Policia «më e mirë në rajon» – e zhytur në krim dhe skandale

Pushtetarët e Kosovës shpesh e përmendin policinë e Kosovës si shembullore. Kjo është njëra ndër gënjeshtrat më të mëdha. Policia është e njëjtë si pushteti. Dhe ja përse.

E zhytur në afera: policia e Kosovës.



Kur e dëgjon publiku Skender Hysenin të flasë për policinë e Kosovës, lehtë mund të mendojë se Republika e vogël ballkanike është një lloj Singapori në Europë: e sigurt dhe me zyrtarë policorë me integritet, profesionistë, të shkathtë, të pakorruptuar. Policia e Kosovës na qenkësh më e suksesshmja në rajon, sipas Hysenit. Në valën e lavdërimeve pa asnjë kriter ministri i Brendshëm ka thënë madje se policia është «palcë kurrizore» e Kosovës.

Kjo ngrehinë lavdërimesh e rrahagjoksit Hyseni sot u rrëzua përfundimisht me arrestimin e dhjetëra policëve në të dy Mitrovicat – në veri dhe në jug. Deri më tani raportohet për 35 policë të arrestuar. 21 në veri. 14 në jug. Shumica serbë, por ka edhe shqiptarë dhe boshnjakë. Të gjithë dyshohen se si policë të trafikut kanë marrë ryshfet. Se në çfarë përmasash është shtrirë ky krim pritet të tregojnë hetimet e mëtutjeshme dhe eventualisht trajtimi i tyre nga drejtësia – nëse krejt procesi nuk ndërpritet nga politika në emër të ruajtjes së «stabilitetit rajonal».

Që nga përfundimi i luftës policia e Kosovës ka gëzuar një besim dhe respekt të madh nga popullsia. Njerëzit mendonin: më në fund polici nuk të keqtrajton në rrugë, nuk të vret, nuk të grabit paratë, nuk të vë gjobë në mënyrë arbitrare, nuk të nduk ndonjë gjë me vlerë në veturë siç vepronte policia serbe në vitet ’90 anekënd Kosovës. Ka njerëz në Kosovë që edhe sot kur kalojnë, për shembull, nëpër Komoran u kujtohet punkti famëkeq i milicisë së Slobodan Millosheviqit. Pra, duke pasur parasysh të kaluarën policia e re e Kosovës nuk e ka pasur shumë vështirë të krijojë një imazh tjetër.

Por, a e ka merituar policia e Kosovës besimin që qytetarët kanë në të? A e meriton respektin e qytetarëve policia e Kosovës? Nëse i lëmë anash mendimet sentimentale për «policinë tonë», e cila «flet shqip», atëherë duhet thënë: policia e Kosovës është një institucion që prej vitesh po zhytet në skandale të mëdha. Në Kosovë edhe fëmijët tashmë e dinë se nga Dhoma e Dëshmive në komandën e policisë në Prishtinë janë vjedhur dhjetëra kilogramë drogë dhe me gjasë edhe dëshmi të tjera të rëndësishme. Kjo aferë ka mbetur e pazbuluar. Si shumë të tjera.

Në fillim të këtij viti portali «Insajderi» njoftoi se «policia e Kosovës ia ka dhënë dy tenderë bashkëshortes së një biznesmeni, i cili akuzohet se mashtroi policinë në disa tenderë. Vlera e tenderëve të fituar është rreth 700 mijë euro. Policia arsyetohet se kompania i plotësoi kushtet». Në vitin 2011 një hulumtim i bërë nga «Gazeta Jeta në Kosovë» zbuloi një rrjet të kompanive të udhëhequra nga apo të lidhura me dy shitës të armëve, të dyshuar për korrupsion, të cilët kishin siguruar një varg kontratash nga institucionet kosovare dhe të BE-së. Cak i krimit ka qenë edhe Dhoma e Dëshmive e policisë në Pejë: atje janë vjedhur mbi 20 kilogramë ari.

Në polici po lëshon rrënjë edhe nepotizmi: mediat në Prishtinë kanë njoftuar se tenderin për furnizimin e policisë me rroba civile e kishte fituar vëllai i zëdhënësit të policisë. Tenderi për furnizimin e policisë me jelekë anti-plumb i është dhënë një firme të lidhur me një biznesmen që u ballafaqua me drejtësinë dhe u dënua si mashtrues. Dhe mashtrimi që kishte bërë nuk ishte pa poentë humoristike: ai kishte fituar tenderin për të furnizuar policinë me një kamion me top uji, i cili përdoret për shpërndarjen e protestuesve. Biznesmeni kreativ nuk kishte sjellë kamionin origjinal, por një të thjeshtë, të cilin e kishte modifikuar, montuar dhe «stolisur» në një garazh në katundin Mazgit.

Kompania e këtij biznesmeni kishte fituar tenderin për meremetimin e sheshit «Ibrahim Rugova» në kohën kur kryeqytetin e sundonte Isa Mustafa me një taraf mashtruesish të LDK-së, kryesisht me origjinë nga Llapi e Gollaku. Çfarë bënte në nivel nacional Partia Demokratike e Kosovës, nuk e linte keq në nivel lokal LDK. Kush ka vjedhur më shumë? Pyetje e parëndësishme mbase. Ka vjedhur ai që ka pasur më shumë mundësi.

Përkundër të gjitha këtyre skandaleve në krye të policisë vazhdon të qëndrojë Shpend Maxhuni. Përkundër shumë aferave në postet kyçe në polici vazhdojnë të qëndrojnë militantë partiakë (kryesisht të PDK-së), njerëz shpeshherë të pakualifikuar, por «me merita të luftës», ndërkohë që pothuaj janë eliminuar nga të gjitha postet e rëndësishme ose nuk janë lënë të futen fare në polici profesionistët e përgatitur në shkollat më të mira nga Lubjana në Shkup. «Faji» i tyre është se janë shkolluar në epokën e Jugosllavisë. Në emër të heqjes së «udbashëve» kosa e pushtetit të ri ka goditur shumë profesionistë.

Rrjedhimisht, policia e Kosovës sot ballafaqohet me dhjetëra skandale dhe me rezultate tejet të dobëta në luftimin e krimit. Është qesharake kur puna e policisë së Kosovës krahasohet me vendet e rajonit. Serbia ka një polici të zhytur në krime të llojllojshme – nga kontrabanda deri te krimet e luftës. Maqedonia është një shtet gjysmë-diktatorial, me organe të sigurisë që me urdhër të pushtetit kanë përgjuar mijëra qytetarë. Shqipëria ka një polici që përdoret nga pushteti për mbrojtje të kriminelëve, vrasje të qytetarëve dhe marrëzi të tjera. Në këtë «konkurrencë» nuk domethënë asgjë nëse zë vendin e parë.

Deri më tani policia e Kosovës nuk ka arritur të ndriçojë asnjë krim të madh. Asnjë vrasje politike. Asnjë vdekje të dyshimtë. (Rasti i fundit tragjik është ai i Astrit Deharit në burgun e Prizrenit). Policia nuk dallon nga pushteti, andaj është momenti i fundit që qytetarët ta trajtojnë atë si pjesë të një problemi të madh. Ai problem quhet: shtet i kapur me polici të përfshirë në shumë dallavere. Arrestimin e policëve në Mitrovicë Skender Hyseni do të përpiqet t’ia prezantojë opinionit si sukses. Në të vërtetë sukses për këtë vend do të ishte nëse sot do të jepnin dorëheqje vetë Hyseni, drejtori i policisë Maxhuni dhe shefat e stacioneve policore në veri dhe në jug të Mitrovicës.