Pengmarrje në një kishë franceze

Në mëngjesin e së martës në veri të Francës ka ndodhur një pengmarrje në një kishë. Autorët e kanë mbytur priftin, ndërsa vetë janë «neutralizuar» nga ndërhyrja e forcave speciale.

Janë vrarë që të dy pengmarrësit e një kishe në Saint-Etienne-du-Rouvray të Francës veriore. Sipas policisë, atentatorët paraprakisht e kishin mbytur një prift. Një person tjetër ka ngelur i lënduar rëndë. Ngjarja ndodhur para meshës së mëngjesit të së martës. Atentatorët kishin qenë të armatosur me thika.

Sipas informatave të pakonfirmuara, transmeton «watson.ch», atentatorët kishin marrë peng katër deri gjashtë persona. Ndër ta edhe priftin dhe murgesha. Gazeta rrëfen se njëra nga murgeshat ka mundur të ikë dhe ta lajmërojë policinë.

Aksionin policor e kishte zhvilluar njësia speciale RAID, duke i «neutralizuar» që të dy pengmarrësit. Jetën e ka humbur edhe njëri nga pengjet. Është mbytur prifti 84 vjeçar. Nuk janë dhënë informacione të tjera lidhur me sfondin e ngjarjes. Vendin e kanë vizituar edhe presidenti dhe ministri francez i punëve të brendshme, François Hollande dhe Bernard Cazeneuve.

Ndërkohë ka reaguar edhe Vatikani – ai e dënon ashpër sulmin ndaj një prifti. Fjala është për një vepër barbare, ajo është aq më e hidhur për faktin që ka ndodhur në një kishë.

Ndërkohë mediat raportojnë që sulmin e ka marrë përsipër ISIS-i. ks