Plaçkitet një lokal i lojërave të fatit në Prishtinë – lëndohet punëtori

Sot në orët e hershme të mëngjesit raportohet se është plaçkitur një lokal i lojërave të fatit në Prishtinë.




Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë për Koha.net se gjatë kësaj plaçkitjeje është lënduar një punëtor i këtij lokali, i cili edhe e ka raportuar rastin në polici.

«Rreth orës 4:30 të mëngjesit të sotëm, është raportuar për një grabitje në rrugën «Ahmet Krasniqi» në lagjen Arbëria të Prishtinës, në një lokal të lojërave të fatit. Policia menjëherë i është përgjigjur rastit duke shkuar në vendin e ngjarjes ku ka kontaktuar me viktimën mashkull kosovar», ka thënë Hoxha për Koha.net.

Zëdhënësi i PK-së ka thënë se sipas viktimës, në këtë grabitje kanë marrë pjesë katër persona të armatosur të cilët e kanë sulmuar viktimën duke i shkaktuar edhe lëndime trupore.

«Me ketë rast, sipas tij [viktimës], edhe i kanë grabitur një shumë të konsiderueshme të parave. Të dyshuarit më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Dyshohet se janë larguar me një veturë të tipit Golf», ka thënë më tej Hoxha, duke mos specifikuar shumën e parave të grabitura.

Ai ka theksuar se Policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të identifikuar të dyshuarit e mundshëm të përfshirë në këtë rast dhe jemi në proces të hetimeve.