Po, apo jo?

Nuk është e vështirë ta përfytyrosh sesi jetohet në një ambient ku nuk merret vesh kur është «po» e kur «jo». As nuk duhet ta imagjinosh atë – ky është realiteti shqiptar.

Njëra ndër sfidat aktuale të shqiptarëve është që të marrin vesh nëse partitë politike në Shqipëri janë për apo kundër të famshmes reformë në drejtësi. Kur hyjnë në takim thonë po, kur dalin nga takimi – jo. Aty zotohen kështu, aty ashtu. Menaxhimin e Qeverisë shqiptare së fundmi të aferës së përgjimit mund ta hanë vetëm shqiptarët. Ka pasur aparaturë përgjimi, por nuk ka pasur përgjime. Pastaj pranohet se ka pasur përgjime, por nuk ka pasur përgjues. Nuk ka pasur autorizim ligjor të prokurorit për përgjime, por ndjekja penale për shkelje të ligjit është kriminale. Nuk ka asnjë zyrtar me rekorde kriminale të mazhorancës – «zero!», ilustron edhe në mënyrë nonverbale – me gishtërinj – kryeministri shqiptar, ndërkohë që janë larguar nga politika katër të tillë për krime aspak më të vogla se vrasje, shfrytëzim prostitucioni dhe trafik droge. Në një skenë tjetër publike do të mbetet lapidar pohimi i kryeministrit kosovar më 2012 se nuk do të ketë fusnotë në prezantimin e vendit nëpër takime ndërkombëtare. Pak më pas u arrit marrëveshja që parashikon paraqitjen e Kosovës në takimet rajonale me fusnotën, e cila përmban Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë opozita herë shpall se ndjek revolucionin social, herë e mohon atë. Kryeministri i shqiptarëve të Maqedonisë thotë se do të ketë zgjedhje, dhe vetëm disa ditë para afatit të shpalljes depoziton kërkesë për shtyrjen e tyre.

I njëjti raport me qytetarin mbretëron edhe në rrafshet më të ulëta të sistemit. Nuk mund të nxjerrësh një filan dokument, arsyeton burokrati i administratës si të ishte një specialist i të drejtës kushtetuese. Nuk mund të kalosh pa filan kartonin, kërcënohet polici i trafikut. Nuk mund ta kalosh provimin, argumenton profesori në Universitet. Nuk mund ta marrësh vitin, parashikon mësuesi në gjimnaz… Nuk ka shërim, thotë specialisti në spital. Nuk ka din e iman, predikon hoxha. Jo, jo, jo! – që në fund bëhen po, po, po!… Bëhen – me lekë, me miqësi, me hatër, me ligësi… edhe certifikata, edhe kartoni, edhe diploma, edhe viti, edhe shëndeti, edhe filani, edhe dini e imani!

Në planin shoqëror i gjejmë të njëjtat marrëdhënie. Jo, i përgjigjet pa diskutime vajza e papushtueshme si kështjella çunit që i bën, si të gjithave kandidateve të tij, be e rrufe se do të martohet me të. Dhe, pas ndonjë jave e sheh tek i ka dorëzuar të gjithë çelësat e kalasë dhe digjet në kraharorin e tij e lumtur si në qiellin e shtatë. Jo, i përgjigjet nëna dëshirës së të birit për ta stolisur veshin e tij me vath. Por, qenia e tyre te shqiptarët gjithmonë dhuron më shumë dashuri sesa edukim. Pas ca kohe do ta shohësh të birin me dy xhevahire që shkëlqejnë në puplat e veshit të tij. Po, premton babai një celular a video-lojë dhe, pas një përllogarie, alamet burri tërhiqet.

Ndërkohë nuk tërhiqet Zvicra nga anulimi i Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore me Kosovën. Atë nuk e prek fakti i mijëra emigrantëve që erdhën për tre vjet këtu, lanë kockat në kantieret e vendit dhe pas 30-40 vjetëve nuk mund të kthehen në vendlindje. Njëherë kushtet, pastaj pensioni, thotë Zvicra. Nuk tërhiqet as Gjermania nga refuzimi i azilit për shqiptarët, pavarësisht mjerimit në të cilin ata janë katandisur. Nuk shkon edhe aplikim për integrim në strukturat veriatlantike, edhe azil! Nuk tërhiqet polici nga gjoba, sado të shkëlqejë vetura e re. Nuk ka ditë pushimi shtesë nga shkolla për fëmijët e emigrantëve, përndryshe vjen gjoba e padyshimtë dhe e kripur! Kjo mendësi e rreptë është ngulitur në sjelljet e atyre që konfrontohen me të. Jo rrallë ndeshim një moral të dyfishtë të shqiptarëve: një në raport me botën – ta zëmë – atë gjermanofone, dhe një tjetër me botën shqiptare.

Sado që shembujt e mësipërm nuk e japin sfondin e këtyre lëkundjeve, mungesa e stabilitetit në pohime dhe veprime duket sinjifikante. Dhe, këto keqkuptime nuk mund të mos kenë pasoja në mënyrën e sjelljeve të pjesëtarëve të kësaj kulture. Sigurisht që konfrontimi me këtë mentalitet nuk përbën diçka të këndshme. Mund t’ju rrëfej pa fund histori të vështirësive të mërgimtarëve shqiptarë për të dhënë ryshfet në vendlindjen e tyre. Në këto momente atyre u mungon intuita për ta kuptuar një gjë të tillë, pastaj edhe takti për t’u gjetur në këso situatash; sepse ky marifet ndërkohë e ka fituar artin e vet: në fund e tëra duhet të duket si një insistim i marrësit të shërbimit për t’i dhënë ryshfet autoritetit!

Pavarësisht bazës modeste empirike, dëshiroj të rrezikoj akoma më shumë: Preferenca e emigrantëve për të folur – për shembull – gjermanisht, sidomos te të rinjtë me njëri-tjetrin, por edhe me prindërit e tyre, është edhe një formë e azilit në një ambient kulturor në të cilin orientohen më mirë. Gjuha me të cilën shprehet mendësia që ata nuk i përparon i detyron të emigrojnë në një komunikim ku janë të sigurt për kuptimet e fjalëve, ku ato nënkuptojnë atë që thonë. Kështu, gjuha e huaj bëhet terreni ku ata e përjetojnë realitetin normalisht. Sepse, nuk mund të lindin keqkuptime më të mëdha se aty ku «jo» shpeshherë domethënë «po», kurse «po» është «jo».

Ja një shembull si mendësia i kontribon asimilimit të njerëzve të vet. Por, kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. Gjurmët e një komunikimi dinjitoz te shqiptarët kanë ngelur në shprehjet popullore të tipit «thënë shqip!», apo dyfish të vendosur: «shkurt dhe shqip!». Madje ai i ka impresionuar edhe të tjerët. Itineraristi gjerman Karl May rrëfen në librat e tij se shqiptari thotë dy herë jo – për të tretën nxjerr revolverin! Kjo i bie që shqiptarët në kohë të tjera i ka karakterizuar një moral dhe prestigj më i lartë, edhe në logun ndërkombëtar.