Po u nda Kosova…

As ndarja e Kosovës nuk mund të jetë tabu, por ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk favorizon ndryshim të kufijve në Ballkan, shqiptarët mund të luajnë vetëm vallen e Beogradit. Dhe pastaj do të humbin më shumë se dy-tri komuna në veri të Kosovës.



Mirë, ore, mirë, po nëse futet Serbia deri te lumi, hm, si quhej, Ibër, nëse hyn deri aty, atëherë kjo pjesa tjetër e Kosovës e fiton të drejtën të bashkohet me Shqipërinë. Të parafrazuara këto ishin fjalët e një publicisti nga Tirana të brohoritura në një studio televizive para disa ditësh. Ky nuk është një zë i izoluar. Ka edhe analistë të tjerë në Tiranë (dhe bjerrakohës në Kosovë) që me lehtësi të pabesueshme luajnë rolin e gjeodezistëve kombëtarë, ja ku e kemi vizoren, serbët andej, shqiptarët këndej, ata veriun e Mitrovicës, ne Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, përfshirë edhe të gjitha fshatrat ku flitet e ëmbla gjuha shqipe, pastaj vendosim kufirin nga Kumanova në Ohër, u bë Shqipëria etnike – dhe për plazh («n’deti») shkojmë në Ulqin, natyrisht në Plazhin e Madh. Edhe kështu mund të flitet për politikë, kuptohet nëse dëshironi të mos merreni fare seriozisht.

A mund të ndahet Kosova? Në botë kanë ndodhur gjëra që s’janë marrë me mend, është zgjedhur Donald Trumpi kryetar i SHBA-ve, ka humbur Hillary Clinton, më herët janë shpërbërë Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik, Gjermania qeveriset prej më shumë se një dekade nga një shkencëtare gjermanolindore. Rrjedhimisht, edhe Kosova mund të ndahet. Por a duhet të ndahet?

Ka vite që Serbia kërkon partnerë për këtë projekt. Më i zëshmi është Ivica Daçiqi, ministri i Jashtëm serb, ish-zëdhënësi i Slobodan Millosheviqit. Ai ankohet në media se «pala shqiptare» (e ka fjalën për delegacionin e Kosovës që shkon në Bruksel për negociata) po refuzon të flasë për këtë temë për shkak të frikës që ka nga bashkësia ndërkombëtare. Për ta mbajtur aktuale temën e ndarjes Beogradi është përpjekur t’ia ledhatojë egon Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, duke e trajtuar si «baba të kombit shqiptar». Këso eksperimentesh Serbia ka bërë edhe para një shekulli me një tjetër me-nder-me-thënë-shqiptar – me Esad Pashë Toptanin. Për fat të mirë Rama nuk është tradhtar dhe duket se nuk është as budalla si Toptani. Heshtja e tij pas provokimit të fundit të Beogradit me trenin nacionalist tregon se tek tani i dëshpëruar e ka kuptuar se si e kanë keqpërdorur Ivica Daçiqi (duke i kënduar këngë për ditëlindje) dhe Aleksandër Vuçiqi (duke e shëtitur nga Beogradi në Nish në konferenca biznesmenësh, ku në thelb bëhej fjalë vetëm për hapjen e tregjeve shqiptare për sa më shumë prodhime serbe).

Deri më tani politikanët shqiptarë në Prishtinë kanë heshtur sa i përket ndarjes, sepse kanë pasur arsye. Shteti i Kosovës nuk është vetëm projekt i shqiptarëve të Kosovës, por edhe i bashkësisë ndërkombëtare perëndimore. Rrjedhimisht, për ndryshimin e projektit duhet të ketë edhe një konsultim me faktorët ndërkombëtarë. Në projektin e pavarësisë së Kosovës Shqipëria – për shkak të pasojave të regjimit komunist dhe tranzicionit brutal në demokraci – nuk ka mundur të luajë ndonjë rol esencial. Ka ndihmuar brenda mundësive të saj, gjithnjë duke respektuar agjendat perëndimore për Kosovën.

A mund ta ndajnë analistët dhe gazetarët Kosovën? Jo. Por mund t’i fryjnë zjarrit, të ashpërsojnë krizën, të tensionojnë situatën. Nëse mendohet se kështu do të shpërthejë një konflikt i shkurtër shqiptaro-serb dhe mandej kufijtë të do vendosen sipas qejfit të Tiranës dhe Prishtinës, sepse «neve si viktima të licencuara» do të na mbështesin NATO, Amerika, Gjermania, Britania e Madhe, eskimezët, me një fjalë mbarë Perëndimi, atëherë ky është një gabim i madh. Mund të kenë shpresa të tilla ata që nuk i kanë parë zhvillimet e fundit ndërkombëtare, ata që spekulojnë se nëse Vladimir Putini bën një hap drejt Kosovës, Donald Trumpi do të nisë dhjetëra divizione, brigada e njësi për të mbrojtur Kosovën. Se si kanë ndryshuar rrethanat gjeopolitike mund të mësohet në numrin e fundit të revistës gjermane «Der Spiegel». Aty citohen dy këshilltarë të kancelares Angela Merkel, të cilët muajve të fundit janë takuar disa herë me anëtarë të ekipit të Trumpit dhe të dëshpëruar raportojnë në Berlin se administrata e re nuk ka haber për Europën, nuk e çmon aleancën transatlantike (përkundër disa fjalëve qetësuese të ministrit të ri amerikan të Mbrojtjes, i cili ka bërë një copë karrierë në NATO). Kjo është administratë biznesmenësh që interesohet – për biznese.

Ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk favorizon ndryshim të kufijve në Ballkan, shqiptarët mund të luajnë vetëm vallen e Beogradit. Dhe pastaj do të humbin më shumë se dy-tri komuna në veri të Kosovës. Çfarë do të thonë pastaj analistët me vizore, çfarë do të thonë gjeodezistët kombëtarë? Beogradi nuk po kërkon ndarjen e Kosovës për arsye altruiste, por për të filluar pastaj shkatërrimin e Bosnjë-Hercegovinës, një projekt tjetër ndërkombëtar. Pse të bëhemi ne merak çfarë bën vaki në Bosnjë? Kështu mund të pyes ndonjë analist. Pyetja më e saktë do të ishte: përse të bëhemi ne sebep që Beogradi të nisë projektin për krijimin e Serbisë së Madhe duke marrë sinjale nga shqiptarët për ndarjen e Kosovës?

Si për vallen e tangos edhe për konflikte duhen së paku dy palë. Acarimi i gjendjes në Kosovë mobilizon elektoratin nacionalist në Serbi para zgjedhjeve presidenciale në prill dhe mund të krijojë rrethana për një kryengritje të serbëve të veriut, gjë që do të hapte temën e ndarjes territoriale. Paradoksalisht interes në eskalim të situatës kanë edhe disa nga krerët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët ka disa muaj që po kalojnë çaste të vështira nga frika se mund të akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte. Shikojeni me çfarë sinqeriteti të shpifur flet këto ditë Hashim Thaçi dhe si ka folur deri më tani. Si kryeministër dhe kryetar vendi ai me vite ka thënë, ka rrahur gjoks se më 25 korrik 2011 ka dhënë urdhër për intervenimin e policisë në veri dhe kështu, sipas tij, është kthyer sovraniteti i plotë i Kosovës në atë pjesë. Që aksioni ishte zhvilluar pa dijen e drejtorit të policisë dhe me një njësi profesionalisht dhe teknikisht të papërgatitur për një operacion të tillë, është fakt për libra të historisë. Tani Thaçi po e pranon se Kosova nuk ka sovranitet në veri, po flet për serbë të armatosur dhe për armatosjen e tyre po e akuzon Serbinë. Nëse është kështu, atëherë çfarë kanë bërë autoritetet e Kosovës në pesë vitet e fundit në veri për ta konsoliduar sovranitetin, i cili, sipas Thaçit, është kthyer më 25 korrik 2011? Për çka është biseduar qe pesë vjet në Bruksel?

Duke i parë të gjitha këto zhvillime të ditëve të fundit, shqiptarët e Kosovës natyrisht duhet të jenë të gatshëm të mbrojnë republikën e tyre, por kurrsesi nuk duhet të bien në gracka politikanësh dhe të besojnë në hamendje analistësh. Çmimin nuk do ta pagujanë as politikanët, as gazetarët e papërgjegjshëm, siç nuk e kanë paguar as në mars të vitit 2004. Çmimin atëherë e kanë paguar qytetarët e Kosovës.