Policia arrestoi 20 persona dhe procedoi mbi 100 të tjerë për krime zgjedhore

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako deklaroi një rritje të numrit të procedimeve penale për krimet zgjedhore të blerjes së votës, presionit mbi votuesin, shkeljes së fshehtësisë së votës apo veprave të tjera penale.

Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako gjatë konferencës për shtyp për punën e policisë gjatë procesit zgjedhor. Foto: Policia e Shtetit



Kur qytetarët u ishin drejtuar qendrave të votimit mëngjesin e 25 qershorit, policia e Elbasanit referoi në Prokurori 5 raste për veprën penale të «korrupsionit aktiv në zgjedhje». Policia lokale u tregua e rezervuar për shkak të hetimeve, por deklaroi se persona të caktuar kishin tentuar që të blinin vota-vepër penale kjo që dënohet me gjobë deri në 2 vjet burg.

Komunikatat e policisë tregojnë se në Elbasan u arrestuan me akuzën e blerjes së votës edhe 6 shtetas të tjerë, ndërkohë që raste të ngjashme u konstatuan edhe në Korçë, Shkodër apo Lezhë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako deklaroi në një konferencë për shtyp se në të gjithë vendin ishin evidentuar 69 vepra penale që prekin zgjedhjet e lira. Të referuara tashmë në prokurori, këto raste kanë të bëjnë me krime zgjedhore të tipit «korrupsionin aktiv», «kanosje apo dhunim të pjesmarrësve në zgjedhje», «shkelje e fshehtësisë së votimit» apo «votim më shumë se një herë».

«Gjatë gjithë fushatës zgjedhore, nga 26 Maji deri në 25 Qershor janë proceduar penalisht 114 persona. Janë arrestuar 20 persona, 17 po ndiqen në gjendje të lirë dhe 17 janë shpallur në kërkim», tha Çako. Ai shtoi se krimet zgjedhore të evidentuara ditën e votimit zënë 36 për qind të të gjithë volumit të krimeve zgjedhore.

«Gjithashtu, gjatë procesit të votimit është kërkuar ndërhyrja e Policisë në 190 raste në të gjithë vendin, ku Policia me vendim të komisioneve përkatëse ka ndërhyrë në 72 raste, pasi rastet e tjera janë zgjidhur nga vetë komisionerët», shtoi kreu i policisë.

Njësoj si në zgjedhjet e shkuara, edhe procesi i votimit gjatë ditës së dielë u shoqërua me akuza të ndërsjellta për blerje vote dhe intimidim të votuesve për të mbështetur njërën apo tjetrën parti. Këto akuza, të cilat kanë dëmtuar në vazhdimësi procesin zgjedhor në Shqipëri zunë vend edhe në raportin paraprak të vëzhguesve të huaj të OSBE-ODIHR-it.

Përveç përpjekjeve për të luftuar fenomenin e shit-blerjes së votës, Çako u ndal edhe tek rastet kur policia ka evidentuar zyrtarë të administratës që përdorin funksionin publik për veprimtari politike.

Policia kallëzoi drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe disa zyrtarë të bashkisë së Kuçovës-të gjithë përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Çako foli edhe për përfshirjen e policisë në  zgjedhjet elektorale të 2017, ku pesë efektivë të policisë iu nënshtruan hetimeve disiplinore dhe një polic kufiri u arrestua. Megjithatë, kreu i Policisë së Shtetit tha se ankesat për tre shefa komisariatesh në Pukë, Gramsh dhe Dibër rezultuan të pabaza.

«Pas letrës së Ministrit të Punëve të Brendshme për tre shefa komisariatesh, theksoj se pas verifikimeve të bëra nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, rezulton se shefat e komisariateve kanë kryer detyrën konform ligjit si dhe nuk janë konstatuar në asnjë rast në shkelje të Rregullores dhe Ligjit për  Policinë e Shtetit», tha kreu i policisë.

Rreth 6 mijë punonjës policie u përfshinë në procesin e sigurimit të qendrave të votimit, KZAZ-ve dhe vendeve të numërimit të votave. Megjithatë, numri i punonjësve të policisë që u angazhuan për mbarëvajtjen 1-mujore të fushatës elektorale ishte më i madh se 12 mijë.

(https://www.reporter.al/policia-arrestoi-20-persona-dhe-procedoi-mbi-100-te-tjere-per-krime-zgjedhore/)