Planet zuzarësh

Mashtrime, vjedhje, krime, dallavere: Dokumentet e Parajsës shpërfaqin shumë anë të neveritshme të botës së kapitalizmit - nga Trepça në Kongo.



Jakob Augstein është publicisti mbase më me ndikim i proviniencës së majtë në Gjermani. Kolumna e tij «Im Zweifel links» (Në rast dyshimi – majtas) ka një komunitet të madh dashamirësish. Augstein nuk pajtohet me shumë zhvillime të politikës botërore dhe shkruan shpesh kundër delikteve ekonomike.

Pas publikimit të «Paradise Papers», të cilat ofrojnë dëshmi për shumë ekscese financiare të politikanëve të nivelit të lartë, firmave globale, yjeve të sportit dhe muzikës, Augstein humbi durimin. Në një postim në Facebook ai shkroi: «Ky sistem është thellësisht i sëmurë. Ai është i pamoralshëm dhe i pandershëm. Zemërimi ndaj tij po rritet. Por ky zemërim i kërkon vetëm caqet e gabueshme. Urrejtja e të mashtruarve drejtohet më shumë kundër refugjatit të luftës se sa kundër refugjatit të tatimeve. Planeti ynë është një parajsë për zuzarë».

Këto janë fjalë të ashpra, por edhe shumë të nevojshme. Harrojeni korrektësinë politike. Nëse një firmë zvicerane me shumë dredhi plaçkit minatorët në Afrikë dhe me metoda jo aq fisnike blen xehe apo koncentrat xehesh në Trepçë, atëherë fjalia «planeti ynë është një parajsë për zuzarë» e përshkruan bukur mirë mjerimin. Në ballafaqim me të keqen nuk duhet topitur vullnetarisht shpatën gjuhësore.

«Paradise Papers» zbulojnë një botë politikanësh, firmash e biznesmenësh, të cilët nuk e shohin si detyrë primare përgjegjësinë ndaj shoqërisë. Ata duan të krijojnë pasurinë falë dijes së specialistëve të IT-së, për shembull, ose falë punëtorëve të vyeshëm, por fitimet duam t’i menaxhojnë larg arkave shtetërore të vendeve funksionale. Andaj kërkojnë vazhdimisht oaza të reja, oaza për ikje nga tatimet. Për këtë tufë njerëzish ky lloj deliktesh është i vetëkuptueshëm, madje është bërë i vetëkuptueshëm falë tolerancës së tepërt të politikanëve ndaj anëve të ërrëta të kapitalizmit. Sipas «Süddeutsche Zeitung» oazat e dyshimta tatimore janë shndërruar në diçka të vetëkuptueshme në mesin e elitave ekonomike dhe politike ashtu siç është bërë e pranueshme pornografia në shumë sfera shoqërore.

Ndonëse Kosova dhe Shqipëria nuk janë aq të kyçura në rrjedhat e ekonomisë botërore, prapëseprapë ato janë në rrezik nga biznesmenët që i hidhen çdo vendi si shpend grabitqar. Sidomos në rrezik janë vendet me elita të korruptuara, të kriminalizuara dhe me sistem të drejtësisë të dobët. Kosova dhe Shqipëria hyjnë në këtë kategori, andaj afër Tiranës ndodhi Gërdeci dhe një ministër i Brendshëm u bë Lundërtar i Madh, në Kosovë disa kilometra autostradë kushtuan rreth 1 miliardë euro (saktësisht këtë nuk e di askush, ndonëse në fillim ishte thënë se udha nga Arllati në Morin nuk do të kushtojë më shumë se 500 milionë euro).

Raste të tjera të përzierjes së grabitqarëve të huaj janë edhe disa privatizime në Kosovë: Ferronikeli, ta zëmë, ose rrjeti i KEK-ut apo dhënia me koncesion e aeroportit të Sllatinës. Në Shqipëri potencialisht çdo i dyti hidrocentral është dhënë «me lidhje», ku përfitues kanë qenë firma nga Turqia dhe ortakët e tyre shqiptarë. Si mund të ndalet kjo e keqe? Nuk tingëllon fort origjinale, por së pari me ashpërsim të gjuhës kundër zuzarëve, pastaj me ndërrim të elitave politike. Kjo vlen si për minatorin e Trepçës, ashtu edhe për minatorët në Kongo.