Polici maqedonas e pranon: Mirsad Ndrecaj u kap i gjallë

Një polic maqedonas, pjesmarrës në luftimet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë, ka pranuar në seancën e fundit para trupit gjykues se Mirsad Ndrecaj ka qenë i gjallë në përfundim të aksionit. Këto dyshime forcojnë edhe më tepër pohimet që u ngritën pas incidentit të rëndë, kur emri i Mirsad Ndrecajt u gjet në listën e të arrestuarve të lëshuar nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë autoriteteve kosovare.

Lista me të arrestuar që i kishte dërguar ministria e Jashtme e Maqedonisë ambasadës së Kosovës në Shkup

Forcohen edhe më tepër dyshimet se njëri nga të vrarët në luftimet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë, Mirsad Ndrecaj, është likuiduar pas arrestimit. Është dëshmia e një polici maqedonas, i cili në seancën e fundit gjyqësore për këtë rast të mbyllur për mediat e ka pohuar këtë. Seanca e fundit u ndërpre, ndërsa zyrtarisht si arsye për këtë u dha rryma dhe defektet teknike.

Burime të gazetës «Lajm» në SHkup kanë thënë se shkaku i vërtetë ka qenë dëshmia e një polici pjesëmarrës në aksionin te Lagja e Trimave, i cili para gjykatës ka pranuar se Mirsad Ndrecaj është arrestuar i gjallë prej policisë. «Gjatë marrjes së kryqëzuar në pyetje, njëri prej avokatëve i bëri dëshmitarit të mbrojtur një pyetje me ‹sherr›. Avokati e pyeti policin nëse Mirsad Ndrecajn ai, apo kolegu i tij. Polici është përgjigjur se Mirsadin e ka arrestuar një koleg i tij. Ky pohim shkaktoi rrëmujë në gjykatë – reagoi trupi gjykues, duke kërkuar që të ndërpritet seanca dhe të fshihet dëshmia e policit», thonë burimet e të përditshmes në gjuhën shqipe në Shkup, «Lajm». Sipas saj, kjo dëshmi e policit (dëshmitar i mbrojtur), konfirmon dyshimet që ekzistonin në opinion që nga 10 maji.

Avokatët mbrojtës të pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës, as nuk e konfirmuan e as e demantuan këtë informacion. Por, pritet që ditët në vijim ata do të dalin dhe të flasin publikisht për shkaqet e vërteta që çuan në ndërprerjen e seancës gjyqësore. Dëshmi të këtilla, të cilat zyrtarisht nuk kanë mundur të konfirmohen, ka pasur dhe më herët. Në shumë raste edhe vetë të akuzuarit në rastin e Kumanovës kanë thënë para gjykatës se e kanë parë të gjallë Mirsad Ndrecajn gjatë arrestimit.

Këto dyshime përputhen edhe me audio-dëshminë e Sulejman Osmanit, poashtu i akuzuar në këtë rast, i cili në një bisedë të incizuar me Xhezair Shaqirin, ka thënë se me sytë e tij e ka parë duke u arrestuar të gjallë Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj.

Dyshimet më serioze që mbështeteshin edhe në një document zyrtar u ngritën vetëm disa ditë pas luftimeve në Kumanovë. Televizioni Alsat-M në Shkup atë kohë publikoi një dokument zyrtar, ku Ministria e Punëve të Jashtme njofton ambasadën e Kosovës me listën e personave të arrestuar më 9 dhe 10 majit në Kumanovë. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Mirsad Ndrecaj; përveç emrit aty ishin edhe të dhënat personale të Ndrecajt. Më pas u tha se ka ndodhur një gabim gjatë përpilimit të të dhënave dhe se janë ngatërruar të arrestuarit me të dhënat e personave të vrarë.