Policia maqedonase arreston të dyshuarit si sulmues të parlamentit

Ndërsa policia vazhdon të arrestojë të dyshuarit e mësymjes në parlament të enjten, ku mbështetësit e VMRO DPMNE sulmuan deputetët e opozitës, partia e Gruevskit ka akuzuar ministrinë e brendshme për «intimidim të shtetasve të pafajshëm».

Protestuesit brenda parlamentit maqedonas. Foto Anadolu



Policia maqedonase deri më tani ka shoqëruar 12 të dyshuar për lidhje me mësymjen në parlament të enjten, ku më shumë se 100 persona, përfshirë deputetët u plagosën. Ministria e brendshme gjithashtu informoi të mërkurën se 20 të dyshuar kishin akuza kriminale ekzistuese.

Duke mos zbuluar identitetet e plota të të dyshuarve, ministria tha se më shumë arrestime priten, nëse arrihet të identifikohen më shumë të dyshuar nga kamerat e sigurisë së parlamentit dhe nga provat e tjera në dispozicion.

Ministri i brendshëm i përkohshëm Agim Nuhiu shtoi të mërkurën se ka larguar nga puna kreun e Byrosë së Sigurisë Publike, Mitko Çavkov si i ngarkuar i policisë për situatat emergjente.

Nuhiu e akuzoi më herët Çavkovin se ka dështuar t’i përgjigjet dhe të parandalojë hyrjen e protestuesve të dhunshëm në parlament dhe se ishte i padisponueshëm për dy orë gjatë tërbimit. Çavkov, i cili është përgjegjës për të gjithë uniformat e policisë i ka mohuar akuzat e Nuhiut sipas të cilave ka punuar nën udhëzimet e partisë së tij VMRO DPMNE-së gjatë mësymjes.

Nuhiu tha gjithashtu se kërkoi shkarkimin e Çavkovit nga posti në zyrën e sigurisë publike.

Megjithatë, ish-partia drejtuese VMRO DPMNE-së, mbështetësit e të cilës sulmuan parlamentin, përmes një konference për shtyp të mërkurën kritikuan me forcë arrestimet dhe akuzat e ngritura duke këmbëngulur se kjo ishte një përpjekje «e motivuar politikisht për të trembur dhe për të përndjekur» të pafajshmit të cilët po mbronin vendin e tyre.

«Ministri i Brendshëm Agim Nuhiu ka përgjegjësi sepse nuk mund të ushtrojë presion ndaj [punonjësve të policisë], për të trembur dhe arrestuar njerëz të pafajshëm kundër procedurave dhe ligjit», tha në konferencën për shtyp deputeti i VMRO DPMNE-së Dragan Danev.

Ai këmbënguli se fakti që disa njerëz, sipas tij, kishin hyrë në parlament të revoltuar nga përpjekja e paligjshme për të zgjedhur një kryetar të ri parlamenti dhe nga «provokimet anti-shtetërore» të kryera nga kundërshtarët e tyre politikë, Social Demokratët, LDSM , «nuk mund të kualifikohet si vepër penale».

Sulmuesit u lidhën me VMRO DPMNE

Sulmuesit e identifikuar të parlamentit maqedonas.

Ndërsa autoritetet nuk e zbulojnë identitetin e të arrestuarve, Social Demokratët, LDSM, të cilët kryesojnë shumicën e re parlamentare, si dhe disa media kanë zbuluar një pjesë të sulmuesve të dyshuar si me lidhje me partinë VMRO DPMNE të ish-kryeministrit Nikola Gruevski.

Ish-punonjës policie dhe ushtrie, kriminelë të dënuar dhe të anëtarë të të ashtuquajturave shoqata patriotike, janë identifikuar si pjesëmarrës në mësymjen e parlamentit të enjten.

Një prej tyre është Dimçe Hristoski – Zhabata [Bretkosa] nga qyteti i Prilepit, ish-anëtar i [njësisë tashmë të shkrirë të policisë], ‘luanët’, të cilin LSDM-ja e identifikoi si sulmues të drejtpërdrejtë të liderit Zoran Zaev. LSDM-ja në një konferencë shtypi këtë fundjavë pretendoi se Hristovski është gjithashtu një vrasës i dënuar i cili ka vuajtur dënim me burg për një vrasje të dyfishtë që ndodhi në vitin 2005 në qytetin e Prilepit.

BIRN nuk qe në gjendje të konfirmonte pretendimet e LSDM-së rreth asnjë prej personave të identifikuar.

LSDM-ja zbuloi foto dhe video ku sipas partisë tregohej qartë se punonjës të shtetit dhe aktivistë të partisë së Gruevskit kishin hyrë në parlament në një sulm të koordinuar kundër deputetëve të mazhorancës së re.

Dhuna shpërtheu të enjten kur një shumicë prej 67 deputetësh në parlamentin me 120 vende zgjodhi kryetarin e ri të parlamentit, Talat Xhaferi – duke iu afruar kështu krijimit të qeverisë së re të koalicionit të udhëhequr nga opozita.

Mbështetës të VMRO DPMNE-së hynë në parlament thuajse të pacënuar nga policia dhe për disa orë sulmuan deputetët.

(https://www.reporter.al/policia-maqedonase-arreston-te-dyshuarit-si-sulmues-te-parlamentit/)