Policia nuk angazhohet t’ia zbulojë identitetin pacientes së paidentifikuar të shtrirë në QKUK

Një grua e re rreth tridhjetëvjeçare ka rreth tri javë që ka mbetur në Klinikën e Neurologjisë në QKUK. Ajo ka pësuar vdekje klinike derisa ka qenë duke ecur në hyrje të Prishtinës. Pas disa ditësh trajtimi gjendja e saj është përmirësuar por askush nga familja e saj nuk është paraqitur në QKUK.




Mjekët e klinikës kanë thënë se kjo paciente nuk ka pasur me vete dokumente identifikimi dhe kjo e ka pamundësuar këtë institucion që ta lëshojë në shtëpi. Shefja e Repartit intensiv në Klinikën e Neurologjisë, Myrvete Kabashi, ka thënë se gjendja e pacientes është stabile dhe se ajo nuk ka nevojë që edhe me tutje të qëndrojë në dhoma intensive, shkruan sot «Koha Ditore».

«Është në dëm të pacientes që të qëndrojë me pacientët e tjerë këtu pasi që kësaj i duhet trajtim jashtëspitalor dhe përkujdesje», ka thënë Kabashi. Ajo ka deklaruar se kjo paciente ka humbur të folurit. Kabashi thotë se për këtë gjë i kanë kërkuar ndihmë Policisë së Kosovës, por ata nuk kanë gjetur ndonjë të dhënë në lidhje me këtë paciente.

Gazeta e ka kontaktuar Zyrën e Informimit të Policisë së Kosovës. Ndonëse policia ka premtuar se do të përgjigjet nuk e ka bërë këtë ditën e mërkurë. Kur janë telefonuar nga gazeta kanë thënë se nuk janë të informuar për një lajmërim të tillë dhe janë shprehur se do ta trajtojnë këtë çështje ditën e enjte.

E vetmja gjë që i është gjetur kësaj pacienteje është një faturë me emrin e një mashkulli J.Z. Emergjenca e qytetit e ka gjetur kontaktin e tij por ai nuk u është përgjigjur telefonatave të kësaj qendre.

Gazeta ka mësuar se J.Z është bashkëshorti i pacientes, i cili është nga lagjja Hajvalia. Gazeta ka gjetur kontaktin e tij të telefonit por ai nuk u është përgjigjur telefonatave. Të vetmen herë kur është përgjigjur e ka mbajtur telefonin hapur por nuk ka folur.