Plumba në Ankara: Vritet ambasadori rus në Turqi

Në një sulm me armë zjarri është vrarë ambasadori rus në Turqi. Ka edhe të plagosur të tjerë.

Foto: Kawin Ounprasertsuk / Shutterstock.com



Andrei Karlow, ambasadori rus në Turqi, është vrarë në një sulm në kryeqytetin turk Ankara. Vdekjen e tij nga plagët e marra në sulm e ka konfirmuar edhe Ministaria e Punëve të Jahstme ruse.

Të hënën mbrëma të 19 dhjetorit 2016, në hapjen e një ekspozite, u qëllua mbi ambasadorin rus në Ankara. Në media të ndryshme qarkullojnë edhe video nga ngjarja. Bri trupit të shtrirë të ambasadorit ndihen britmat e autorit të sulmit: «Allahu Akbar» dhe «Alepo» e «Siri». Vrasja ka ndodhur në galerinë e ekspozitës «Rusia, si shihet nga turqit». Autori ka shtënë në të menjëherë pas përfundimit të fjalimit nga ambasadori 62-vjeçar. Viktima është dërguar në Spital, ku edhe edhe ka vdekur.

Neue Zürcher Zeitung i referohet një postimi të prefektit të Ankarasë, sipas të cilit, autori i sulmit ka qenë polic. Sipas Agjencisë Turke të Lajmeve, ai është neutralizuar, që sipas terminologjisë së autoriteteve turke domethënë se ai është vrarë, plagosur apo arrestuar. Mediat turke kanë raportuar se menjëherë pas sulmit galerinë e kanë vështuar forcat speciale të policisë. Atentatori ka qenë i veshur me kostum, vërejnë mediat.

Incidenti interpretohet si një sulm në marrëdhëniet bilaterale, pas një afrimi të vonë midis Rusisë dhe Turqisë, nga një krizë e rëndë. Më 2015 avionë turq e kishin rrëzuar një aeroplan luftarak rus në zonën kufitare me Sirinë, pas të cilit Moska vendosi sanksione kundër Turqisë. Këtë të marte ministrat e jashtëm të Rusisë, Turqisë dhe Iranit duhej të takoheshin në Moskë për të biseduar për Sirinë. Thuhet se takimi do të ndodhë pavarësisht nga atentati.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan e ka informuar homologun e tij rus, Vladimir Putin, për rezultatet e para të hetimeve të sulmit, ku humbi jetën ambasadori rus. Detaje nga telefonata e shefave të shteteve nuk janë bërë të ditura për opinionin. Nga Ministria e Jashtme turke kanë thënë se nuk do të lejohet që «sulmi të hedhë hije mbi miqësinë turko-ruse». Nndërsa shefi i Komisionit për Politikën e Jashtme në Parlamentin rus është shprehur se pavarësisht nga kjo tragjedi, duhet punuar në mënyrë konstruktive.

Siç dihet, Moska dhe Teherani e përkrahin presidentin sirian, Bashar Asad. Ndërkohë që për Turqinë thuhet se e do një Siri pa Asadin. Sipas autoriteteve ruse, porositësit e atentatit mbi ambasadorin dëshirojnë një turbullim të marrëdhënieve bilaterale me Turqinë. Kryetari i Komisionit të Sigusrisë në Parlamentin rus është shprehur se atentati është edhe një sulm në raportet ruso-turke. ks