Policia do të futet në Kuvend nëse rrezikohen deputetët

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës vlerësohet me rrezikshmëri të lartë. Për këtë arsye Kryesia e Kuvendit ka ndërmarrë masa që shmangin përplasjen fizike mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, shkruan sot Koha Ditore.




Në hyrje-daljet e Kuvendit do të ketë kontroll të plotë për secilin deputet dhe të tjerët që hyjnë në Kuvend. Nëse brenda sallës arrijnë të futen armë të mprehta dhe nëse ka konfrontim fizik, do të autorizohet intervenimi i policisë. Këto masa opozita i ka vlerësuar të papranueshme, duke paralajmëruar se për çdo përshkallëzim të situatës përgjegjësia bie mbi kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë e Kosovës.

Një ditë para mbajtjes së seancës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka mbledhur sërish anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare. Ai ka kërkuar t’i tregojnë se cilin skenar ta vërë në veprim përballë bllokadës së opozitës. E mungesa e një propozimi konkret, i cili nuk del jashtë Rregullores, herë pas here ka krijuar tension mes Veselit dhe përfaqësuesve të LDK-së.