Politika shqiptare arrin marrëveshjen për miratimin e reformës në drejtësi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi votën pro reformës në drejtësi pas përfshirjes së zyrtarëve të lartë të Brukselit në negociatat e orëve të fundit, duke shtensionuar politikën shqiptare në prag të seancës së 21 korrikut.

Ambasadorja Vlahutin dhe Ambasadori Lu në Kuvendin e Shqipërisë më 4 maj 2016. Foto: Malton Dibra/LSA

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi mesditën e së mërkurës votën pro reformës në drejtësi, duke shfryrë tensionin që dominoi klasën politike shqiptare në prag të seancës së 21 korrikut. Përmes një deklarate për mediat, Basha tha se PD është gati të bashkojë votat në Parlamentin e Shqipërisë për draftin kushtetues të versionit hibrid, ndërsa e cilësoi betejën e Partisë Demokratike një sukses.

«Roli i misionit ndërkombëtar do të jetë rekomandues dhe vendimarrja i mbetet institucioneve kombëtare. Asnjë qytetar shqiptar nuk do të përjashtohet nga konkurrimi mbi bazën e opinioneve, por vetëm mbi fakte sipas ligjit», deklaroi Basha.

Pas një viti e gjysmë negociatash të vështira mes përfaqësuesve politikë në Shqipëri për reformën në drejtësi, pika e fundit e padakordësuar mbeti roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në përzgjedhjen e zyrtarëve që do të kryejnë procesin e vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë.

Sipas propozimit hibrid të prezantuar në Tiranë më 10 korrik nga ndihmës/sekretarja amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland, ndërkombëtarët do të kishin një rol kyç në filtrimin e kandidatëve për 21 pozicionet e vetingut.

Partia Demokratike këmbënguli gjatë javës së fundit që ndërkombëtarët të mos kishin kompetenca kushtetuese por vetëm rol rekomandues, ndërsa pas ndërhyrjes në negociata të zyrtarëve të lartë të Brukselit, u detyrua të pranonte marrëveshjen me plotësimin e njërës prej kërkesave të saj.

Përmes një letre të dërguar në adresë të drejtuesve të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn zbardh variantin përfundimtar të pranuar nga palët.

Sipas kësaj letre, ngritja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit do të kenë bazë solide në Kushtetutën e re të Shqipërisë, ndërkohë që ky mision do të ketë rol rekomandues për kandidaturat që do t’i kalojnë më pas komisionit ad hoc.

Në një deklaratë për mediat, kryeministri Edi Rama përshëndeti vendimin e Partisë Demokratike për votimin e draftit të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi. Ai shtoi më tej se «reforma garanton vijën mbrojtëse të ndërkombëtarëve për të bërë të mundur një revolucion në sistemin e drejtësisë».

«Partia Demokratike iu nënshtrua vullnetit të hekurt të popullit shqiptar dhe partnerëve strategjikë, që të çojmë përpara një reformë historike në sistemin e drejtësisë… në përmbysjen e kastës së të korruptuarve», tha Rama.

Me një marrëveshje të gjithëpranuar mbi tavolinë, séanca e shumëpritur e së enjtes pritet të mos ofrojë supriza të mëdha, duke miratuar reformën e mbështetur nga shumica e shqiptarëve dhe që synon ta çojë Shqipërinë në një fazë të re të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

(BIRN Albania: http://www.reporter.al/politika-shqiptare-arrin-marreveshjen-per-miratimin-e-reformes-ne-drejtesi/)