Plaga e madhe e Shqipërisë

Shqipëria pothuaj nuk e ka trajtuar të kaluarën – dhe një ligj për hapjen e dosjeve sjell pak, shkruan shkrimtarja Lindita Arapi në gazetën e njohur zvicernae «Neue Zürcher Zeitung».




Në mesin e diktaturave të Europës Lindore ajo shqiptare ishte më e tmershmja. Shqipëria, një vend mes maleve dhe deteve Adriatik dhe Jon, ishte një lloj Koreje Veriore në Europë. Në këtë «Gulag të Mesdheut» regjimi stalinist i Enver Hoxhës deformoi një shoqëri të tërë nëpërmjet dhunës, kontrollit, censurës, terrorit. Në lidhje me këtë në numrin e së mërkures të gazetës «Neue Zürcher Zeitung» ka shkruar shkrimtarja dhe gazetarja Lindita Arapi. Ajo sjell shembullin e priftit Dom Shtjefën Kurti, i cili u ekzekutua në vitin 1971 në moshën 73-vjeçare për shkak të aktiviteteve kundër sistemit. Ai ishte prifti i fundit që u ekzekutua në Europën Lindore komuniste. Dom Shtjefëni ishte akuzuar për këtë «krim»: ai u kishte bërë thirrje banorëve të veriut të Shqipërisë që atë që prodhojnë në kooperativë ta hanë vetë, sepse edhe kështu mund të luftohet uria.

Sipas Arapit aktivitetet e Sigurimit, shërbimit famëkeq sekret, arritën kulmin në vitet 70-të dhe 80-të, kur në mënyrë konsekuente dhe brutale regjimi përpiqej të «pastronte“ shoqërinë prej „elementëve armiqësorë». Pasardhësi i Hoxhës Ramiz Alia e ashpërsoi edhe më shumë sistemin. Në vitin e fundit të diktaturës shërbimi sekret numëronte 110 mijë punëtorë, të gjithë këta ushtarë të dëgjueshëm të partisë, të përzgjedhur me kujdes nga partia, pasi përshtatshmëria e tyre ishte verifkuar deri në tri gjenerata. Në vitin 1986 Ramiz Alia përmes një direktive ia tejkaloi edhe Hoxhës. Kjo direktivë parashihte një listë me emrat e njerëzve që do të pushkatoheshin në rast të luftës. Bëhej fjalë për kundërsharë politikë.

Arapi shkruan se në fshatra e qytete shqiptare mjaftonte që dikush të thoshte «nuk ka vaj» dhe të përfundonte në kurthet e Sigurimit. Marrjet në pyetje nga ana e Sigurimit ishin një ritual tmerri: shantazh, poshtërim, torturë. Ndër mjetet e represionit hynin rrahja, hedhja në gropa me fekalie dhe futja e vezës së nxehtë nën sqetull. Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizimit gjatë viteve të diktaturës u vranë 6’027 shqiptarë. I panjohur, ndërkaq, mbetet numri i atyre që u ekzekutuan me gjyq. Për arsye politike u futën në burg 34135 persona, 984 prej tyre vdiqën në kazamate. 59’009 shqiptarë u rrëmbyen dhe internuan, 7’022 prej tyre vdiqën në kampe të punës dhe në burgje. Shumë njerëz as sot nuk e dinë se ku gjendet varret e të familjarëve të tyre. As varri i Shtjefën Kurtit nuk dihet se ku ndodhet.

Viktimat e komunizimit në Shqipëri, nënvizon Arapi, nuk kërkojnë hakmarrje, por vetëm kërkim falje nga ana e torturuesve të tyre. Dorasit e regjimit arsyetohen se vetëm kanë zbatuzar urdhrat, duke thënë: «Koha ka qenë e tillë» ose «Të gjithë kemi qenë në situatë të vështirë». Urdhërdhënësit e krimeve nuk tregojnë asnjë shenjë pendimi. Pasi u arrestua në vitin 1993 e veja e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha, menjëherë dhe «me arrogancë të akullt» kërkoi të flasë me avokatin e saj, shkruan Arapi. Këtë të drejtë nuk e kanë pasur mijëra e mijëra shqiptarë, të cilët çifti Hoxha dhe banda e tyre komuniste i futën në burg vetëm pse mendonin ndryshe apo dyshonin në sukseset marramendëse të komunizimit. Shqiptarët e dinin shumë mirë se sukseset e propaganduara ishin rrena kolosale.

Së fundi në Shqipëri është miratuar një ligj për hapjen e dosjeve të komunizmit, pasi 25 vjet me radhë me këto dosje janë bërë pazare të ndryshme. Ligji, shkruan Arapi, mund të sjell transparencë, por jo edhe lustrim, pra demaskim të figurave të Sigurimit dhe eventualisht edhe dënimin e tyre apo ndalesën për të ushtruar funksione publike. -lli