe dorëzon çdo mjet presioni ndaj qeverive të shteteve të Ballkanit. Qeveritë në Ballkan duhet të pranojnë se vlerat e BE-së, respekti për institucionet demokratike, të drejtat e opozitës dhe liria e shtypit nuk mund të negociohen», shkruan Annen. (-lli)