Policia e Kosovës lavdërohet në Suedi – gjeti teknikë të vjedhur

Përmes teknologjisë për pozicionim global, policia suedeze pati mundësi ta përcillte tërë rrugën e iPadëve, laptopëve dhe teknikës tjetër nëpër Europë, gjer në destinacionin e vet final, në Kosovë. Me ndihmën e aplikacionit Find my iPad, ata panë se teknika e vjedhur ishte ndaluar në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

Foto: Shutterstock



Disa media suedeze janë këtyre ditëve plot lëvdata të papritura për një institucion kosovar që jo gjithmonë përmendet për të mirë. Bëhet fjalë për Policinë e Kosovës, e cila, sipas raporteve nga agjencia e lajmeve TT, televizioni nacional suedez, radioja dhe gazetat e përditshme, ka arritur që brenda 48 orësh të lokalizojë në Prishtinë disa laptopë, iPadë e teknikë tjetër të vjedhur në Suedi, e të arrestojë dyqanxhiun që shiste mallin e vjedhur.

Ngjarja nis më 19 janar sivjet, kur grabitës të panjohur thyejnë një shkollë në Veddinge jashtë qytezës Varberg, në Suedinë perëndimore. Ata vandalizojnë shkollën në mënyrë ekscesive, marrin me vete teknikë të shtrenjtë, pos tjerash edhe laptopë dhe iPadë. Ditën tjetër, më 20 janar, policia në Suedinë jugore gjeti disa çanta laptopësh të gjuajtura në hendek skaj magjistrales E22.

«Dyshuam menjëherë, natyrisht, që teknika e vjedhur do të kalohej diku matanë kufirit. Dhe e kuptuam se ishim një ditë pas grabitësve», thotë Suzanne Redenfors, hetuese e policisë suedeze në Varberg.

Përmes teknologjisë për pozicionim global, policia suedeze pati mundësi ta përcillte tërë rrugën e iPadëve, laptopëve dhe teknikës tjetër nëpër Europë, gjer në destinacionin e vet final, në Kosovë. Me ndihmën e aplikacionit Find my iPad, ata panë se teknika e vjedhur ishte ndaluar në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. Policia suedeze vë kontakt me ambasadën suedeze në Prishtinë, ku një ndërlidhëse për çështje policore e konsullore kontakton pastaj me Policinë e Kosovës. «Ne nuk mund ta dinim adresën e saktë, por pamë që malli i grabitur ishte parkuar në një zonë të qytetit ku ka plot shitore të teknikës», thotë Redenfors. «Përndryshe në qytetin e Prishtinës ka plot shitore të tilla, disa jo më të mëdha se një plasë tapetash në mur. Por Policia e Kosovës vizitoi me rend të gjitha shitoret në atë anë, derisa i ra në gjurmë mallit të grabitur». Në një nga shitoret u gjetën shtatë iPadë dhe laptopë, numrat identifikues të të cilëve përputheshin saktësisht me mallin e grabitur në fshatin Veddinge të Suedisë. Ato tashti ndodhen në dhomën e provave të policisë, në pritje të kthimit për në Suedi.

«Kemi arritur të triangulojmë edhe artikuj të tjerë nga kjo grabitje në pjesë të ndryshme të Kosovës», thotë hetuesja Redenfors. «Kolegët në Policinë e Kosovës janë në gjurmim e sipër, ndaj presim që ta mbledhim një numër më të madh artikujsh për transport për në Suedi». Ajo është plot lëvdata për Policinë e Kosovës.

«Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me kolegët në Kosovë, janë shumë të prirë të na ndihmojnë», thotë Redenfors. «Marr vesh se kjo nuk qe punë krejt e lehtë, por gëzohem shumë që na dhanë prioritet, e që këmbëngulën në kërkim derisa patën rezultat». «E di që nuk bëhet fjalë për ndonjë shumë të madhe, por dërgon një sinjal me rëndësi në një vend të vogël si Kosova, ku të gjithë njohin të gjithë. Nëse atje kuptojnë që nuk mund të mbajnë mallra të vjedhura në Suedi, nga kjo fitojnë qytetarët e ligjshëm të dy vendeve».

Shqiptarët – diku rreth 60 mijë syresh – nisën të vinin në Suedi më masivisht në vitet 1980, me dyndje të hovshme ikanakësh shqiptarë gjatë viteve 1990. Integrimi i tyre fillimisht ishte i vështirë, publiku ankohej për sjellje të pamira dhe një ministre e atëhershme përmendi «traditat grabitëse» të shqiptarëve. Që atëherë shqiptarët janë integruar mirë në shoqërinë suedeze. Shumica dërmuese kanë punë, ndërsa të rinjtë vijojnë shkollimin superior, falë sistemit suedez që subvencionon arsimin gjer në nivel doktorature.

Mirëpo, një pjesë e shqiptarëve kanë ngelur në kënetat e krimit. Albanska liga, «lidhja shqiptare», përmendet shpesh në media e në literaturën e kriminologjisë, me epiqendrën pikërisht në perëndim të Suedisë, aty ku ndodhi grabitja, si dhe më poshtë në jug, ku ndodhen kanalet ndërkufitare të trafiqeve të pista.