Polemikë në Zvicër: Të përmendet apo jo nacionaliteti i shkelësve të ligjit?

Shefi i Departamentit të Sigurisë të qytetit të Zürichut Richard Wolff ka vendosur që në komunikatat e policisë të mos përmendet më nacionaliteti i delikuentëve. Ai thotë se policia nuk duhet të favorizojë racizmin latent. «Nuk dua që përmes përmendjes permanente të nacionalitetit të krijohet përshtypja se disa të huaj janë kriminelë. Një i ri shqiptar, i cili sillet korrekt, duhet të ketë shanset e njëjta si të tjerët kur kërkon një vend për të nxënë një profesion», thotë Wolff. Por, vendimin e tij ka zëra që e kundërshtojnë.

Foto: Shutterstock



Shefi i Departamentit të Sigurisë të qytetit të Zürichut Richard Wolff është politikan i majtë. I përket partisë Alternative Liste (AL), e cila është aktive në kantonin e Zürichut dhe të Schaffhausenit. Rrjedhimisht, si majtist Wolff ka më shumë mirëkuptim për hallet e të huajve se politikanët e djathtë të Zvicrës, të cilët nuk janë të paktë në këtë vend, madje përbëjnë shumicën. Dhe kjo shumicë përherë merret kryesisht me një temë: kriminalitetin e të huajve. Të huajt janë mbiproporcionalisht të përfaqësuar në statistikat e kriminalitetit. Në komunikatat e policisë shpesh njoftohet se shoferi që rrezikoi të tjerët duke «fluturuar» me veturë ishte shqiptar, vjedhësi i argjendarisë serb, plaçkitësi i dyqanit afrikan. Wolff ka marrë vendim që policia e Zürichut në të ardhmen të mos përmend nacionalitetin e shkelësve të ligjit dhe viktimave të tyre. Ai mendon se përmendja e nacionalitetit është problematike, sepse nxit përbuzjen e zviceranëve kundër të gjithë të huajve.

Kjo dëshmohet edhe nga studimet e ekspertëve. Një shqiptar e ka shumë më vështirë të gjejë një banesë se një zviceran. Një nxënës shqiptar, i cili kërkon një ndërmarrje ku mund të mësojë zanatin e mekanikut, shpesh refuzohet për shkak të mbiemrit, jo për shkak të notave, të cilat mund t’i ketë të ngjashme apo më të mira se shoku apo shoqja e tij zvicerane. «Urrejtja latente ndaj të huajve është rritur viteve të fundit. Nuk dua që përmes përmendjes permanente të nacionalitetit të krijohet përshtypja se disa të huaj janë kriminelë. Një i ri shqiptar, i cili sillet korrekt, duhet të ketë shanset e njëjta si të tjerët kur kërkon një vend për të nxënë një profesion», thotë Wolff në një intervistë. Shumica e mediave zvicerane mendojnë se përmendja e nacionalitetit duhet bërë për hir të transparencës. Një argument tjetër është se mospërmendja e emrit vetëm u ndihmon popullistëve të djathtë të bëjnë me gisht nga e majta, e cila gjoja po i fsheh krimet e të huajve.

Hans-Jürg Käser, president i konferencës së drejtorëve kantonalë të drejtësisë dhe të policisë, në një intervistë dhënë gazetës «Neue Zürcher Zeitung» kritikon ashpër shefin e Departamentit të Sigurisë të qytetit të Zürichut Richard Wolff. Käser thekson se mospërmendja e nacionalitetit vetëm ngjallë përbuzjen e njerëzve, sepse ata pastaj kanüe përshtypjen se autoritetet po fshehin diçka. «Me përmendjen e nacionalitetit nuk thuhet se të gjithë të huajt janë kriminelë. Por, e saktë është se numri i të hujave në burgjet zvicerane është i lartë mbi mesataren. Statistika tregon: në 1000 afrikanë veriorë në Zvicër për çdo vit dënohen 20. Te personat nga ish-Jugosllavia sipas këtij krahasimi janë tetë dhe te zviceranët tre. Me këtë çështje duhet të merremi», tha Hans-Jürg Käser.

Käser ka folur edhe mbi rrezikun e ekstremizmit fetar në Zvicër. Ai tha se islami radikal është problem serioz në Zvicër. «Në kantonin e Bernës aktualisht janë 23 imamë nën vëzhgim nga Shërbimi Sekret», tha ai. Käser ka një porosi për të gjithë të huajt: «Kush vjen në Zvicër, shumë shpejt duhet ta kuptojë se këtu mund të jetohet mirë vetëm nëse respektohen rregullat. Nëse kjo s’bëhet, atëherë duhet të ketë pasoja». Ai është angazhuar që në të ardhmen të jetë e mundshme pezullimi i ndihmave sociale për çdo të huaj që keqpërdorë mikpritjen në Zvicër.