Policia kroate ndaloi rrahjen e refugjatëve pas denoncimeve

OJQ-të kroate i thanë BIRN-it se policia e ndaloi dhunën ndaj refugjatëve në kufirin e vendit vetëm pasi rastet u denoncuan publikisht.

Një grup refugjatësh sirianë duke kaluar kufirin Serbi-Kroaci. Foto: Shutterstock



Dy OJQ i thanë BIRN-it se policia kroate reagoi për raportet për dhunë ndaj refugjatëve në kufi, vetëm pasi akuzat për rrahje dhe fotografitë e shenjave u bënë publike në media.

Sipas raportimeve të OJQ-ve të ndryshme, disa refugjatë janë rrahur, sendet e tyre private janë konfiskuar dhe disa janë detyruar të largohen nga Kroacia, kryesisht në Serbinë fqinje, andej nga kanë hyrë në Kroaci.

Milena Zajoviq, kryetare e OJQ-së «You Are Syrious?» me qendër në Zagreb, e cila bëri fotot dhe bisedoi me disa nga refugjatët e rrahur, tha për BIRN-in se policia mori masa vetëm pas botimit të këtyre ngjarjeve.

«Pasi publikuam historitë, dhuna në kufi thuajse u zhduk për disa ditë dhe kjo ka ndodhur edhe me raste të tjera që kemi bërë publike për dhunën në kufirin kroat», tha ajo.

«Dikush në urdhrat e ministrisë apo policisë duket se ka pushtet të ndalojë menjëherë dhunën në kufirin kroat, ndaj përfundimi logjik është se ai ka pushtetin edhe ta urdhërojë», shtoi ajo.

Zajoviq tha se ministria po e heton aktualisht çështjen por ka refuzuar idenë se dhuna është sistematike dhe pretendon se nuk ka njohuri të sulmeve ndaj refugjatëve prej oficerëve të saj.

Organizata të tjera ndërkombëtare, Komisioneri i Lartë i BE-së për Refugjatët, Doktorët Pa Kufij dhe Doktorët e Botës gjithashtu regjistruan rritje të dhunës kundër refugjatëve në fund të majit, ndërsa disa grupe të caktuara refugjatësh kanë thënë se ata i kanë denoncuar këto raste kudo në të njëjtën mënyrë.

Refugjatët e dhunuar. Foto: Facebook/’Are You Syrious’

Ministria e Brendshme tha për BIRN-in se ka shprehur një qëndrim të qartë se nuk do të tolerojë «asnjë formë të dhunës nga policët», veçanërisht ndaj emigrantëve, të cilët për shkak të cenueshmërisë së tyre «kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare» në vend.

«Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kundërshton me forcë çdo pretendim të OJQ-ve se punonjësit e policisë i trajtojnë në mënyrë të paligjshme emigrantët me urdhër të komandantëve. Në këtë drejtim, ne deklarojmë se është në interes të kësaj ministrie të kontrollojë të gjitha pretendimet e referuara nga OJQ-të dhe të hetojë çdo formë shkelje të të drejtave të bazuara në ligj», tha ministria.

Ministria tha gjithashtu se Zyra e Prokurorit të Shtetit po heton paditë e paraqitura nga OJQ-të duke përsëritur se policia nuk ka regjistruar “ndonjë trajtim joprofesional apo të paligjshëm të emigrantëve” deri më tani.

Lea Horvat nga OJQ-ja Qendra për Studime të Paqes, gjithashtu i tha BIRN-it se reagimet e policisë gjithmonë pasojnë raportet e bëra publike – në janar dhe mars – dhe veçanërisht kur paraqiten kallëzime penale kundër autorëve të panjohur.

«Ne kemi vërejtur gjatë punës në terren se dhuna zakonisht zhduket pasi raportet bëhen publike. Kjo është ajo që ndodhi me këto raporte të fundit. Aktualisht nuk është përmendur më dhunë», tha ajo për BIRN-in.

Raportime të ndryshme për dhunën e policisë dhe trajtimin e paligjshëm të refugjatëve janë bërë edhe më parë gjatë këtij viti.

Kriza e refugjatëve në të ashtuquajturën itinerar i Ballkanit e cila goditi Kroacinë në shtator 2015, u qetësua pasi vendet e Ballkanit mbyllën kufijtë për refugjatët dhe emigrantët në mars 2016.

Grupe më të vogla vazhdojnë të përpiqen të hynë në Kroacia dhe të vazhdojnë më tej në Europë, kryesisht në Gjermani.

(https://www.reporter.al/policia-kroate-ndaloi-rrahjen-e-refugjateve-pas-denoncimeve/)