Plaçkitja, poshtërimi dhe terrorizimi i grave të Krushës së Madhe në xhaminë e fshatit

Ditari i Krushës së Madhe (2): Ajnishahe Gashi, e mbijetuar e tmerreve të luftës të forcave serbe, kujton marsin e vitit 1999: «Njëri nga policët u përpoq të ma marrë këtë unazë, por e tërhoqa dorën dhe i thashë: "S’ta jap!" Na dhanë urdhër të ikim në Rugovë të Hasit. Nja dhjetë çika dhe dy nuse i ndalën. Kur na nxorën nga xhamia, ata i përzgjidhnin ato që u pëlqenin, ti, ti, ti, ti ndalu».

Ajnishahe Gashi në xhaminë e Krushës së Madhe. Foto: Jetmir Duraku



«Mund të shkoni lirisht në xhami, hapur është», tha një plak në pyetjen tonë nëse mund të hynim në këtë objekt kulti, ku një ditë marsi të vitit 1999 forcat policore, paramilitare dhe serbët lokalë plaçkitën, poshtëruan dhe terrorizuan gra e fëmijë të Krushës së Madhe, para se t’i dëbonin në drejtim të Shqipërisë. Ajnishahe Gashi është njëra nga ato gra të fshatit që kujton ditët e 25 dhe 26 marsit 1999. Ajo tregon se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s qindra civilë fillimisht ishin fshehur në periferi të fshatit, por pastaj, herët në mëngjes, më 26 mars, ishin kthyer nëpër shtëpi, ku u zbuluan nga policia dhe u sollën te xhamia e fshatit. Aty filloi ndarja: burrat u detyruan të qëndrojnë në rresht jashtë xhamisë, gratë u shtynë në xhami.

Ky është rrëfimi i Ajnishahe Gashit: «Policët njëherë na kërcënuan se do të na vrasin, pastaj na kontrolluan të gjithave. Na e morën dukatin që kishim, filluan t’i prekin gratë në gjinj, ku shumica kishin fshehur arin dhe paratë. Njëri nga policët u përpoq të ma marrë këtë unazë, por e tërhoqa dorën dhe i thashë: “S’ta jap!” Na dhanë urdhër të ikim në Rugovë të Hasit. Nja dhjetë çika dhe dy nuse i ndalën. Kur na nxorën nga xhamia, ata i përzgjidhnin ato që u pëlqenin, ti, ti, ti, ti ndalu. Kur kemi dalë, pamë që shumë shtëpi po digjeshin. Shumë gra mbuloheshin me pelena për t’u dukur të shëmtuara. Kur vij këtu në xhami, po humbem krejt, po më kujtohet krejt çfarë ka ndodhur – si i patën bërë rresht burrat, duke ua marrë paratë, duhanin, shkrepëset, çelësat, gjithçka, kuletat. Një vajzë piskatke: “O babi, çka me ba na tani?” Asaj i ra të fikët. Babai i saj s’guxonte të lëvizte, polici kërcënonte, “stoj”, “ne mrdaj”. Pastaj një serb i Hoçës së Madhe, M. A., pyeti se kush dinte serbisht. Unë isha ajo që dija. U tutsha që po më marrin e po më çojnë diku, atëherë kam qenë më e re, djemtë nuk i kisha këtu, i thashë vjehrrës rri këtu te unë, A. më pyeti: “ku i ke djemtë”, i thashë “s’kam djem”, u tutsha t’i tregoj se janë në Gjermani, kur më pyeti ku e ke burrin, i thashë: “ju e keni ndalur”. Tha se vetëm do t’i pyesin diçka burrat dhe lirojnë. Mandej A. më pyeti bija e kujt jam. I thashë se jam bija e Shyqës nga Rahoveci, baba ka qenë i njohur si gjuetar. Unë e njihja A., punonte në komunë, i vuloste librezat shëndetësore. Bashkë me forcat serbe ka qenë dhe një Agim Isaku, rom, ai e goditi një grua të Haxhiçernikëve. Te furra e fshatit na ndalën sërish policët dhe na pyetën se ku po shkojmë. Ju treguam se policët na thanë të shkojmë në Rugovë të Hasit. Krejt shinat e trenit kanë qenë me policë, 200 apo 300. M.A. e kam parë në Rahovec së fundi. Njëri nga organizatorët e masakrës ka qenë B. S. nga Hoça e Madhe. Ka pasur aty-këtu edhe ndonjë serb “të mirë”. Njëri prej tyre te furra e bukës tha: “Motër, ikni sa më shpejt se të gjithë do t’i pushkatojnë>. Kishim me vete plaka që i bartnim me karroca. Në Rugovë të Hasit prapë na ndali policia. Na kërkuan para, përndryshe “do t’i ndalim krejt çikat”. Kanë qenë me neve edhe nja tre-katër burra, një hoxhë, topall, quhej Isuf, nga Maqedonia. Të gjithë mblodhëm para dhe hoxha ua dorëzoi policëve… Sot jam e sëmurë, mërzitem shumë kur e kujtoj çka ka ndodhur, më bie të fikët, as me autobus nuk guxoj të udhëtoj, përkrahje nga shteti s’kemi. Kur kemi shkuar në Rugovë të Hasit dolën na morën banorët, na dhanë tesha, ishim krejt baltë, binte shi, borë. Dy ditë nuk patëm ngrënë bukë. Sa hëngrëm bukë, filluan të shtëna me granata, ikëm në Muhadër, pastaj u kthyem sërish në Rugovë të Hasit, aty policët na dhanë urdhër të shkojmë në Shqipëri. Burrin tim e kanë pushkatuar të parin. Kur na ndanë, ai m’i dha çelësat e shtëpisë dhe ma shtrëngoi dorën, ishte hera e fundit që po shiheshim. Pastaj në kamp në Shqipëri një banor i Krushës së Madhe, baca Bajram, më tregoi se të gjithë i kanë pushkatuar…».

Ilmi Gashi, kështu quhej bashkëshorti i Ajnishahe Gashit, ishte mësues. (Emrat e serbëve të dyshuar për krime të luftës janë dhënë qëllimisht me iniciale për shkak të frikës se banorëve të Krushës së Madhe se ata mund t’i shmangen drejtësisë nëse zbulohet identiteti i tyre i plotë).