PO rritjes së pensioneve të pleqërisë

Kush ka punuar tërë jetën e tij, duhet që nga pensioni i tij i pleqërisë të mund të bëjë një jetë si i ka hije. Mirëpo realiteti duket ndryshe: pensionet e Fondeve Pensionale bien poshtë dhe pensionet e AHV çalojnë duke mbetur edhe më mbrapa pas pagave. Të djathtët duan të rrisin në 67 vjet moshën e pensionit dhe planifikojnë një vjedhje gjigande të radhës.

Autori, Osman Osmani, është kandidat për deputet kantonal i SP-së në Schaffhausen

Më 25 shtator 2016 qytetarët me të drejtë vote në Zvicër do të votojnë për tre propozim-ligje të rëndësishme. Ato kanë të bëjnë me të gjithë banorët e Zvicrës, pra edhe me ata që nuk kanë pasaportë zvicerane e që nuk mund të votojnë. Andaj është edhe më se e rëndësishme që ata të motivojnë kolegët me të drejtë vote që të marrin pjesë në votime.

Jo reduktim, por fuqizim të sigurimi shoqëror të pleqërisë

Iniciativa AHV+ është një nismë sindikaliste. Të gjithë pensionistët, nëse aprovohet iniciativa, duhet të marrin 10 për qind më shumë pension. Për të gjithë ata që kanë paga të ulëta, për njerëzit që kanë punuar pjesshëm (dhe kohë pas kohe) e kanë pasur ndërprerje në karrierën e tyre profesionale, para së gjithash për gratë, AHV/AVS (Sigurimi Shoqëror Pensional dhe i Trashëgimtarëve) është më i rëndësishëm se sa kolona e dytë e Sigurimit Profesional (Trusti) Pensional (BVG/LPP): Kush ka të ardhura më të ulëta, merr nga AHV/AVS pension më të lartë, se sa nga Trusti Pensional. AHV/AVS është shumë më social se sa Trusti Pensional, pasi njerëzit me të ardhura më të larta paguajnë më shumë se sa marrin; përderisa punëmarrësit me paga të ulëta marrin më shumë përfitime se sa që kanë paguar kontribute. AHV/AVS jo vetëm se është më sociale, por është edhe më efeciente nga Trusti Pensional. Për më shumë para të paguara në Trustin Pensional, shumica nga ne në moshë të shtyrë marrim më pak pension. Ndryshe qëndron puna tek AHV/AVS: Pensionet sipas rregullit në çdo dy vite përshtaten me shtrenjtimin dhe zhvillimet e pagave. Kjo është e mundur pa problem, pasi rriten edhe pagat, e  kështu edhe të hyrat në AHV/AVS. Andaj ngritja e AHV/AVS për 10 për qind është më se e nevojshme, për të baraspeshuar humbjet në kolonën e dytë të Trustit Pensional. Votoni PO për AHV/AVS+.

Duhet votuar PO për AHV/AVS+

Pensionet e Fondeve Pensionale ulen. Edhe pse paguhen gjithmonë e më shumë para në kolonën e dytë, pensionet janë më të ulëta. Humbet e pensioneve prej 20 për qind nuk janë të rralla. Ndërsa Pensionet e kolonës së parë shoqërore AHV/AVS çalojnë duke mbetur edhe më mbrapa pas pagave: Qiraja dhe premitë e sigurimeve shëndetësore aktualisht përpijnë dy të tretat e pensionit maksimal të AHV/AVS-it. Para 40 viteve ishte vetëm gjysma. Kështu në ardhmen shumat e AHV/AVS-it dhe ato të Fondeve Pensionale nuk do të mjaftojnë për një jetesë modeste. Andaj është koha e fundit për përmirësime të pensioneve nga kolona e parë e sigurimeve shoqërore AHV/AVS.

Në vend se pensionistët të merren seriozisht dhe të kujdesen për pensione të qëndrueshme e të mira, shumica e së djathtës në parlamentin nacional predikojnë përkeqësime të mëtejme. Bashkë me shoqëritë e punëdhënësve, ata sulmojnë AHV/AVS-in, kërkojnë shkurtime të pensioneve dhe rritje të moshës së daljes në pension deri në moshën 67, bile edhe deri në 70 vjeçe.

Rruga më e sigurt dhe me kosto më e lirë, për të baraspeshuar humbjet e Fondeve Pensionale është rritja e pensioneve të AHV/AVS-it për 10 për qind. Pasi sigurimi shoqëror i kolonës së parë AHV/AVS nuk varet nga ulje-ngritjet e tregjeve financiare. Ai nuk është top loje i interesave për profit të shoqërive e fondeve të sigurimeve. Ai është më i sigurt. Ai financohet në mënyrë solidare dhe sigurimi shoqëror i kolonës së parë ka raportin më të mirë çmim-shërbim (kontribut-përfitim).

Stop reduktimit

Nën presion nuk janë vetëm pensionet, por edhe pagat, vendet e punës dhe financat publike; heqja e kursit minimal për Euron nga ana e Bankës Kombëtare të Zvicrës deri më tani ka kushtuar me dhjetëra mijëra vende pune. De-industrializimi paraqet një kërcënim. Pos kësaj, dumpingu në paga edhe më tej është në rend dite. Edhe përkundër kësaj, punëdhënësit, Qeveria federale dhe shumica e djathtë në Parlament, refuzojnë të mbrojnë më mirë pagat dhe kushtet e punës. Ndërsa në federatë, kantone e komuna programet kursyese ndjekin njëri-jetrin. Në të njëjtën kohë, partitë e djathta u shpërndajnë pandërprerë dhurata ndërmarrjeve, aksionarëve dhe të pasurve. Gostinë e paguajmë të gjithë ne. Me taksa e tatime më të larta. Si dhe me reduktim të shërbimeve publike.

PO për AHV/AVS+

AHV/AVS+ është rruga më e thjeshtë dhe me kosto më të lirë, për t’i dhënë fund masakrës në pensione. Pasi AHV/AVS-i ka raportin më të mirë çmim-shërbim. Dhe është më e sigurt, pasi nuk iu nënshtrohet fare rreziqeve të tregjeve financiare. Sindikatat e Bashkuara të Zvicrës (SGB/USS), sindikatat që përbëjnë atë dhe «Aleanca për një AHV/AVS të fortë» janë duke udhëhequr një fushatë shumë energjike. Ata do ta luftojnë fuqishëm provokimin e komisionit federal. Andaj, edhe për këtë arsye me 10 shtator 2016 në Bernë u zhvillua një demonstratë me moton «Kundër reduktimeve të pensioneve, për pensione të mira dhe për një AHV të fuqishme. Kundër reduktimit të vendeve të punës dhe dumpingut në paga. Dhe kundër varrosjes së shërbimeve publike».

Rekomandimet tona votuese për dy propozim-ligjet tjera të 25 shtatorit 2016:

PO ekonomisë së gjelbër. Mënyra e tanishme e ekonomisë çon në mbishfrytëzimin e resurseve natyrore. Me një PO për ekonominë e gjelbër fitojmë të gjithë ne, ekonomia dhe gjeneratat pas nesh.

JO propozim ligjit të agjensisë (shtetëror) informative. Ligji i ri i shërbimit të zbulimit don zgjerim masiv të kompetencave të shërbimit (shtetëror) të zbulimit dhe i hap shtetit nuhatës dhe përgjues dyer e dritare. Në të ardhmen ky shërbim do të fitojë mundësinë pa asnjë dyshim të ndonjë vepre të ndërhyjë në sferën private të qytetarëve për të mbikëqyrur jetën dhe komunikimin e tyre. Andaj ne i themi JO këtij propozim ligji!

(Autori i këtij artikulli është sekretar nacional për emigracionin në sindikatën Unia)