Politikanët konservatorë austriakë në shërbim të regjimit kriminal të Gruevskit

Ministri i Jashtëm austriak mori pjesë në dhjetor në fushatën elektorale të VMRO-së ultranacionaliste, ndërsa dje Nikola Gruevski u prit në Vjenë nga Werner Amon, sekretar i përgjithshëm i partisë konservatore ÖVP. Ata thonë se është normale që «partitë simotra» të përkrahin njëra-tjetrën. Në të vërtetë kështu shkelen me të dy këmbët vlerat demokratike të BE-së.

Një takim i përzemërt: Ministri i Jashtëm austriak Kurz, kryministri i dikurshëm maqedonas Gruevski dhe ministri i tij i Jashtëm Popovski.



Sjellja e politikanëve të partisë konservatore austriake ÖVP në krizën e Maqedonisë është skandaloze. Dhe ndoshta kjo është pak të thuhet. Ministri i Jashtëm Sebastian Kurz nuk lë ditë pa e atakuar regjimin e Rexhep Taip Erdoanit për shkak të metodave autokratike të sundimit, por i njëjti, pra diplomati Kurz, në dhjetor vizitoi Shkupin, ku përkrahu partinë VMRO të autokratit Nikola Gruevski në fushatën elektorale. Për këtë Kurz u kritikua ashpër nga shumë ekspertë të Ballkanit dhe media, por duket se ai është ende i verbër ndaj gabimit që ka bërë. Në shkurt ai tha se e konsideronte normale që «partitë simotra» të përkrahin njëra-tjetrën.

Dje, kur përkrahësit e Nikola Gruevskit zaptuan parlamentin dhe gjakosën plot deputetë, mes tyre edhe liderin socialdemokrat dhe kandidatin për kryeministër, Zoran Zaev, sekretari i përgjithshëm i partisë konservatore ÖVP, Werner Amon, e priti në Vjenë Nikola Gruevskin. ÖVP e konsideron VMRO-në parti simotër – të dyja janë pjesë e «European People’s Party» (EPP), ku bëjnë pjesë parti konservatore dhe të tilla që e konsiderojnë veten konservatore, por në thelb janë banda të korruptuara, siç është rasti me VMRO-në.

Werner Amon i ka deklaruar gazetës austriake «Der Standard» se e ka takuar Gruevskin me kërkesën e këtij të fundit. Me atë rast, sipas Amon, Gruevski ka folur për demonstratat në vendin e tij dhe për përpjekjet e deputetëve të partisë së tij që me fjalime të stërzgjatura të pengojnë zgjedhjen e qeverisë nga aleanca mes socialdemokratëve dhe partive shqiptare. Gjatë bisedës, ka vazhduar politikani austriak, Gruevski paskësh premtuar se fjalimet e stërzgjatura nuk do të vazhdojnë pafund. Amon përpiqet të bind publikun se i ka thënë Gruevskit se demonstratat e mbështetësve të tij duhet të zhvillohen në mënyrë paqësore. Pak orë më vonë përkrahësit e Gruevskit treguan krejt qasjen e tyre paqësore duke sulmuar parlamentin. Amon tha se kjo është e papranueshme – «nëse të dhënat në media janë të sakta». Ky është një cinizëm i paparë i një politikani arrogant vjenez, që tallet me viktimat në Ballkanin «primitiv», sepse dhunën e ushtruar mbrëmë ndaj të zgjedhurve të popullit e kanë parë të gjithë ata që kanë qenë të interesuar – madje drejtpërdrejtë në televizion. Ndërsa Werner Amon thotë: «Nëse të dhënat në media janë të sakta».

Përveç me sekretarin e përgjithshëm të ÖVP-së Gruevski u takua të enjten edhe me shefin e grupit parlamentar të kësaj partie Reinhold Lopatka. Edhe komisioneri i BE-së për zgjerim Johannes Hahn, i cili po ashtu bart librezën e ÖVP-së, ka qenë një kohë të gjatë tepër tolerant ndaj regjimit të Nikola Gruevskit, madje edhe pasi u zbulua afera e përgjimit në Maqedoni. Hahn përherë është përpjekur disi t’ua lë fajin të gjithëve në Shkup për krizën politike dhe mjaftohej me apele boshe për «dialog mes palëve». Pas zgjedhjeve Hahn nuk ka arritur ta shtyjë Gruevskin të lëvizë asnjë milimetër – gjë që tregon se komisioneri i BE-së nuk ka pothuaj fare autoritet në Maqedoni.

Gjërat në këtë vend janë të qarta. Kushtetuta thotë se pas zgjedhjeve fituesi merr mandatin për të krijuar qeverinë. Nëse këtë nuk e arrin (për shembull në mungesë të partnerëve të koalicionit), atëherë stafeta i jepet partisë tjetër. Në dhjetor Gruevski fitoi minimalisht zgjedhjet, por s’gjeti partnerë për bashkëqeverisje. Rivali i tij socialdemokrat Zoran Zaev premtoi disa lëshime ndaj kërkesave të shqiptarëve, të cilët përbëjnë rreth një të tretën e 2,1 milionë banorëve të Maqedonisë, andaj partitë shqiptare – të përkrahura edhe nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama – shprehën gatishmëri për të lidhur një aleancë qeverisëse me Zaevin. Këtë konstelacion e kanë përkrahur edhe diplomatët perëndimorë të akredituar në Shkup, BE dhe SHBA-të. Kjo po nuk i pëlqen as Gruevskit, as marionetës së tij presidenciale Gjorgje Ivanov, i cili refuzon t’ia japë Zaevit mandatin për të formuar qeverinë. Ivanov dhe Gruevski thonë se Zaev ka pranuar platformën shqiptare, kërkesat e së cilës gjoja dëmtojnë sovranitetin e Maqedonisë dhe identitetin e maqedonasve sllavë. Arsyeja e vërtetë është frika e Gruevskit nga humbja e pushtetit. Drejtësia është duke e hetuar për krime të llojllojshme, të cilat janë grumbulluar prej se erdhi në pushtet në vitin 2006.

Eurodeputetja Ulrike Lunacek ka deklaruar se ministri i Jashtëm Kurz duke mbështetur Gruevskin ka diskredituar pozitën e Austrisë dhe ka dëmtuar rëndë BE-në. Kurz ka përkrahur Gruevskin pas premtimeve të këtij të fundit se Maqedonia do të jetë digë kundër refugjatëve. Se si reagohet kundër Gruevskit dhe banditëve të tij tregoi sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane Michael Roth. Ai në Twitter shkroi: «Nacionalistët barbarë duan të shkatërrojnë edhe atë pjesë që ka mbetur të kulturës demokratike në ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë. Jam pa fjalë!»