Podujeva dhe MPMS-në, marrëveshje për punësim sezonal të 30 punëkërkuesve

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu priti në takim Zëvendësministren e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj – Beqaj me të cilën finalizuan marrëveshjen e bashkëpunimit për punësim sezonal të punëkërkuesve në institucionet publike.




Në këtë takim u diskutua për rëndësinë e projekteve të përbashkëta, të cilat po ndërmerren në kuadër të bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve.

Me këtë rast, Veliu dhe Hajzeraj nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me të cilën parashihet punësimi sezonal i 30 punëkërkuesve në institucionet publike.

«Nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla nga Komuna jonë është i rëndësisë së veçantë, për faktin se mundëson punësimin e qytetarëve tanë, kur dihet se problemi kryesor me të cilin përballemi është papunësia», tha Veliu

Hajzeraj – Beqaj shprehu gatishmërinë e kësaj ministrie për realizim të projekteve të ndryshme, të cilat mundësojnë punësimin e punëkërkuesve të regjistruar në Zyrën e Punësimit.

Duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar sot, zv-ministrja Hajzeraj – Beqaj tha se ajo parasheh punësim sezonal të 30 punëkërkuesve në institucionet publike.

Në takim ishin prezent edhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Avni Fetahu dhe përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.