Politika si garë e cjepve

Si mbeti puna e demarkacionit? Varet kujt i besojmë. Në të vërtetë - të gjithë e kanë mirë, sepse në shoqëritë shqiptare llafet boshe shiten si politikë dhe politika i ngjan një gare të cjepve.

Foto: Shutterstock



Si ta kalojmë kohën deri kur të vijë mësuesi? Kështu e pyet Maximiliani shokun e tij të klasës Johann Wolfgang von Goethe. Ky i fundit përgjigjet: me gramatikë! Kjo i duket tepër monotone Maximilianit, andaj propozon që dy shokët të përlahen me koka si cjeptë. Kjo është diçka e huaj për mua, përgjigjet Johann Wolfgang von Goethe, koka ime nuk është e përshtatshme për diçka të tillë, t’ia lëmë këtë lojë cjepve. Maximiliani thotë se duke u shtyrë si cjeptë, kokat do të bëheshin më të forta. Kjo, përgjigjet Goethe u vogël, nuk na bën nder. Unë sa për vete dua ta ruaj kokën e butë.

Politika shqiptare i ngjan garës së cjepve. Shtyhen ca burra kinse për një çështje, por në fakt përplasja nuk zhvillohet për parime, por për pushtet. Shembulli më brutal është çështja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kush ka të drejtë në këtë punë – përkrahësit apo kundërshtarët? Askush nuk mund ta thotë me bindje të plotë. Si është e mundur që ata që ishin gati të përdorin edhe forcën për të penguar demarkacionin, tani dërgojnë në Kuvend për votim atë version që e paskëshin miratuar «tradhtarët» që ishin në pushtet? Kështu politika reduktohet në llafe boshe, eksperti merr rolin e humoristit dhe humoristi rolin e ekspertit, hartat shndërrohen në lecka, gjuha degradon deri në përdorimin e fjalëve vulgare, palaçot shkruajnë poezi për tokat e malet, pastaj tërë populli bëhet dëshmitar se si një e ashtuquajtur elitë politike nuk është në gjendje të merret vesh për një konsensus minimal për të ecur përpara, duke sqaruar çështjet kontestuese.

Meqë institucionet janë shndërruar në pothuaj torishta të cjepve, edhe gara politike i ngjan ballafaqimit të cjepve shyt. Një pjesë e partive dhe përkrahësve të tyre nuk i besojnë komisionit të kaluar të demarkacionit, ndërsa komisionit të ri nuk i besojnë sërish një pjesë e partive dhe ithtarëve të tyre. Mandej futen në lojë gjeografë e ekspertë të tjerë, të cilëve u mohohen motivet fisnike. Njëri tabor hedh poshtë qëndrimet amerikane se sa i përket demarkacionit gjithçka është në rregull, tabori tjetër kërcen përpjetë duke brohoritur: ndërkombëtarët kanë të drejtë. Kështu kemi arritur në një situatë absurde, jo për herë të parë, kur të gjithë dhe askush nuk ka të drejtë, sepse të gjithë sillen si ekspertë, por autoritet të pakontestueshëm nuk ka askush. Natyrisht që si pasojë e këtij konflikti nuk do të fundoset Kosova, por grindja për demarkacionin tregon se kultura institucionale në mesin tonë është pothuaj joekzistuese. Dhe ky nuk është rasti i vetëm.

Ndodh një vdekje e një aktivisti politik në burg dhe mbështetësit e tij nuk kanë dyshim se atë e vrau shteti, ndërsa shteti thotë se viktima vrau veten. Në këso momentesh në çdo shtet serioz ka institucione kompetente që me autoritet shkencor konstatojnë arsyet e vdekjes. Te ne gjithçka është konspiracion, sepse nuk i besojmë asnjë institucioni. Mjeku nuk është vetëm mjek i ngarkuar me një detyrë, por edhe shërbëtor partie. Nëse nuk është, do ta quajnë të tillë. Polici i kriminalistikës shndërrohet në kriminel dhe krimineli ekspert i mjekësisë ligjore. Kështu sillemi në qarkun tonë vicioz derisa të dalin ndonjë i «mençur» dhe të kërkojë ekspertë të huaj. Pasi që as për gjërat më elementare nuk u besojmë institucioneve tona, shpesh thërrasim në ndihmë «ata që e dinë» dhe nuk jetojnë këtu. Nuk duhet të fajësohen vetëm ata që nuk u besojnë institucioneve. Sepse në shumë institucione pushtetet e deritanishme kanë instaluar njerëz shpesh të paaftë, cinikë, mashtrues e masha të partive politike.

Problemi nuk manifestohet vetëm në Kosovë. Shikojeni Shqipërinë. Kapet me kamerë një politikan duke kurdisur tenderë. Politikani dhe kamarilla e tij mediale thonë se incizimi është montazh. Për të verifikuar se a është videoja montazh apo jo kërkohet angazhim i ekspertëve amerikanë, sepse atyre shqiptarë nuk u beson askush. Janë institucione të politizuara, të kontrolluara nga politika, të cilat marrin vendime nën presionin e pushtetarëve. Kështu vijnë «ata të Amerikës», «alamet ekspertë», «njerëz me përvojë» dhe thonë: «Po, video është autentike, nuk ka gjë të falsifikuar». Tani do të duhej të vepronte drejtësia. Dhe e dini si vepron: dalin dy-tre gjykatës dhe marrin vendim ta shpallin të pavlefshme ekspertizën amerikane. Një shtet që nuk ndërton institucione të pavarura dhe që nuk punëson njerëz kompetentë dhe me autoritet, nuk mund të shpëtohet as nga Amerika. As nga Bashkimi Europian. Andaj demarkacioni në Kosovë është vetëm simptomë e një defekti më të madh shoqëror. Ndërkohë gara mes cjepve vazhdon.