Pllaka e periudhës osmane nxit akte vandale në Kalanë e Lezhës

Mbishkrimi i periudhës osmane i rivendosur në Kalanë e Lezhës në Shqipëri tashmë është bërë mollë sherri për banorët e zonës.




«Albania» është mbishkrimi me ngjyrë të kuqe që është shkruar gjatë natës së të mërkurës midis portës kryesore dhe pllakës së periudhës osmane, e vendosur aty të martën. Në anën e djathtë të portës po me ngjyrë të kuqe është shkruar «Mos u shitni te osmant», përderisa pllaka me mbishkrimin osman është shkarravitur me ngjyrë të zezë, shkruan sot «Koha Ditore».

Mbishkrimi i vendosur në ballë të monumentit të antikitetit shpjegon se rindërtimi i këtij objekti është bërë në mesjetë nga Sulltan Sylejmani, i cili asokohe udhëhiqte Perandorinë.

«Sulltan Sulejmani e ka rikonstruktuar këtë Kështjellë të bekuar. Zoti e përjetësoftë mbretërimin e tij dhe i dhëntë jetë të gjatë. Me ndihmën e Dervish Muhamedit, i biri i Uzgur. Kryelarta, Kështjellë e fortë e Sulejmanit. Viti 928 ose me kalendarin Gregorian, viti 1522», është mbishkrimi i pllakës. Rikthimin e saj e kishin kritikuar edhe arkeologët megjithëse ishte thënë se e njëjta kishte qëndruar aty deri në vitet ’70, kur edhe ishte zbuluar nga arkeologu Frano Prendi. Akti kundër pllakës ka nxitur edhe reagimin e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro – Furxhi. Nëpërmjet një postimi më «Facebook» me titull «Mos kini frikë nga monumentet e kulturës», Kumbaro-Furxhi e ka dënuar aktin e së mërkurës.

«Aq më shumë në një ditë feste paqeje dhe urimesh e përkushtimi për tjetrin, dënoj me forcë çdo veprim që cenon kulturën, trashëgiminë, gjurmët e historisë, monumentet e kulturës siç të parët na i kanë lënë», ka shkruar Kumbaro – Furxhi. Sipas saj, është detyrë e shtetit dhe e shoqërisë të mbrojë çdo gur.

«Gjithçka është pjesë e identitetit tonë kulturor, kombëtar, ballkanik, evropian, njerëzor», ka shkruar i para e kulturës në Shqipëri. Sipas saj, monumentet janë dëshmitare të historisë, por nuk e shkruajnë atë. Ka shkruar se Ministria e Kulturës dhe restauruesit kanë detyrë të mbrojnë, të ruajnë e ta promovojnë trashëgiminë pa e deformuar e pa e zbukuruar atë.

«Këtë do ta bëjmë të gjithë bashkë si një komb i qytetëruar. E kundërta ndodhet te barbarët, te armiqtë e kulturës, por edhe të vetvetes. Sot ata gjenden në krah të përbindëshit me emrin ISIS», ka shkruar Kumbaro -Furxhi. Sipas saj, ndërtimet e viteve 1.500 nuk hiqen nga historia në vitin 2015, duke iu referuar atyre që kanë shkarravitur pllakën si «trima të errësirës». Ka shkruar se tashmë janë ndërmarrë masat për këtë rast dhe se trashëgimia kulturore mirëmbahet me paratë e taksapaguesve.

«I bëj thirrje komunitetit të sensibilizohet në mbrojtje të monumenteve kudo që janë. Mjeranët, nëse nuk paguajnë ende taksat, i ftoj të mësojnë së paku gjuhen shqipe», ka shkruar Kumbaro – Furxhi në postimin e saj jo pa gabime drejtshkrimore. Kur ishte rivendosur pllaka me mbishkrimin e periudhës osmane ndër ata që kishin reaguar kundër rikthimit të saj ka qenë edhe arkeologia Etleva Nallbani, e cila ka vite që është e angazhuar në gërmimet arkeologjike në këtë monument. Nallbani ishte pyetur rreth vendosjes së këtij mbishkrimi mbi portën e Kalasë dhe kishte thënë se objekti është duke u dëmtuar nga ata që po bëjnë ndërtime pa leje në Kala.

«Del sikur i jepet rëndësi fazës osmane duke anashkaluar periudhat më të hershme, si ajo e shekullit III, bizantinia e hershme dhe madje dhe veneciania. Nëse duam ta mbajmë përpikërisht siç ka qenë, duhet vënë guri mbi portë. Por lind pyetja, siç ka qenë kur? Pra, pse vendosim të kthehemi pas në histori dhe të marrim si pikë referimi depozitimin e mbishkrimit në Muze?», citohej të kishte thënë Nallbani. Sipas saj, nëse Kalaja trajtohet si monument kulturor dhe historik, ajo bart histori edhe në vitet e largimit të pllakës.

«Ndërsa si qëndrim ndaj një monumenti në rivlerësimin e tij, po ekziston dhe zgjidhja e paraqitjes së gurit gjetiu, në krah të monumentit apo në Muze. Nëse do t’i qëndronim parimit, aty ka qenë, aty të kthehet, atëherë duhet të linim gurin e Gaviarit mes gurëve të tjerë të portës së Gaviarit e të mos e prezantonim më vete», citohej Nallbani.

Kalaja e Lezhës gjendet në majë kodrës në 186 metra lartësi mbidetare, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Sipas një përshkrimi që i bëhet asaj në guida turistike, objektet më interesante për t’u vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane brenda kalasë, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Objekti dëshmon për gjurmët e një qytetërimi të lashtë parahistorik qysh në shekullin IV para erës sonë.